4-vjeçarja e internuar dhe fisnikët e Kalasë së Beratit

0
379
blank

Ishte një natë e ftohtë dhjetori kur Xhani 4-vjeçare u gjend papritur në një shtëpi në Kalanë e Beratit. Nuk e dinte pse kishte lënë shtëpinë e saj në Tiranë, pse ishte zhvendosur në një banesë të re në një tjetër qytet. Ajo nuk e dinte se çfarë jete e priste, nuk e dinte se kishte pak ditë që kishte mbetur jetime. Babai i saj Manush Peshkëpia, ishte pushkatuar nga regjimi komunist me 21 intelektualë të tjerë. Do ta mësonte fatin e saj duke u rritur nëpër internime. Vajza e vogël Xhani, bashkë me vëllain e saj Gëzimin, që ishte pak më i rritur, nënën dhe gjyshen, u internuan në Kalanë e Beratit. Ishin vendosur në shtëpinë e Miti Sanijes. Xhani dukej e lumtur në oborrin e shtëpisë së Mitit. Ndoshta se ishte pritur me shumë dashuri nga ajo familje dhe banorë të tjerë të kalasë. Ajo kishte një vend të preferuar në oborrin e shtëpisë, ishte një pemë mani ku luante gjithë ditën….

Këto janë sekuenca të shkurtra që kanë mbetur në kujtesën e asaj shtëpie në Kalanë e Beratit, që na i rrëfen Parashqevia, bashkëshortja e djalit të Miti Sanijes.

Është një histori mjaft emocionuese kjo e marrëdhënies mes të internuarve dhe banorëve të Kalasë së Beratit. Është e ndryshme nga shumë vende të tjera ku jetuan në internim, familjet e atyre që quheshin kundërshtarët e regjimit komunist. Ata që jetuan të internuar në lagjen ‘Kala’ e ‘Mangalen’ kanë mirënjohje të thellë për beratasit. E gjen në rrëfime të shumë prej të mbijetuarve të kampeve të internimit. Nuk u fyen e nuk u përbuzën siç iu kishte ndodhur kur ishin larguar me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Kur dëbohej në internim familja e një të dënuari politik, ndodhte shpesh që lagjia e përcillte me një gjyq të shpejtë me brohoritje për partinë e parulla kundër “të deklasuarve”. Ishte një skenar i përgatitur nga regjimi për të legjitimuar krimin.

Historia e Kalasë së Beratit është krejt e kundërta. Janë familjet e kësaj lagje, por edhe të tjera të këtij qyteti, që kanë dëshmuar fisnikëri të pashembullt në përkrahje të të internuarve të viteve të para të regjimit komunist.

Berati ishte stacioni i parë për të internuarit, që më pas do të shkonin në Turan, Tepelenë e në kampe të tjera të ngritura nga regjimi komunist. Lagjia ‘Kala’ ishte një ndër pikat ku ishin vendosur të internuarit. Ka ngjarje interesante që e kanë shënjuar jetën e tyre të mjerë në internim. Janë ngjarje që i gjen nëpër kalldrëmet e Kalasë së Beratit edhe sot.

Në hyrje të lagjes ‘Kala’ është bujtina e Koço Plakut. Atje kërkuam informacion për shtëpitë ku kishin jetuar të internuarit. Koço kishte dëgjuar shpesh për këtë histori,  nuk dinte shumë detaje, por dinte me siguri se ishin disa prej shtëpive ku kishin qëndruar të internuarit. Na tha se shumica e këtyre shtëpive ishte e braktisur, përveç njërës. Është shtëpia e Miti Sanijes.

Mikpritja

Fisnike, e qetë dhe shumë mikpritësë është Parashqevia, gruaja e moshuar që mban hapur portën e shtëpisë së Miti Sanijes në ‘Kala’. Jeton vetëm sepse fëmijët i ka në emigracion. Nuk na njihte dhe shprehu pak çudi kush ishim, por menjëherë na ftoi të hynim brenda. E informuam pse ishim atje, “na kanë thënë se në këtë shtëpi kanë jetuar të internuar në kohën e komunizmit”…

“Eh moj bijë, po më pyesni për Xhanin…?”

