1958/Vrasje në kufi, ëndrra amerikane e prerë në mes

0
167
blank

Pjesëtarët e një familjeje, Bilbil Hysen Ogreni, Servet Hysen Ogreni dhe Bajame Hysen Ogreni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, banues në Floq të Korçës, morën vendimin e vështirë të arratiseshin nga Shqipëria në Greqi e prej andej në SHBA. Dëshira e madhe ishte për të shkuar në Amerikë. Në plan kanë qenë për të ardhur edhe dy persona të tjerë. Por historia mbaroi në një formë tragjike, me vrasje dhe burgime.

Serveti punonte në atë kohë në Tiranë. Njëri vëlla i familjes Ogreni ishte internuar. Pjesëtarët e kësaj familjeve, për t’u koordinuar me njëri-tjetrin kanë përdorur telegrame të formës “Skënderja është sëmurë” dhe “Skënderja është shumë sëmurë”. Gjithçka ka ecur mirë sipas planit, por siç duken nga jashtë ngjarjet, dikush i ka spiunuar. Në vendin ku ata prisnin të arratiseshin, ishin vendosur forca të Kufirit dhe Sigurimit.

Më 24.4.1958, vëllezërit dhe motrat Bilbil, Servet, Bajame e Skënderije dhe Naxhi Muharremi iu drejtuan kufirit. Me vete kishin ushqime. Serveti dhe Bajamja sapo mbërritën në vendin e quajtur burimet e Floqit, u kapën nga organet e Sigurimit dhe u mbajtën në vend. Kur mbërriti Bilbili, i cili shoqërohej nga Naxhiu, e pa veten të rrethuar. Bilbili nuk pranoi të dorëzohej dhe u vra nga forcat e Sigurimit dhe të Kufirit. Biblili u fotografua dhe fotoja u dërgua në muzeun e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në të cilin ishte ekspozuar se ishte “vrarë si tradhtar”.

Irfan Elezi bëhej fajtor se ishte në dijeni të planit të arratisjes së Naxhi Muharremit. Irfani akuzohej për “moskallëzim krimi” (neni 226 i Kodit Penal).

Serveti dhe Bajamja u akuzuan në bazë të nenit 64 në kombinim me nenet 10 e 13 të Kodit Penal.

Gjykata Ushtarake Tiranë, me veprim në Korçë, e drejtuar nga kolonel Mit’hat Goskova, me pjesëmarrjen e prokurorit major Tase Koroveshi, me vendimin nr.75, datë 25.7.1958, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi si vijon:

-Servet Hysen Ogreni, i vitlindjes 1935, nga Floqi i Korçës, me 15 vjet burgim, konfiskim të pasurisë, heqjen e dekoratës së punës dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 2 vjet.

-Bajame Hysen Ogreni, e vitlindjes 1943, nga Floqi i Korçës, me 5 vjet burgim, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 2 vjet.

-Irfan Ismail Elezi, i vitlindjes 1933, nga Floqi i Korçës, me 5 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 1 vit.

U la në fuqi me vendimin nr.91, datë 10.9.1958 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë.

Serveti u lirua nga burgu më 25.8.1967; Bajamja dhe Irfani nga një amnisti e përgjithshme më 25.11.1959.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here