Baba Ali Tomori, martir i bektashizmit dhe patriotizmit

0
230
blank

Baba Ali Tomori është një nga figurat më të rëndësishme të bektashizmit në Shqipëri, intelektual dhe patriot i spikatur. Ky vit shënon 130 vjetorin e tij të lindjes dhe 75-vjetorin e vrasjes nga komunistët. Ai u ekzekutua bashkë me Baba Shefqet Gllavën më 14 janar 1948. 

 

Martirët e fesë në Shqipëri nuk janë vetëm ata të shekujve të largët, që në gjithë botën kujtohen me nderim, duke pasur ditë të veçanta në kalendarët fetarë dhe ndërtesa kulti me emrin e tyre. Në Shqipëri, regjimi komunist martirizoi shumë klerikë jo më larg sesa shekulli i kaluar. Një prej tyre është edhe Baba Ali Tomori. Veçse klerik, me një kontribut të çmuar në konsolidimin e bektashizmit në Shqipëri, Baba Ali Tomori ishte edhe një intelektual, publicist, historian e poet si dhe patriot i shquar i kohës së tij.

Autori Xhafer Sadiku i kushton një pjesë të veçantë Baba Ali Tomorit në librin "Skenarë të përgjakur", në pjesën kushtuar persekutimit të klerit bektashi në rrethin e Përmetit.

"Baba Ali Tomori (Ali Abaz Skëndi) u lind më 1893 në fshatin Shalës në Tepelenë. Arsimin fillor e kreu në Berat, ndërsa të mesmen në Kozan, ku babai i tij ishte nëpunës. Në vitin 1913, kthehet në atdhe dhe shërben si klerik në teqenë e Prishtës, ku kryen një aktivitet të madh patriotik, duke mbajtur lidhje me qeverinë e Ismail Qemalit dhe gazetën e saj “Përlindja e Shqipërisë”. Mbas ngjarjeve të vitit 1914, merr rrugën e mërgimit dhe vendoset në Kajro të Egjiptit, ku bie në kontakt me shoqëritë patriotike të atjeshme dhe studion letërsi dhe teologji islame. Njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja (arabe, turke dhe frënge), ai zinte vend të nderuar në radhët e elitës intelektuale të kohës. Në vitet 1921-1923 botoi në Këlcyrë, gazetën “Reforma”, e cila propagandonte idetë e rilindjes kombëtare dhe tolerancën fetare. “Reforma” pasqyroi kongresin e parë bektashian të Prishtës dhe kongresin kishtar ortodoks të Beratit. Babai Aliu ishte njëri nga organizatorët kryesorë të tre kongreseve bektashiane: kongresit të parë që i zhvilloi punimet në janar 1921 në Prishtë, kongresit të dytë më 1926 në Gjirokastër dhe kongresit të tretë, që u mbajt më 1929, në Turan të Korçës. Intelektual me kulturë të gjerë dhe klerik patriot Varf’Ali Prishta (Baba Ali Tomori) u aktivizua në lëvizjet politike të kohës. Mori pjesë në varrimin e Avni Rustemit dhe foli në ceremoninë e rastit. Përveç se klerik dhe publicist, ai ishte edhe poet i talentuar. Firmën Varf’Ali Prishta e mbajnë disa nga poezitë më të mira të botuara në shtypin e kohës”, shkruan Sadiku.

Disa nga veprat e tij janë “Histori Bektashiane”, “Literatura e Bektashinjve”, “Bektashinjtë e Shqipërisë” – një libër në prozë dhe vjersha, “Nefese dhe Gazele bektashiane”, “Flamurit të Shqipërisë”, poezi etj. Shumë nga krijimet e baba Ali Tomorit u botuan në gazetat e kohës.

Ali Tomori u dekretua baba pas Kongresit të Prishtës. Ai u ngarkua të kryesonte teqenë e Tomorit. Ai mbeti paralelisht i angazhuar me çështjen kombëtare. Baba Aliu përkrahu luftën kundër pushtuesve duke pritur e përcjellë në teqe besimtarë e luftëtarë, pa bërë dallime politike. "Ai mori pjesë drejtpërdrejt me armë në dorë, për të luftuar krah për krah me bashkatdhetarët kundër nazi-fashizmit. Mbledhja e Komitetit Qarkor për Beratin, e mbledhur në datat 2 – 3 të muajit gusht të vitit 1943, e zgjodhi baba Ali Tomorin (Prishta) anëtar të Shtabit të Ushtrisë së Qarkut të Beratit, ku midis të tjerëve, bënin pjesë dhe figura të shquara të Luftës Nacionalçlirimtare, si: Zylyftar Veleshnja, Kahreman Ylli, Gjin Marku, Mestan Ujaniku etj.", shkruhet në artikullin kushtuar 75-vjetorit të pushkatimit të Baba Ali Tomorit dhe Baba Shefqet Mahmuti-Gllavës, të faqes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Por Baba Ali Tomori ishte kundër vëllavrasjes dhe e shprehu qëndrimin e tij publikisht dhe me këmbëngulje. "Në fjalën e mbajtur në mitingun e Beratit, më 22 dhjetor 1943, dënoi luftën civile dhe terrorizmin, duke u bërë thirrje shqiptarëve të bashkoheshin për të shpëtuar atdheun. Fjalët e tij duken me vlerë për çdo kohë: Përmbi varret e dëshmorëve ka mbirë bar/ Njihet gjurma e gjakësorëve përmbi çdo varr/ Por gjer kur ne, o të mjerë, e po gjer kur/ Pa bashkim si komb i ndarë e gur mbi gur?/...Ju shqiptarë ç’jeni, vëllazëroi/ Zili e nakar mos kini po forcohi/ Po bashkohi të dënoni terrorizmin/ Se kështu do t’a shpëtoni shqiptarizmin", shkruan Sadiku.

Figura e Baba Ali Tomorit si krijues, gazetar e shkrimtar ishte bërë e njohur dhe vlerësohej në mbarë vendin. Ai u zgjodh anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, që u krijua në vitin 1946. Por shumë shpejt, komunistët në pushtet u kthyen kundër tij duke e arrestuar si spiun të angloamerikanëve. Baba Ali Tomori u gjykua nga Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e cila vendosi pushkatimin e tij. Ai u ekzekutua bashkë me Shefqet Gllavën më 14 janar 1948. Fjalët e fundit të Baba Ali Tomorit ishin “Ruani dorëshkrimet e mia. Rroftë Shqipëria!”.

blank
Shefqet Mahmuti-Gllava

Sa për Baba Shefqet Gllavën, në faqen e Kryegjyshatës shkruhet se u varros diku në Gjirokastër, në vendin ku u ndërtua NSHN-ja, e nuk i janë gjetur eshtrat.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here