Kthim në vendin e vuajtjeve / Ish-të internuarit takohen në Savër

0
602
blank

Në kujtim të së shkuarës së tyre, por edhe në nderim të bashkëvuajtësve që nuk jetojnë, ish-të internuarit u mblodhën më 21 gusht në Lushnjë, pranë memorialit kushtuar familjeve të internuara. Përmes kujtimeve, ata sjellin fragmente të jetës së vështirë që përballuan për vite me radhë

 

Në një memorial ku janë shkruar mbiemrat e familjeve të internuara në Shqipëri, që ngrihet në qytetin e Lushnjës u mblodhën sot së bashku dhjetëra persona që vuajtën internimet dhe dëbimet gjatë regjimit komunist.

blank

Shumë prej tyre rrëfejnë historitë ndërsa në sfond duken këmbët e zbathura të memorialit që tregojnë vuajtjet, dhimbjet dhe sakrificën e përjetuar të këtyre familjeve.

Tina Çeliku nga Kukësi thotë se u internua në Savër që në 1959 dhe kaloi deri në vitet nëntëdhjetë vitet e jetës kur regjimi komunist u shemb.

“Deri në vitet nëntëdhjetë ne kemi qenë në Savër. Kemi qenë jetimë vetëm me mamanë. Kemi lindur në Gjirokastër, babanë e kemi pasur tregtar, edhe sot e kësaj dite nuk ia dimë eshtrat ku i ka. Kur kemi ardhur në 1959 në Savër nuk kishim strehim, kemi ndenjur në kazermat e grave dhe burrave, siç quhej dhe është edhe sot. Atje kemi jetuar për disa vite. Pastaj mamaja u fut në punë dhe edhe ne si fëmijë të vegjël punonim dhe e ndiqnim mamanë nga pas”, thotë ajo.

Së bashku me nënën, tri motrat dhe një vëlla Tina thotë se asnjëherë nuk i reshtën dëshirat për jetën megjithëse ishin në kushte të vështira dhe sidomos ëndrrën për shkollim.

“S`të linte biografija të shkolloheshe, bile shkolla e mesme në vitet në vazhdim u ndalua për të persekutuarit. Motra ime ndërhyri sa me zor për vëllanë që mbaroi të mesmen ëndrra e tij ishte të vazhdonte por aty mbetëm”, thotë ajo.

Ndërsa Beqir Sina që sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thotë se në Savër kaloi 32 vite të jetës së tij. Ai madje ka lindur në këtë ish-kamp, pasi nëna e tij u internua kur ishte 7 muajshe shtatzënë.

"Unë sot jam 64 vjeç dhe 32 vite i bëra në Savër. Prej vitit 1957 unë jam i dënuar që në barkun e nënës pasi nëna ishte shtatzënë 7 muaj kur na internuan në Savër", thotë zoti Sina.

Arratisja e babait thotë zoti Sina sollin internimin e familjes sipas ligjeve të kohës. Beqiri thotë se takime të tilla sjellin kujtimet e jetës në internim, por edhe nderimin për qindra e mijëra që nuk jetojnë më.

“Bashkohemi dhe njeherë, ngjallim kujtimet tona dhe diskutojmë me njëri - tjetrin duke sjellë ato që kemi përjetuar. Përveç vështirësive që ka pasur kampi i internimit kemi pasur edhe gjërat e bukura të jetës qe i kujtojmë së bashku. Kujtojmë dhe ata që nuk jetojnë sot, që na vjen keq shumë që kanë humbur jetën. Kemi një pjesë prej tyre që kanë ikur shumë të rinj në moshë që nuk e gëzuan lirinë dhe demokracinë", thotë ai.

Kadri Pregjoni nga Tropoja thotë se kaloi jetën në ish-kampet e internimit në Lushnjë familjarisht nga vitet 1958 deri në vitin 1992.

“Kur erdhëm në Savër ishim baba, nëna, tre vëllezër dhe atje na lindën edhe një vëlla tjetër dhe dy motra. Dihet fëmijë shumë, vuajte shumë deri sa u rritëm", thotë zoti Pregjoni.

Ndërsa Bedrie Kaba thotë se erdhi në Savër dy vjeç dhe shpëtoi nga internimi më 1987 prej martesës së saj.

"Unë kam ardhur në moshën dy vjeç dhe largimi ishte që u martova në 1987 në Berat dhe atë ditë e kam quajtur dita e lirisë sime. E kam provuar në shpirt dhimbjen që të krijonte ai sistem. Jam ndoshta njeri i ndjeshëm, por të bënte të ndjeshëm. Lufta e klasave, veçimi dhe shumë gjëra të tjera", thotë zonja Kaba.

Simon Mirakaj erdhi në Savër, në vitet 1953 kur u mbyll kampi famëkeq i Tepelenës dhe kaloi me familjen një pjesë të dhimbshme të jetës së tij.

"Fillimisht jemi internuar në Berat në 1945 dhe me prishjen e marëdhënieve me Jugosllavinë na hoqën nga kampi Beratit në Kalanë e Beratit. Më pas na sollën në Tepelenë, fillimisht në Turan. Ishin dy kazerma ndërtuar nga italianët, por ishin përdorur si stane për bagëtitë dhe atje nga mungesa e higjienës dhe ushqimit vdiqën brenda 24 orëve 30 fëmijë. U alarmua Ministria e Brendshme dhe na hoqën nga Turani dhe na çuan në Kampin e Tepelenës. Atje ishte një vend i rrethuar me tela me gjemba ku vazhduan vdekjet. Pas vdekjes së Stalinit në 1953 na hoqën nga Tepelena dhe na prunë në Savër. Lushnja ishte një vend bujqësor që kishte nevojë për krah pune", thotë zoti Mirakaj.

Askush nuk largohej dot pa leje nga kampi. Apeli bëhej çdo ditë, e në raste festash edhe disa herë në ditë, thotë zoti Mirakaj.

"Shkonte gjithë viti me tre herë apel në ditë. Jemi liruar më 4 korrik të 1989-ës dhe t`i mbledhësh të gjithë vitet nga 1945 deri në 1989 janë 44 vite në kampe internimi", thotë ai.

Në Savër të Lushnjës, një nga ish-zonat e internimit tani ka ende gjurmë të barakave të vjetra ku jetonin ata që regjimi komunist i shpallte si armiq të popullit. Barakat dëshmojnë ende kushtet çnjerëzore të jetesës dhe në to, ndonëse të braktisura, ka ende gjurmë të jetës së familjeve gjatë regjimit komunist.

Ndonëse në këto vite ka pasur përpjekje nga shoqatat e të persekutuarve për t`i kthyer këto vende në zona të kujtesës, ato po shuhen. Me jetën e barakave plot histori vuajtjesh, por edhe dritë lirie, në Savër përzihet tani jeta e re e banorëve edhe mes dasmave dhe gëzimit.

Marrë nga zeriamerikes.com

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here