1974/ “Kanë përçmuar muzikën popullore”

0
389
blank

Gjithçka që dëgjohej, vishej, thuhej duhej të ishte në përputhje me vijën e partisë. Në të kundërt, përbënte krim që mund të të kushtonte disa vite lirie. Ky dokument, mes shumë të tjerëve, tregon sesi katër të rinj u dënuan me disa vite burg për bisedat e tyre të zakonshme, të fryra edhe me akuza të tjera paranojake

Në një proces të zhvilluar në Tiranë kundër një grupi të rinjsh, gjykata mbështetej në “argumente” se ata e “përçmonin” muzikën popullore, në funksion të pëlqimit të muzikës së huaj. Pavarësisht se çdo gjë kishte kuptimin e vet dhe nuk ishin me lidhje, propaganda e kohës synonte që rastet t’i trajtonte në këtë frymë. Kjo bëhej sepse ishte koha e goditjeve edhe në fushën e kulturës. E si gjithnjë kjo lidhej edhe me çështje sabotazhi, hedhje në erë apo helmimi të popullit. Siç edhe shihet, kjo “formulë” është e barabartë me atë që u pa pak vite më vonë me “grupin e kulakëve të Poshnjës”, të cilët do hidhnin në erë gjoja Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun” (i cili në thelb i hedhur në erë ishte se nuk nxirrte fitime), se dëgjonin muzikën e huaj, etj. Midis të tjerash, në vendim thuhej:

“Gjatë gjykimit u provua se të pandehurit Viktor Laca, Gëzim Kucaj, Klement Prifti dhe Genc Merkoçi, kanë agjituar dhe propaganduar kundër pushtetit popullor. Të katër të pandehurit kanë zhvilluar biseda armiqësore midis tyre si dhe me persona të tjerë... Të katër të pandehurit në fillim kanë biseduar me njëri-tjetrin si dhe me persona të tjerë për modën si dhe jetesën e vendeve kapitaliste dhe revizioniste. Ata kanë lavdëruar modën e vendeve borgjeze si dhe muzikën dhe filmat e tyre me qëllim armiqësor kanë përçmuar muzikën popullore. Ata duke filluar që nga viti 1972, kanë propaganduar duke thënë se në Shqipëri gjendja ekonomike është shumë e rëndë, se rinia nuk lejohet të bëjë qejf dhe të vishet si të dojë, kurse në vendet kapitaliste dhe revizioniste jetohet më mirë, rinia është e lirë të bëjë si të dojë. Gjatë gjykimit u provua se të katër të pandehurit kanë biseduar me njëri-tjetrin për t’u arratisur në jashtë shtetit shqiptar...

Ai (Gëzimi) ka shfaqur mendim që të hidhte në erë kabinën elektrike të fabrikës së bukës dhe të hidhte helm në brumin e bukës ku ai punonte, kurse i pandehuri Klement ka shfaqur mendim se kur të gjente kohën që do të arratisej në Greqi”.

blank

Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr.118, datë 29.3.1974, i deklaroi fajtorë kryesisht për veprën penale të agjitacionit e propagandës (neni 73/1) dhe i dënoi shtetasit: Gëzim Kucaj me 6 vjet heqje lirie, Viktor Lacaj me 5 vjet, Klement Prifti me 4 vjet, Genc Markoçi me 3 vjet, etj. U la në fuqi me vendimin nr.321, datë 23.4.1974 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here