Kontrolli dhe arrestimet e vllehëve: Nuk shpëtonin as 90-vjeçarët

0
310
blank

Kujto.al sjell një pjesë të historisë së përndjekjes që vllehët pësuan gjatë regjimit komunist. Familjet dhe personat që Sigurimi i vuri në përpunim në disa zona të Shqipërisë, ishin shumë. “…pavarësisht se është në moshë afër 90 vjeç nga ana jonë u muar në përpunim aktiv 2-A për të zbuluar dhe parandaluar veprimtarinë e tij armiqësore”, theksonte sigurimi në një raport për Ndine Poçin. Mes të ndjekurve, pati disa që u dënuan me shumë vite burg, pa asnjë provë

 

Nga Xhafer Sadiku

Në analizën e 28 korrikut 1975, “mbi aktivitetin armiqësor të vllehëve nomadë me banim në rrethin e Përmetit”, sigurimi theksonte se qysh nga çlirimi i Shqipërisë deri më 1957, në rrethin e Përmetit kishin ardhur për verim me bagëti vllahë shëtitës në malet e fshatrave Badëlonjë, Surropull, Frashër, Biovizhdë etj.”.

Më 1957, një pjesë e vllehëve u stabilizua në fshatrat Kosinë, Kutal, Badëlonjë e Leshicë, ku u kolektivizuan në kooperativat bujqësore.

…Që kur u vendosën në fshatrat respektive, sigurimi i vuri në kontroll agjenturial-operativ.

…Për të realizuar goditjet kundër vllahëve, më 26 mars 1961, u hartua një plan masash agjenturiale-operative me detyra konkrete dhe afate të përcaktuara.

“…Deri në 30 prill 1961, të organizohej përpunimi i të gjithë vllehëve për të cilët kishte të dhëna agjenturiale dhe implikime në drejtimin e tyre. Të organizohej mirë kontrolli ndaj tyre duke verifikuar mungesën e tyre në fshat e ku punonin”.

Në drejtim të vllehëve u drejtuan disa nga bashkëpunëtorët më të sprovuar të sigurimit, si rezidenti “Çapkëni”, agjentët “Graniti”, “Vetëtima”, “Maqinisti”, “Trendafili”, “Guximtari”, “Seanca e parë” etj..

 

Çështja “Rrugaçi”

Rezidenti “Çapkëni”, në saje të njohjes që kishte me vllahët, arriti të implikonte me të dhënat e tij 106 persona në rrethin e Përmetit dhe në shumë rrethe të tjera të vendit. Të dhënat e këtij bashkëpunëtori bënin fjalë për takime me diversantët, mbajtje armë lufte, doza helmi, tendencë terrori, radiotransmetuese, agjitacion e propagandë etj.. Për këtë, materialet u grumbulluan dhe u ndoq si problem i veçantë me pseudonimin “Rrugaçi”.

…Në fillim u vunë në përpunim Leonidha Poçi dhe Miho Cina, por agjentët e sigurimit informonin se në radhët e vllehëve zhvillohej aktivitet armiqësor i theksuar duke propaganduar kundër pushtetit.

Rrjeti agjenturor informonte jo vetëm për Leonidha Poçin, Miho Cinën, Ndine Poçin dhe Pilo Cinën, që ishin në përpunim aktiv, por edhe për Ziko Poçin, Theodhoraq Poçin dhe Tusha Shupulin që ishin jashtë përpunimit, por që i kishin përfshirë në atë që sigurimi e kishte quajtur problemi “Rrugaçi”. Sipas rrjetit agjenturor, ata kishin “aktivitet armiqësor kunër pushtetit popullor vetëm në agjitacion e propagandë”.

Sigurimi i ndoqi vllahët në bazë të detyrave që la ekipi i ministrisë së Punëve të Brendshme, mirëpo, siç del nga raporti i sigurimit, nga masat e marra në këtë drejtim, nuk pati ndonjë rezultat konkret.

