Akuarelisti Sadri Ahmeti që vuajti burgimin në kampin e Spaçit

0
208
blank

Ishte nga shqiptarët që banonin në trojet e veta në Jugosllavi dhe që bënë gabimin e madh që erdhën në Shqipëri. Edhe Sadriu kaloi kufirin më 23.10.1957, së bashku me vëllezërit e tij, Ramën, Mustafain, Selimin. Shqipëria që e deshën aq shumë, i priti mjaft keq, ndërsa Sadriu vuajti, 2 vjet, 11 muaj, 17 ditë burgim, të cilin e vuajti (përjashto kohën e hetimit) të gjithë në Spaç. Sadri Ahmeti (1949-2010) ishte nga Vuthaj. Njihej si njeri i dashur dhe i qeshur, aq sa as në Spaç, nuk ia ndryshuan karakterin.

Sapo erdhi në Shqipëri, Sadriu së bashku me vëllezërit, u trajtuan keq në postën kufitare ku kaluan, u dërguan në Tiranë, ku pas provokimeve të shumta se gjoja i kish dërguar UDB-ja, qëndruan një muaj në burg. I dërguan në kampin e Llakatundit. Në një intervistë të viteve të demokracisë, Sadriu e kujtonte kështu këtë kohë: “Ai ishte një kamp internimi që ruhej me policë, ku mbaheshin të izoluar rreth 700 veta, shumica prej të cilëve ishin emigrantë kosovarë si ne. Aty na bënin apelin tre herë në ditë dhe në kushte tepër të vështira. Ne qëndruam për një vit, deri sa kundër dëshirës time, më caktuan të vazhdoja shkollën bujqësore dyvjeçare të Kamëz”.

Sipas letrave të gjetura, në vitin 1959, Sadriu gjendet në Teknikumin Bujqësor “Ylli i kuq” Kavajë, në vitin e 4-t.

Me anë të një telegrami (bashkë me Azem Ulajn) në shtator 1959, kërkonte takim me Enver Hoxhën për çështje shkolle. Në vitin 1959, vitin e fundit të shkollës (praktikë) u dërgua në fermën “Gjergj Dimitrov” në Laprakë.

Me mbarimin e shkollës në vitin 1960, Sadriun e çuan për të punuar në Berat. Banonte në një barakë në periferi të qytetit. Në vitin 1964 e largojnë nga Berati dhe e çojnë në Krujë, ku qëndroi deri në vitin 1970, kohë kur iu dha një bursë për të vazhduar Institutin e Lartë të Arteve. Sigurimi i kërkoi të bashkëpunojë. E arrestuan. Synonin ta paraqisnin në grup me Myrteza Bajraktarin dhe Kapllan Resulin.

U arrestua më 12.11.1970. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal, se me “forma të stërholluara, sidomos të barsoletave dhe humorit” ishte përpjekur të godiste rendin dhe sistemin socialist, duke e paraqitur gjendjen të keqe në krahasim me vendet kapitalisto-revizioniste. Thoshte se metoda e realizmit socialist i pengonte krijuesit, etj. “Në Shqipëri kilogrami është më i vogël dhe metri më i shkurtër; se socializëm do të thotë të mos kesh asgjë veç shpirtit; komunizmi është një ëndërr e parealizueshme, kaos dhe grindje”.

Gjykata e Rrethit Tiranë, e drejtuar nga Hydai Bejo, me pjesëmarrjen e prokurorit Sabri Hoti, me vendimin nr.163, datë 28.6.1971, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 3 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.650, datë 24.7.1971 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 29.10.1973 nga Reparti nr.303 Spaç ku vuajti gjithë dënimin. Jetoi në Elbasan pas daljes nga burgu, punëtor në fabrikën e çimentos.

Në intervistën e dhënë në kohën e demokracisë shprehej: “Shyqyr që erdhi kjo kohë të gëzojmë e të qeshim, se edhe këtë na e kishin ndaluar në atë kohë, kur kishe shumë për të qeshur”.

Sadiu njihej si një ndër akuarelistët më të mirë shqiptarë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here