35 vjet burg / “T’i jepje dorën atij, ishte si të merrje një bekim”

0
373
blank

“…po lirohej një nga monumentet e burgjeve komuniste shqiptare…I arrestuar qysh më 1945-ën... Quhej Haxhi Mekolli...ishte i kthjellët, ende i fortë…Nuk mbaj mend të jetë përcjellë tjetërkush me më shumë dashuri dhe respekt nga të burgosurit e Spaçit. T’i jepje dorën atij, ishte si të merrje një bekim”

Një nga të këqijat me të cilat u mësuan të dënuarit politikë në diktaturë ishte ridënimi. Kjo do të thoshte që ata nuk kishin më të drejtë as për të ëndërruar rreth datës së lirimit.  Nuk mund të ishin të sigurt që do të dilnin nga burgu kur u mbaronte dënimi. Sa të vinte ajo datë, mund të ndodhte diçka dhe ta gjenin veten të ridënuar. Mund të ridënoheshin madje edhe ditën e lirimit, siç kishte ndodhur. “…një shkodran me emrin Paulin, e patën arrestuar pikërisht në ditën e lirimit, sapo kishte dalë nga porta e madhe e Spaçit”, shkruan Maksim Rakipaj në librin e tij “I mbijetuar”. Por mund të arrestoheshin edhe pak muaj më vonë, për ta bërë lirinë disamujore, mes disa dhjetëvjeçarësh burg, të dukej më tepër si ëndërr sesa si realitet. Kështu i kishte ndodhur edhe Haxhi Mekollit, një nga të dënuarit që ka vuajtur më gjatë në burgjet e komunizmit.

Ai u dënua dy herë, herën e parë nga viti 1945 në 1959 dhe herën e dytë nga viti 1959 në vitin 1980. Në këtë hark kohor prej 35 vitesh, Haxhiu ishte jashtë burgjeve vetëm në periudhën 19 korrik-2 nëtor 1959, edhe atëherë i internuar. Të dyja herët është dënuar me Sami Dangëllinë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Kastriot Dervishi, komunistët i kishin vrarë babanë, Haxhiut. Ai ishte rreshtuar në radhët e Ballit Kombëtar, siç kishte bërë, për një vit, edhe Sami Dangëllia dhe u arrestua më 18.6.1945, duke u akuzuar për krime të kryera gjatë luftës dhe se kishte përçarë popullin e Devollit. U dënua me vdekje, por me vendimin nr.367, datë 12.11.1945 të Gjykatës së Lartë Ushtarake, vendimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Megjithatë, Mekolli u lirua në vitin 1959. Vetëm për 3 muaj e gjysmë. Sami Dangëllia ishte liruar 5 vjet më parë. Ata u takuan në fshatrat e internimit.

Pa asnjë shpresë për jetën në Shqipërinë komuniste, ku pasi i kishin nxjerrë nga burgu, i kishin izoluar në internim, vendosën të arratiseshin. Haxhi Mekolli kishte një vëlla në Australi, ku shpresonte të shkonte nga Greqia pasi të kalonte kufirin, por nuk arritën. U kapën në fshatin Nikolicë dhe u ridënuan me 25 vjet burg secili, duke u bërë kështu shokë jo vetëm në jetë, por edhe në krye të listës së të dënuarve politikë me më shumë vite burg.

Sami Dangëllia u dënua edhe për herë të tretë pas revoltës së Spaçit dhe nuk arriti të dilte gjallë nga burgu. Vitet e tij të dënimit arritën 43: 38 në burg dhe 5 në internim. Kurse Haxhiu arriti të lirohej pasi kreu dënimin e dytë. Ai kishte qëndruar në burg, përjashto atë ndërprerjen e shkurtër midis, plot 35 vjet, 1 muaj e 11 ditë burgim.

Maksim Rakipaj ndodhej në Spaç atë nëntor të 1980-ës, kur Haxhi Mekolli do të lirohej dhe, siç e përshkruan ai, ajo ishte një ditë e rrallë. “…po lirohej një nga monumentet e burgjeve komuniste shqiptare…I arrestuar qysh më 1945-ën... Quhej Haxhi Mekolli, 55 vjeç (sipas disa burimeve 56, ose 57). Ngjante mbi 70, por ishte i kthjellët, ende i fortë…Nuk mbaj mend të jetë përcjellë tjetërkush me më shumë dashuri dhe respekt nga të burgosurit e Spaçit. T’i jepje dorën atij, ishte si të merrje një bekim”, shkruan Rakipaj.

Haxhi Mekolli jetoi edhe 7 vjet pas daljes nga burgu. Ai u nda nga jeta më 1987, në të njëjtin vit si Sami Dangëllia.

a.çano/kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here