Ai djalë aq i pashëm, i gjatë si bajrak, i palosur në baulen e vogël

0
2555
blank

18 muaj tortura ndaj avokatit të diplomuar në Firence, Paulin Pali, para se të pushkatohej, bashkë me 15 persona të tjerë, në pranverë të vitit 1948. Një qëndresë mbinjerëzore përballë torturave çnjerëzore

Në Shkodër, në shtëpinë ku Sigurimi i Shtetit kryente hetimet, çdo cep ishte kthyer në një vend torture. Dikush i varur në pemë, dikush i lidhur me zinxhirë, dikush tjetër i mbyllur në një baule të vogël, ku nuk mund të imagjinohej si mund të hynte një njeri e aq më pak të kalonte aty ditë të tëra. Paulin Palin, të diplomuarin për Drejtësi në Firence, e kishin mbyllur pikërisht në një baule të tillë.

E arrestuara në të njëjtën periudhë, pas kryengritjes së Postribës, Terezina Pali Zorba, i ka rrëfyer Fritz Radovanit, kujtimet e atij takimi të pazakontë me Paulinin.

“Kur po më dërgonin në dhomën e pyetjeve polici shoqnues më la pak minuta në korridor, mbasi ai hyni tek oficeri pyetës ku dukej se kishte njerëz. Aty afër derës ishte një baul e vjetër e mbyllun me dry. Ndigjova një za të lehtë e të mekun: “Terezinë…Terezinë! Jam Paulin Pali!”, unë e tronditun ju përgjegja: “Kush?”…Ai u përgjegj prap: “Paulini moj, Paulin Pali!”. Isha aq e tronditun sa edhe sot më tmerron ai kujtim i mnershëm i asaj dite, kur mendoj atë djalë aq të pashëm e të gjatë si bajrak dy metër, të palosun dyfish në atë arkë aq të vogël sa mezi mund të futej një fëmijë. Aty i shkreti Paulin ka qëndrue me ditë e javë të tana… derisa njëditë nuk u ndigjue ma zani i tij që ndigjohej çdo natë në tortura.”

Në dhjetor të 1946-ës, në të njëjtën shtëpi torturash çuan edhe Zef Pllumin. Ndërsa klerikun e ri e mbanin varur në pemën e pjeshkës që ndodhej në oborr, ai mund të shihte sesi ishin katandisur të dënuarit që i kishin sjellë aty para tij. Paulin Pali, si shkruan Zef Pllumi, nuk njihej më, ishte me mjekër deri në brez, këmbët zbathur, të shtrënguara me zinxhirë dhe duart të lidhura para.

Hetuesia e avokatit dhe e një grupi të tërë të arrestuarish zgjati 18 muaj. I akuzonin se “kanë punuar për formimin e organizatës terroriste në Shkodër. Kanë mbajtë lidhje me armiqtë mbrenda e jashta shtetit. Kanë qenë për ndërhyrjen nga jashtë nga të huajtë imperialistë…”. Avokati pas përfundimit të studimeve në Itali, në vitin 1942, ishte kthyer në Tiranë dhe më pas kishte shkuar në Prizren. Besonte se Kosova duhej të fitonte lirinë, por kjo dëshirë binte në kundërshtim me synimet e Jugosllavisë e cila drejtonte politikën e brendshme të Shqipërisë në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist.

Avokati u tortura 18 muaj derisa doli para Gjykatës Ushtarake në Shkodër, në janar të 1948-ës. Fiziku, mendja dhe shpirti i tij kishin kaluar sprova të pabesueshme, kishin pësuar me siguri dëmtime të pakthyeshme, e megjithatë në gjyq ai nuk i mohon idetë dhe qëndrimet e tij. E mbyll fjalën duke kërkuar mëshirë, me shpresën e një 33-vjeçari për të jetuar, por pa mohuar veten për asnjë çast, pa fshehur kundërshtimin  e tij për gjyqet politike të komunizmit, pa hequr dorë nga bindja për një Kosovë të lirë.

“Akuza pjesërisht asht e vërtetë, sidoemos se kam dashtë me ikë. Lëvizjën N.Çl. e kam njoftë, …në fund e kam simpatizue dhe kam kontribue për shlirimin e Shqipnisë. Për kundra sajë, përsa i përket diktaturës nuk e kam dashtë, sidoemos kufizimin e partive të tjera dhe shkrimjen e fuqive të tjera ekonomike.