E ka fjalën për vajzën e vogël, vetëm katër vjeç që kishte qenë e internuar në atë dhomë ku po bisedonim. Nis menjëherë të na rrëfejë ndërkohë që është duke na servirur gliko mandarine dhe liko, siç dinë vetëm gratë e Kalasë t’i bëjnë.

Na thotë se në atë dhomë kanë jetuar ditë të vështira edhe fëmijë të tjerë, gra e pleq të familjeve të internuara. Parashqevia flet shumë ngadalë dhe përpiqet të na rrëfejë detaje me saktësi. I ka dëgjuar nga bashkëshorti Llaqi dhe vjehrri i saj Miti Sanija. Aty në tavolinë ka disa albume me fotografi dhe duke folur, nis e i shfleton. I dridhen duart dhe përlotet vazhdimisht. Ndërkohë që shfleton albumet, na tregon se cilat familje kanë qëndruar pranë shtëpisë së saj kur ishin në internim. Na flet edhe për shtëpitë e tjera të Kalasë ku kanë qëndruar të internuarit. Një ndër to është edhe shtëpia e Haxhistasëve.

“Në shtëpinë tonë kanë qenë disa familje të internuara. Ka qenë familja e Markagjonëve të Mirditës, familja e Manush Peshkëpisë e të tjera që tani s’më vijnë në mendje, por kanë qenë edhe hebrenjtë. Mbaj mend kur shkova nuse në shtëpinë e tim shoqi, vjehrri Miti na rrëfente me shumë dhimbje kohën kur familjet e internuara ishin vendosur në kala. Ai na thoshte se ishin njerëz shumë të mirë, shumë të kulturuar dhe ‘na vinte shumë keq për ta, por s’kishim si t’i ndihmonim’”.

E ndërpret rrëfimin për të na treguar fotografinë që po kërkonte. Mezi e gjen mes dhjetra fotografish të vjetra, bardh e zi. 

Xhani lozonjare, katërvjeçarja e internuar në Kala

Është portreti i një vajze të vogël me dy bishtaleca që pozon e qeshur në oborrin e shtëpisë së Mitit. Është Xhani, vajza e vogel 4-vjeçare e Manush Peshkëpisë, e cila bashkë me nënën e saj, vëllain Gëzimin dhe gjyshen, kishin qëndruar për disa muaj në Berat për t’u nisur më pas në kampin e internimit në Kavajë.

“Ishte katër vjeç atë ditë kur u largua nga shtëpia jonë në kalanë e Beratit dhe mori rrugën për të ikur në Kavajë… Këtë fotografi e kemi gjetur gjetur në materialet personale të Mitit shumë vite më pas, kur u nda nga jeta. E kishte fotografinë e Xhanit bashkë me ato të fëmijëve të tij, i mbante në portofol”, rrëfen Parashqevia.

Ajo rrëfen se Xhani, fëmija lozonjar i Peshkëpive kishte qenë shumë e dashur për familjen e Miti Sanijes.

“Kur shkova nuse në atë shtëpi, Xhani dhe familja e saj kishin pak kohë që ishin larguar dhe familja e tim shoqi i kujtonte shpesh. Llaqi ishte në moshë të përafërt me Gëzimin dhe me të kishte lidhur miqësi. Më ka rrëfyer disa herë dhimbjen e asaj ditë kur u nisën për në Kavajë dhe më thoshte se i përcollëm deri te lumi…”.

Kthim pas internimit

Pas Beratit Xhani shkoi në Kavajë ku qëndroi për shumë vite në internim. Pas rënies së komunizmit, fitoi lirinë bashkë me familjen e saj e shumë shqiptarë të tjerë që u dënuan e persekutuan gjatë regjimit komunist. Ajo u largua në emigracion, por kurrë nuk e harroi shtëpinë e Miti Sanijes në Berat.

U kthye atje në vitin 1996. Miti kishte ndërruar jetë, por ishin aty familjarët për ta pritur me aq mall vajzën me bishtaleca që iu kishte lënë një brengë në zemër kur u largua drejt një jete shumë më të vështirë.

