1984/Ekzekutimi barbar i Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, të lidhur me zinxhirë dhe me gojën mbyllur me lecka

0
2499
blank

“Kjo këmishë o vishet sot, o kurrë” i thotë Nikollë Prenga mikut të tij, Tom Ndoja, kur të dy ata dhe qindra të burgosur politikë që vuanin dënimin në kampin e Qafë Barit, për pak orë u bënë zotër të atij vendi. Ato orë që nisën në mëngjesin e 22 majit 1984, të burgosurit u ngritën në revoltë kundër dhunës së pandërprerë të policisë së kampit, drejtuar nga Edmond Caja. Ata refuzuan të dalin në punë dhe morën mjete rrethanore, duke iu kundërvënë policisë. Në një moment, disa të burgosur hyjnë në magazinë dhe Tom Ndoja merr një kostum. Shoku i tij Nikollë Prenga i jep këmishën e tij dhe i thotë  “Kjo këmishë o vishet sot, o kurrë”. E vërteta ashtu ishte. Ai e veshi atë këmishë për herë të fundit në jetën e tij. Vetëm disa ditë më vonë, Tom Ndoja do të pushkatohej si një nga organizatorët e revoltës bashkë me Sokol Sokolin.

Kujto.al sjell dokumentet e datës 9 qershor 1984 se si u pushkatuan djemtë e revoltës së Qafë Barit në mënyrën më mostruoze të lidhur me zinxhirë dhe me gojën mbyllur me lecka.

Pasi revolta e Qafë-Barit u shtyp, pjesëmarrësit më të spikatur u arrestuan dhe u dënuan. Pasi çështja u rikthye njëherë për gjykim, me vendimin nr.3, datë 3.6.1984 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me veprim në Pukë, me kryesues Lili Robon dhe prokuror Skënder Brecën, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi:

1-Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim

2-Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim

3-Sokol Progri, me 25 vjet burg

4-Vllasi Koçi, me 25 vjet burg

5-Martin Leka me 16 vjet burg

6-Haxhi Baçinozi, me 21 vjet burg

7-Bajram Vuthi, me 15 vjet burg

8-Ndue Pisha, me 25 vjet burg

9-Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg

10-Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg

11-Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg

12-Hysen Tabaku, me 11 vjet burg

Për të gjithë, vuajtja e dënimit fillonte më 22.5.1984. Të pandehurit Sokol Progri, Lush Bushgjoka dhe Ndue Pisha për akuzën e tradhtisë ndaj atdheut u deklaruan të pafajshëm.

Për dy të dënuarit kryesorë thuhej:

-Tom Kolë Ndoja, lindur në Kllogjen të Shkodrës, në vitin 1952, arrestuar më 11.3.1978. Gjykata e Rrethit Pukë, me vendimin nr.63, datë 21.11.1978, e deklaroi fajtor në një proces të zhvilluar në Fushë-Arrëz për agjitacion e propagandë e sabotim. I ishte kundërvënë politikës së partisë në fushën ideologjike të mbrojtjes e për këtë arsye ishte dënuar me 25 vjet burgim.

-Sokol Zef Sokoli, lindur në Tropojë në vitin 1949, arrestuar më 31.12.1980. Pas disa vendimesh të kthyera, me vendimin nr.20, datë 27.3.1981 Gjykata e Rrethit të Tropojës e deklaroi fajtor për akuzën e tradhtisë ndaj atdheut dhe dënoi me 15 vjet burgim.

Ekzekutimi i të dënuarve me vdekje

Presidiumi i Kuvendit Popullor, me shkresën nr.888/1, datë 7.6.1984 njoftoi se ishte refuzuar falja e jetës për të dënuarit e revoltës së Qafë-Barit. Menjëherë, ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, nxori urdhrin nr.658/1, datë 8.6.1984. duke ngarkuar me ekzekutimin e vendimit Degën e Punëve të Brendshme Shkodër, e cila në fakt ishte jashtë juridiksionit të Repartit nr.311 Qafë-Bari. Të nesërmen e urdhrit, drejtori i Drejtorisë Zbatim Vendime Penale në MPB, shkroi me shkrim dore në këtë shtesë në shkresë “Me porosi të sh.ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”.

Të nesërmen, DPB Shkodër hartoi planin e masave për kryerjen e ekzekutimit në vendin ku ishin antenat afër fshatit Kuç. Ky ishte një vend i rrethuar në formë rrethi. Për çdo të ekzekutuar caktohej një ekzekutor. Më 9.6.1984, ora 24.00, Dega e Punëve të Brendshme Shkodër, ekzekutoi vendimin. U ngarkua një grup i përbërë nga shefi i Policisë Reshat Gjyli, prokurori Ismet Haxhia, hetuesi Shyqyri Çoku, mjeku Mihal Nano, sekretari Qamil Rama.

Për sigurimin e vendit të ekzekutimit u caktuan: Bajram  Shima, Bujar Sharko, Sadik Meçe, Rushit Tusha, Asim Dyli. Të dënuarit u lidhën me duar prapa e me zinxhirë në duar e këmbë. Në gojë iu vendosën lecka për t’i ndaluar të bërtiturat.

Kësisoj të dënuarit janë çuar drejt gropës së antenave në formën më të poshtër të mundshme. Të lidhur ngado e me gojë të mbyllur. Asim Dyli dhe Dervish Miho hapën gropën e varrit. Këta dhe Ferik Sina, Aben Zyku dhe dy varrmihës ruajtën varrin deri orën e ekzekutimit. Ekzekutimi u krye nga nënoficerët Myftar Rama dhe Petrit Gjini. Ndryshe nga rastet e tjera, ata u ekzekutuan në gjoks e jo në kokë. Në fjalën e fundit, i dënuari Sokol Sokoli kërkoi të mos vritej pas shpine ndërsa u shpreh se nuk i kishte bërë gjë kujt.

Eshtrat e tyre u gjetën në vitin 2011, në kohën kur u inventarizua skema e varrimit, ndër të rrallat e trashëguara në arkivat tona.

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here