1977/Internimi 10-vjeçar i familjes Blloshmi

0
222
blank

Tri ditë para ekzekutimit të poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, familja Blloshmi u zhvendos nga vendlindja e tyre Bërzeshtë në Polis Qendër dhe Polis Gostimë të Rrethit të Librazhdit. Diktatura hakmerrej në mënyrë të skajshme ndaj tyre.

Me vendimin nr.10, datë 14.7.1977, Komisioni i Veçantë i Internim Dëbimeve, i cili vepronte në bazë të dekretit nr.1906, datë 2.8.1954, i ndryshuar, vendosi internimin e një grupi të madh personash. Në grupin e parë ishin pjesëtarë të familjeve që kishin të arratisur jashtë vendit, gjithsej 12 persona në rrethin e Tiranës. Në grupin e dytë internoheshin në Ndërmarrjen Bujqësore Kotë të Vlorës, 7 persona të cilët të afërmit i kishin pasur me Ballin Kombëtar.

Në këtë grup dhe për të njëjtin motivacion, internoheshin edhe pjesëtarë të familjes Blloshmi nga Bërzeshta. Në motiv nuk thuhej asgjë se shkak ishte dënimi i Vilson dhe Bedri Blloshmit.

Artikulimi i justifikimit të vendimit ishte si vijon:

“Për arsye se janë me përbërje të keqe politike vetë, pse pjesëtarët e familjes së tyre kanë bashkëpunuar me okupatorët fashistë dhe me organizatën e Ballit, si dhe kanë qenë të dënuar për veprimtari armiqësore dhe se aktualisht nuk mbajnë qëndrim të mirë politik, të internojë për 5 vjet kohë, personat e poshtëshënuar (sipas numrave që mbajnë personat e familjes Blloshmi):

8-Hasan Selman Blloshmi, i vitlindjes 1926.

9-Fitnete Ismail Blloshmi, e vitlindjes 1926, lindur në Debrovë të Pogradecit, gruaja e Hasanit.

10-Hyni Hasan Blloshmi, i vitlindjes 1950.

11-Hamdi Hasan Blloshmi, i vitlindjes 1952.

Internoheshin në Polis Qendër të kooperativës bujqësore të bashkuar Mirakë.

12-Sami Selman Blloshmi, i vitlindjes 1930.

13-Nadire Sadik Blloshmi, e vitlindjes 1923, lindur në Debrovë të Pogradecit, gruaja e Samiut.

14-Selman Sami Blloshmi, i vitlindjes 1954.

15-Nazmi Sami Blloshmi, i vitlindjes 1956.

16-Alida Sami Blloshmi, e vitlindjes 1958.

17-Diana Abedin Blloshmi, e vitlindjes 1955, gruaja e Vilson Blloshmit.

18-Bukurosh Semman Blloshmi, i vitlindjes 1933.

19-Nadire Niazi Blloshmi, e vitlindjes 1939, lindur në Çezmë të Pogradecit, gruaja e Bukuroshit.

20-Estref Selman Blloshmi, i vitlindjes 1937

Internoheshin në Polis Gostimë të kooperativës bujqësore të bashkuar Mirakë.

Lista vazhdonte me të njëjtin zë, me Ylber Merdanin, ndërsa grupi i fundit ishin kontingjente të policisë.

Kanë nënshkruar vendimin kryetari (zëvendëskryeministri Manush Myftiu), zëvendëskryetari (ministri i Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu), dhe anëtarët (prokurori i përgjithshëm Rrapi Mino dhe kryetari i Gjykatës së Lartë Aranit Çela).

Vendimi i dytë për internim

Komisioni i Internimit dhe i Dëbimit, me vendimin nr.6, datë 21.5.1982 mori një masë tjetër për internimin e familjes Blloshmi. Koha e këtij internimi ishte nga data 14.7.1982 e deri më 14.7.1987 (në origjinal është shkruar gabim data 14.2.1987). Pjesëtarët e kësaj familjeje janë në numrat rendorë 16-25. Listohen emrat e: Samiut, Nadires, Selmanit, Nazmiut, Fitnetes, Hysniut, Hamdiut, Bukuroshit, Nadires dhe Estrefit. Më parë ishin liruar Alida për shkak martese dhe Diana me vajzën e vogël. Vendi i internimit ishte po i njëjti.

Kanë nënshkruar vendimin kryetari (zëvendëskryeministri Manush Myftiu), zëvendëskryetari (ministri i Punëve të Brendshme Hekuran Isai) dhe anëtarët (prokurori i përgjithshëm Rrapi Mino dhe kryetari i Gjykatës së Lartë Aranit Çela).

Motivi i internimit këtë herë ishte i ndryshëm nga ai i herës së parë:

“Personave të sipërm, t’u zgjatet masa e internimit dhe për 5 vjet kohë, për arsye se Samiu ka qenë i dënuar me 8 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë; i vëllai Hasani ka qenë i dënuar me 15 vjet si strehues diversantësh dhe në vitin 1977 është dënuar përsëri me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë; dy djemtë e Samiut, Vilsoni e Bedriu, u dënuan përkatësisht në vitin 1977: i pari me pushkatim dhe u ekzekutua kurse i dyti me 25 vjet heqje lirie për sabotim. Kanë dy kushërinj të parë të pushkatuar për krimet e kryera gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe një tjetër të arratisur në Jugosllavi. Në ngarkim të Samiut, djalit të tij Selmanit dhe dy vëllezërve, Bukuroshit dhe Estrefit, kanë dalë të dhëna se zhvillojnë veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit e të propagandës, e për Selmanin dhe Estrefin ka dyshime të kenë edhe tendencën e arratisjes”.

Veç persekutimit të njohur, kësisoj, familja Blloshmi kreu edhe një periudhë 10-vjeçare internimi.

Diana u lirua para kohe me vendimin nr.5, datë 15.5.1978 të Komisionit të Veçantë të Internim Dëbimeve (nr.33 i listës së të liruarve).

 

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here