“Ia treguam fotografinë kur ishte katër vjeç dhe i thamë se e kishim gjetur në xhepin e portofolit të Mitit, bashkë me fotografitë familjare. Xhani e shkretë u përmallua dhe qau shumë… Na rrëfeu vuajtjet e saj… e sa kanë vuajtur moj bijë…”, rrëfen mes lotësh Parashqevia.

Ajo e kujton me shumë mall dhe na jep këtë fotografi ku Xhani, tashmë grua, shfaqet e qeshur si atëherë në qoshen e dashur për të, në Kalanë e Beratit. Parashqevia thotë se atë ditë, Xhani vizitoi thuajse të gjitha shtëpitë e Kalasë dhe se kthehet shpesh për t’i takuar.

Dëshmi për mirënjohje

“E ruaj në kujtesë sjelljen e qytetarëve të Beratit me ne familjet e internuara. Ruaj konsideratë të lartë dhe respekt për beratasit, të cilët jo se kishin mundësi shumë të na ndihmonin, por përpiqeshin shumë dhe ne e dinim se po të kishin mundësi do na ndihmonin edhe më shumë. Ata nuk na shanin siç ndodhte në vende të tjera, nuk na fyenin e nuk na përbuznin. Ishte interesante… ndoshta edhe për shkak se ishte fillimi, por unë e ruaj në kujtesë e do ta ruaj gjtihmonë konsideratën e lartë për beratasit. Ishte lagjia ‘Kala’, ‘Mangalen’ dhe të tjera vende. Kur ikëm na dhanë ç’mundën, veshje e ushqim sa patën mundësi. Ne do të niseshim drejt Tepelenës”, rrëfen Aziz Ndreu, i mbijetuar i kampit të internimit në Tepelenë. Ishte vetëm 14 vjeç kur shkoi në Berat për të vazhduar më pas vuajtjet në Turan, Tepelenë e në të tjera kampe internimi.

Klora Merlika ishte 15 vjeç kur shkoi në Berat në internim. Ajo e mban mend shumë mirë se çfarë ndodhi atje. Na tregon se ruan mirënjohje të thellë për Beratin sepse ata u sollën shumë njërëzisht me të internuarit.

“Një bukë dhe një kovë e vogël me qumësht në derën e kasolles tonë, ishte sikur na i solli Zoti. I gjetëm në derën e kasollës dhe kurrë nuk e morëm vesh njeriun që na i solli. Ishim shumë të uritur. Unë bashkë me nënën, vajzat e xhaxhit e nusen e xhaxhait tim që mbante foshnjen e saj disajavëshe në dorë, ishim vendosur në atë kasolle. Racioni që na jepnin ishte shumë i vogël dhe ne ishim vazhdimisht të uritur. Kurrë s’e harroj atë ditë kur hëngrëm bukë me qumësht… Banorët e Beratit na kanë ndihmuar shumë dhe unë ndjej sot e kësaj dite mirënjohje për ta. Mbaj mend që herë pas here na jepnin ushqim përmes fëmijëve të tyre, që të mos binin në sy, sepse po t’i shihte roja se na ndihmonin, pastaj do të kishin telashe”, rrëfen Klora Merlika.

Klora qëndroi për pak muaj në Berat dhe bashkë me gratë e familjes Miraka, një ndër më të persekutuarat, u nisën drejt kampit të Tepelenës. Klora jetoi për katër vite në Tepelenë dhe për gati 40 të tjera nëpër kampet e internimit në Saver, Plug e Gradishtë të Lushnjes. Shkoi fëmijë dhe u kthye plakë nga internimi.

Miti Sanija, familja e tij dhe familjet e tjera të Kalasë së Beratiti nuk i përbuzën të internuarit, përkundrazi i ndihmuan sa mundën, i respektuan duke i mbajtur në kujtesë si njerëz shumë të mirë e të kulturuar. Sot duket kaq e thjeshtë, por në atë kohë ishte shumë e vështirë.

Ka shumë të mbijetuar të kampeve komuniste që shprehin megjithë shpirt, mirënjohje për beratasit sepse i deshën atëherë kur gjithkush i përbuzi./Mapo.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here