Në 1942-43 ishe në Kosovë. Mbas 1944 erdha në Shkodër. Për shlirimin e Shqipnisë pa Kosovën e kam konsiderue nji gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare dhe asht marrë nga shovenistët serb padrejtësisht. Me forcë nuk mund t’a marrim, por me drejtësi internacionale dhe simbas Blokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo mund të zgjidhesh në mënyrë miqësore. Korça dhe Gjinokastra janë shqiptare dhe i kërkon Greku. ..Mendimi i em për Kosovë ka kenë arësyeja ekonomike, politike, kombësia.

Ëndrra ime ishte nji Kosovë e lirë! Por, në konfërenca nuk kam bisedue me popull, se atë liri nuk e kishim mbas shlirimit, por me shokët e mij si: Galip Juka, Adem Bazhdari, Muzafer Pipa, Ragip Meta etj., kam folë. Kur filluen Gjyqet e Popullit nuk më pëlqenin, se nuk garantohej si duhej drejtësia. Trupi Gjykues nuk ishte i aftë. Gjykatësi duhej të ishte i paanëshëm. Po citoj nji shembull qysh në fillim e deri në mbarim, këtë ide e kam pasë formue, Riza Alinë, as e kam njoftë, as e dij se ka kenë element i keq. Ekzekutimi i tij më ka ba të vuej shpirtnisht, gjithashtu edhe Ymer Lutfija që nuk e ka meritue me u dënue me vdekje. Jam fajtor vetëm për politikën që kam ndjekë kundër Gjykatave Ushtarake, për Kosovën, dhe politikën kundrejt Blokut antifashist ndaj vendit tonë, mbasi i konsideroj të padrejta. Për demokristjanen nuk kam bisedue, as nuk kam dijtë, as nuk kam dijeni, as nuk kam dijtë se ka kanë Padër Gjoni, por si nji parti e krijueme jashta shtetit, e dij se asht ndër shtete tjera por, as që kam bisedue për té me njeri.

Në kjoftë se jam i tepërm për shoqninë njerzore, mund të më zhdukni!..

Unë dal si Paulin Pali para arrestimit, por ma pas (mbrapa), nuk dij gja dhe mos më pyetni! Jam marrë në proçes dhe nuk jam dakord në përgjithësi me té.

Unë dua të tham këtë: “Ma mirë të hesht!”

Moralisht nuk jam i pastër, karakteri i fortë burrnor më mungon. Kerkoj mëshirë!”, tha ai.

Ditën e tretë të gjyqit, më 16 janar 1948, Gjykata shpalli vendimin. Nuk tregoi aspak mëshirë. Paulin Pali dhe profesori shkodran Kol Prel Gjoka, u dënuan “me vdekje, me pushkatim dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme”.

Duket se torturat vazhduan deri ditën e ekzekutimit. Gjithmonë sipas Fritz Radovanit, një ditë kur shkoi në qelinë e tij Adem Bazhdari, “gjeti të shtrimë përdhe një njeri. Pothuej i vdekun, ishte i lamë me gjak, përmbys. Ia solli fëtyrën nga drita e shikoi, por nuk e njohti….E pau se merr frymë dhe e pyeti: “Kush jé ti?”. Ai u përgjegj: – “Jam Paulin Pali”…”

Burime të ndryshme japin data të ndryshme të ekzekutimit për këtë grup të dënuarish, herë mars dhe herë prill të vitit 1948. Pjetër Pepa shkruan që Paulin Pali, bashkë me 11 të dënuar të tjerë për kryengritjen e Postribës dhe katër klerikë, janë ekzekutuar mëngjesin e 11 marsit. Sipas dokumenteve, Këshilli i Gjykatës së Lartë e refuzoi kërkesën për falje të Paulin Palit dhe Kol Prelës në mbledhjen e tij më 23 mars dhe sipas Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist, Kol Prela u ekzekutua më 13 prill 1948, që mund të jetë edhe data e ekzekutimit të Paulin Palit nëse ai do ketë rezistuar i gjallë nga torturat, deri në atë datë.

Dihet vetëm që  ai “djalë i pashëm, si bajrak, 2 metër”, i diplomuar për Drejtësi në Firence, që ishte kundër diktaturës dhe ëndërronte Kosovën e lirë, ishte “i tepërm për shoqninë”… komuniste!

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here