…Megjithëse kishte drejtuar shumë agjentë në drejtim të vllahëve, seksioni i sigurimit i raportonte drejtorisë së sigurimit, se përpunimi i objekteve të këtij problemi dhe vërtetimi i materialeve që dispononte në drejtim të tij, paraqitej i dobët, sepse në radhë të parë mungonte agjentura që t’i përpunonte aktivisht, për të zbuluar aktivitetin e tyre në çfarë shkalle shtrihej dhe të vërtetonte materialet që dispononte.

…Problemi u ndoq edhe gjatë vitit 1963 dhe, me qëllim për të konkluduar përfundimisht mbi të, më 17 qershor 1963, u krye kombinacioni i dëgjimit me teknikë operativë ndërmjet objektit Leonidha Poçi dhe bashkëpunëtorit “Çapkëni”, të cilit i ishte dhënë një vijë sjelljeje me detyra konkrete. Nga informacionet e bashkëpunëtorëve u plotësua dosja e Leonidha Poçit, Ndine Poçit dhe Pilo Cinës.

Dega e punëve të brendshme Përmet (ana e sigurimit), i raportonte organit epror: “Duke u mbështetur në situatën aktuale që është krijuar për këtë problem, sepse përveç të dhënave agjenturale nga burime të tjera, kemi shtënë në dorë dhe materiale legale nga dy burime për objektet kryesore Leonidha e Ndine Poçin, mendojmë që të kryhet  shpejt kombinacioni ndërmjet b.p. “Çapkëni” me Tako Cinën dhe të kalojmë në goditje sidomos të Leonidha Poçit për të cilin disponohen të dhëna të bollshme agjenturale dhe legale, ku me anën e të cilit kemi mundësi të sqarojmë plotësisht situatën e këtij problemi dhe të forcojmë punën tonë në të ardhmen në radhët e vllahëve me banim në rrethin e Përmetit dhe shumë rretheve të tjerë si Korçë, Gjirokastër dhe Sarandë”.

Ministria e pranoi propozimin dhe në janar 1964, Leonidha Poçi u arrestua. Ai u dënua me 10 vjet burg, për agjitacion e propagandë. Sigurimi dështoi, “mbasi nuk u grumbulluan provat e duhura që të dënohej për tradhëti”.

Megjithatë, sigurimi e forcoi punën agjenturiale-operative në drejtim të vllehëve dhe në vitet që do të vinin do të godiste përsëri. Këtë herë edhe më ashpër.

“Çarku”, kurthi i sigurimit

Numri i përpunimeve aktive dhe kontrolleve operative në radhët e vllehëve shtohej çdo vit dhe po kështu shtohej edhe numri i agjentëve që i përpunonte. Me gjithë planet e sigurimit për t’i implikuar në “tradhti ndaj atdheut” dhe kombinacionet e kryera për këtë qëllim, nga të dhënat e agjenturës së sigurimit nuk rezultonte një gjë e tillë. Për të realizuar objektivin e tij, Sigurimi përpiloi përsëri plane për veprime agjenturiale-operative, duke marrë masat përkatëse për secilin.

Nasho Vasil Popo. Në vitin 1960, sigurimi e implikoi në gjyqin e Nasho Gërxhos dhe Jorgji Poçit. E morën në përpunim aktiv, por deri tani, theksonte sigurimi, “nuk ka dalë asnjë material me rëndësi rreth veprimtarisë së tij…Pavarësisht nga kjo do të vazhdojë dhe do të thellohet përpunimi i tij për të vërtetuar, zbuluar dhe parandaluar veprimtarinë e tij armiqësore”. Nasho Popo u arrestua më 5 maj 1976 dhe u dënua me 20 vjet burg.

Vangjel Janaq Gramozi. Ishte vënë në përpunim për shkak se në vitin 1960, sigurimi e implikoi në gjyqin e Nasho Gërxhos, ndërsa në janar 1975, e implikuan nga një tjetër i arrestuar. Mbi bazën e atyre implikimeve dhe informatave të agjentit të sigurimit “Sokoli” dhe informatorit “Nemërçka”, u ngrit nga kontrolli operativ në përpunim aktiv…Deri tani nga kombinacionet e bëra dhe të dhënat e agjenturës nuk ka ndonjë material me rëndësi, lexohet në një raport të sigurimit. Ai ishte përcaktuar si përpunim kryesor dhe rast me perspektivë për ta goditur, pasi, sipas sigurimit, “vetë veprimtaria e tij do të hedhë dritë mbi të gjithë aktivitetin e vllehëve që janë në rrethin tonë”. Pas një përpunimi intensiv, Vangjel Gramozi u arrestua më 2 prill 1976 dhe u dënua me 17 vjet burg.

