67 vjet nga krimi komunist, kush ishin 22 të pushkatuarit pas bombës në Ambasadën Sovjetike

1
1631
blank

Bomba në  Ambasadën Sovjetike dhe justifikimi për të çuar para togës së pushkatimit 22 intelektualë të Tiranës. Konsideroheshin nga regjimi si antikomunistë që ishin të shkolluar jashtë vendit dhe vinin nga familje të pasura.

Ai urdhër i lëshuar nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu për pushkatimin e 22 personave si të “akuzuar” për terrorizëm, nuk vrau vetëm ata njerëz, fati i të cilëve ishte i destinuar të fundosej nga armët e regjimit. Sistemi nuk u mori vetëm jetën atyre, por goditi dijen, sulmoi intektualizmin dhe rrënoi klasën e pasur. U gjet si shkak hedhja e një bombe në ish-Ambasadën e Bashkimit Sovjetik për të nisur spastrimin e njerëve të ditur specialistë në fusha të ndryshme, që dyshoheshin si kundërshtarë të sistemit komunist. Duke analizuar se çfarë personifikonin të pushkatuarit 26 shkurtit 1951, u kuptua qartë se që të gjithë ishin rrethuar nga lapsi i kuq dhe pritej vetëm momenti që tu dorëzoheshin për pushkatim agjentëve të Sigurimit të Shtetit. Formimi profesional i shumë prej të pushkatuarve tregoi se nuk ishte vetëm një krim i zakonshëm nga dosja e zezë e komunizmit, por plumbat e derdhur mbi trupin e 22 personave sunonin të vrisnin frymën antikomuniste.  Ditën e djeshme të afërm të viktimave përkujtuan 67 vjetorin e krimit të rëndë në fshatin Mënik të Tiranës. Buzë një kodrine në këtë fshat natën e 26 shkurtit 1951 u pushkatuan pa gjyq, pas pesë ditësh tortura të rëndë çnjerëzore që kaluan në hetuesi.

 

Kush ishin 22 intelektualët e pushkatuar

Sabiha Kasimati, 38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo vendosi të kthehej në atdhe. Punoi në Institutin e Shkencave, duke qenë i njohur kontributi i saj në këtë fushë.

Tefik Shehu, 39 vjeç, i lindur në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për Ekonomi, Financë dhe Drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945, u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, ishte urdhër i prerë për t’u pushkatuar.

Pjerin Guraziu, 45 vjeç, i lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën Tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef Finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946.

Jonuz Kaceli 43 vjeç, u lind në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulturë, art etj. Ai u dërgua në gropën e vdekjes, pasi ishte vrarë më parë nga torturat.

Anton Delhysa,  47 vjeç. U lind në Prizren, specialist ndërtimi, kreu me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulcit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të Shkollës Teknike të Fulcit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës, drejtoi punimet për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për Spitalin në Gjirokastër, për fabrikën e tullave në Vorë etj.

Haki Kodra, 30 vjeç. U lind në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për Ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik deri në vitin 1951 kur u pushkatua.

Gafur Jegeni, 41 vjeç. U lind në Dibër. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935-1937, komandant i kufirit bregdetar në Shqipëri. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria.

Myftar Jegeni, 36 vjeç. U lind në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët. pasi e arrestuan e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi si llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë.

Manush Peshkëpia, 39 vjeç, poet, patriot, me origjinë nga Gjirokastra, u lind në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën, Poradecin, Koliqin, Kutelin etj.

Reiz Selfo, u lind në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera.

Qemal Kasaruho, 49 vjeç. U lind në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja, Në vitet ‘20-‘40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave, ndër kohë mori pjesë në luftën kundër pushtuesve italo-gjerman. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut.

Zyhdi Herri, 35 vjeç. U lind në Tiranë. Studioi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Ç. Pas luftës, kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” në Tiranë.

Gjon Temali, 47 vjeç. U lind në Shkodër. Në vitet ‘40 studioi për Farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës.

Petro Konomi, 30 vjeç. U lind në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi, në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Ç. Pas luftës u emërua në ATSH.

Niko Lezo, 50 vjeç. U lind në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Ka kryer Universitetin e Tuluzës në vitin 1921. Më 1923, ngriti të parin laborator kimik në Tiranë. Po atë vit, zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940, arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës punon sërish kimist në laboratorin, tashmë nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Pandeli Nova, 59 vjeç. U lind në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944, u mor me tregti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Ç. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare.

Thoma Katundi, 64 vjeç. U lind në Katund të Korçës. Ish-“Vatran” në SHBA.

Mehmet Shkupi, 58 vjeç. U lind në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish-pronar me arsim të mesëm dhe me profesion nëpunës kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i legatës franceze dhe se zhvillonte veprimtari terroriste.

Ali Qoraliu, 61 vjeç. U lind në Tiranë. Tiranas i pasur. Jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës, ka përkrahur Ballin Kombëtar, ndaj u burgos nga regjimi komunist.

Fadil Dizdari, me origjinë nga Shkodra, u lind në Kavajë, Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. U arrestua dhe u pushkatua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, apo “armik i Pushtetit Popullor”.

Hekuran Troka, 32 vjeç. U lind në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë është shënuar “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “terrorist”.

Lluka Rashkoviç, 51 vjeç. U lind në Mal të Zi. Ka ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Gjatë kohëve të ndryshme u mor me transport udhëtarësh, në Shqipëri e Ballkan, jashtë çdo rryme politike.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here