Dëshmia/Kalo Canko: Me babanë në burg derisa mbarova ushtrinë

0
218

Të atin e dënuan tri herë dhe kreu gjithsej 22 vite burg. Pasi doli herën e parë nga burgu, u martua dhe lindi fëmijë, të cilët i pa shumë pak sepse do e dënonin dy herë të tjera me nga 10 vite burg. Ndërkohë fëmijët do të rriteshin pa baba, por si djemtë e armikut duke shkuar aty ku ishte puna më e rëndë dhe duke e mbajtur gjithmonë kokën ulur.

Dëshmia e plotë nga arkiva Doko: 

Z.Kalo, kur keni lindur?

Unë kam lindur më 6 qeshor të ’55-ës.

Po babai kur është dënuar?

Im atë, burgun e parë e ka bërë në ’47-ën, në kënetën e Maliqit.

Përse e dënuan?

Ishte kundër regjimit të asaj kohe, nuk e donte, s’e kishte qejf, e urrente. E dënuan 10 vjet. Ishte amnistia atëherë: bëri dy vjet.

Dy vjet në kënetën e Maliqit?

Në kënetën e Maliqit. Erdhi në shtëpi, u lirua nga burgu. Në ‘50-ën është martuar. Bëri fëmijën e parë, bëri fëmijën e dytë. Në ‘56-ën ka rënë herën e dytë.

Për çfarë e burgosën?

Për agjitacion e propagandë prapë motivi. Në Elbasan, në kanalin Levan-Fier, si ishte ai andej nuk e di se kam qenë i vogël, në Laç. Si përfundim, nga Laçi doli për herën e dytë. Është liruar në ’66-ën. Ndenji një vit. E arrestuan prapë, prapë për agjitacion e propagandë në ’66-ën edhe është liruar si përfundim nga Spaçi në ’76-ën.

Ka bërë 22 vjet burg gjithsej?

Po. Domethënë 10 herën e dytë, 2 radhën e parë, 10 herën e dytë, 10 herën e tretë.

Ju jeni rritur thuajse pa baba...

Po. Për vuajtjet e sakrificat, t’i tregosh...

Çfarë ka treguar babai për vuajtjet në burg?

Çfarë ka treguar... Vetëm skëterrë, i izoluar, punonte, na dërgonte ndonjë lek ne se kur bënte normën 100 për qind, i kishte për vete. Kur merrte ndonjë lek më tepër, ne që mbanim frymën, se ime më ishte... çfarë të bënte më parë?

Si jetonit ju kur babai ishte në burg?

Ne kishin kokën të ulur një herë, mjafton. Të thoshte tjetri, më fal për shprehjen: “Reaksionar i m...t” dhe s’kishe të drejtë të flisje. Në mbledhje, në gjë… as nuk të merrej mendimi fare. Më morën ushtar në xhenio, kam qenë ushtar në Gjadër të Lezhës. Bënim tunel. As pushkë, as asgjë, vetëm lopatë e beton. Çfarë të të them, jetë skëterrë!

Ju trajtonin keq sepse kishit babanë në burg?

Trajtimi më mizerje, çfarë të them unë!

Survejoheshit nga Sigurimi i Shtetit?

Po... Përgjonin nga dera, çfarë lëvizje bëje, ku shkoje, ku punoje.

Çfarë pune bëtë ju?

Punëtor krahu, në minierë, kam punuar 13 vjet. Në minierën e Belshit.  Edhe atje ku punoje, tre veta që ishe, kishte një spiun nga brenda, që çfarë bëje, të dhënat, ku ishe, ku vajte. Edhe kur dilje nga galeria që pije një kafe në mensë, ai që ishte komunist të aneksonte nga tavolina, rrije më vete. “Mos rri me filanin- thoshte- se kështu- kështu”.

Ka pasur tentativa nga Sigurimi për tju bërë bashkëpunëtorë?

Nuk kapte dot tek dora jonë, se ne ishim dorë e fundit. Ishte dora tjetër që kapte... Megjithatë spiunin nga mbrapa e kishe, domethënë çdo lëvizje që bëhej... Kjo ishte e vërteta.

Sa fëmijë ishit ju?

Në jemi tre vëllezër.

Të tre punëtorë punonit?

Punëtorë, e punëtorë krahu, e çfarë të them unë! Megjithatë unë u lirova nga ushtria në ’76-ën, në nëntor. Im atë ishte liruar nga burgu në 18 nëntor të ’76-ës, unë u lirova në dhjetor të ’76-ës nga ushtria. Kur erdha në shtëpi nuk e njihja tim atë. Kupton se çfarë situate ishte? Filluam punë, punonim të survejuar nga Sigurimi i Shtetit, lëvizjet që bëje, punën që bëje. Punonim me zotësi e me djersë, po prapë ishim me kokë të ulur.

Babai jetonte kur ra komunizmi? Si e keni pritur si familje?

Po. Dëgjonim “Zërin e Amerikës”. Kishim një radio të vogël, po të izoluar e të fshehur mos na përgjonte njeri.

Çfarë ndjetë kur e morët vesh lajmin?

Gëzimi më i madh ishte ajo... Megjithatë unë kisha shansin, kisha një vëlla më të vogël, ai qëlloi në Tiranë kur u hapën ambasadat në korrik, në 3 korrik. Hyri atje, “o i gjallë o i vdekur”... Mbeti atje, iku në Ambasadën Gjermane dhe atje është dhe sot, domethënë është fati i tij. Si përfundim, më thirri krytar i Degës, një kuksian. Punoja në minierë. Më thirri këtu në degë. Më tha mua: “Ik në Ambasadën Gjermane se yt vëlla ka tradhtuar atdheun”. Pa ditur asgjë fare se çfarë po bëhej. Vajta si përfundim, ca hynin, ca dilnin nuk ishin të përqendruar. Erdha këtu, mbledhje brigade, mbledhje rinie: Të dënojmë aktin e filanit! Punë e tyre. Sa po vinte, po binte domethënë... Në Tiranë ndihej, po këtu në Ersekë ishte akoma regjimi i tmerrshëm. Si përfundim pastaj, sa vinte e merrte tatëpjetën.

E ndjeu babai kënaqësinë e ardhjes së demokracisë?

Thoshte kështu se është bërë për rrahmet tani: “Shyqyr që arrita këtë ditë. Po tani vete i mbushur”. Domethënë ishte i tiposur.

Përfundimisht ai iu gëzua ditëve të lirisë.

Po, po.

Arriti të fliste lirshëm

Fliste, se edhe njerëzit e mi më kishin aneksuar, nuk më vinte njeri, nuk më hynte në derë.

“Familje e  deklasuar”.

Ju jeni martuar?

Po, me tre fëmijë. Mirë jam shyqyr, tani punoj për veten time. /Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here