Nikolla Shupuli. Sigurimi e implikonte në proceset e viteve 1960, 1964 dhe 1975, si dhe në procesin e Gjirokastrës. Për këtë arsye ishte marrë në kontroll agjenturial aktiv dhe përpunohej aktivisht, por deri më sot, theksonte sigurimi, “nuk ka dalë asnjë material rreth veprimtarisë së tij…”. Nikolla Shupuli u arrestua më 17 gusht 1976 dhe u dënua me 15 vjet burg.

Jorgji Gramozi. U mor në përpunim aktiv në janar 1975 dhe u arrestua më 4 gusht 1976. Megjithëse pa prova, e dënuan me 12 vjet burg.

Ndine Poçi. U vu në përpunim aktiv në moshën 90 vjeç. Sigurimi e implikonte në proceset e vllehëve në Përmet në vitin 1960 dhe në procesin e Gjirokastrës në vitin 1975. Në analizën e sigurimit theksohet: “…pavarësisht se është në moshë afër 90 vjeç nga ana jonë u muar në përpunim aktiv 2-A për të zbuluar dhe parandaluar veprimtarinë e tij armiqësore. Përpunimi i tij do të bëhet edhe një farë kohe dhe po qe se nuk del aktivitet rreth veprimtarisë së tij do të ulet nga përpunim aktiv 2-A në kontroll operativ 2-B për arsye të moshës së madhe”.

Në përpunim aktiv u vu edhe Kristo Minella, ndërsa në kontroll operativ u vu Janaq Purriqi. Nga proceset e ndryshme, sigurimi implikoi edhe Foto Purriqin, Leonidha Poçin, Tush Poçin, Janaq Poçin, Ziko Poçin, etj..

Numri i përpunimeve agjenturiale-operative u rrit nga të dhënat e bashkëpunëtorëve “Çapkëni”, “Vjosa” dhe “Trëndafili”, që veç personave me origjinë vllahe implikuan 7 persona në rrethet e Gjirokastrës, Vlorës dhe Korçës, si dhe 15 persona me origjinë vllahe nga qyteti dhe fshatrat e rrethit Përmet…

Sipas Sigurimit, “Qëllimi që kjo rezidenturë i kishte vënë vetes ishte të tërhiqnin në radhët e tyre sa më shumë elemente me qëndrim të keq politik, njerëz të pakënaqur nga Partia e pushteti popullor. Veç këtyre ata kishin marrë për detyrë nga diversantët e ardhur nëpërmjet kufirit, që të grumbullonin të dhëna me karakter politik, ushtarak e ekonomik, të bënin sa më shumë dëmtime në ekonomi, të ngjallnin nëpërmjet propagandës së tyre armiqësore pasiguri në ekzistencën e pushtetit popullor”.

Si në të gjitha rastet e tjera edhe me këtë “rezidenturë” nuk u kap asnjë “diversant”. Në fakt, referuar dosjeve të sigurimit të shtetit për këtë çështje, rezidentura e vërtetë ishte “Çarku”, rrjeti i agjentëve të sigurimit që vepruan për të realizuar në terren dhe “vërtetuar” tezën e regjimit komunist se armiku i brendshëm vepronte në koordinim me armikun e jashtëm. Më kryesorët ishin “Çapkëni” dhe “Sokoli”. Të dy këta agjentë, por edhe të tjerë, referuar raporteve të mëvonshme të sigurimit, rezultonin të ishin gënjeshtarë.

Lufta e sigurimit kundër vllehëve të Përmetit vazhdoi edhe në vitet që do të vinin. Kështu, në prill 1979, u arrestua Lliko Ndine Poçi, i akuzuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Edhe ai vuajti tetë vjet në burgje.

Shënim: Marrë me shkurtime nga “Skenarë të përgjakur, Përmeti 1943-1991” i Xhafer Sadikut, botim i ISKK

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here