Shkurt 1990 / Revolta e Topojanit

0
157
blank

Nuk kishte kaluar as një muaj nga demonstratat e heshtura të janarit 1990 në Shkodër dhe Tiranë, kur në një mbledhje të kooperativës së Topojanit në Përmet, punëtorët kundërshtuan kandidaturën e kryetarit të ri që kishin caktuar njerëzit e pushtetit. Pas këtij kundërshtimi, krejt të pazakontë për kohën, strukturat komuniste u mobilizuan duke iu trembur një revolte të mundshme. Pasojat ishin arrestimet e njerëzve të pafajshëm dhe vetëvrasja e sekretarit të byrosë, i cili guxoi të merrte anën e punëtorëve.

Nga Xhafer Sadiku

Privilegjet dhe hatëret për mbështetësit e regjimit nga njëra anë dhe padrejtësitë e shtypja nga ana tjetër, do të sillnin rrënimin e vetë sistemit. Sa më shumë thellohej kriza e ekonomisë socialiste, aq më të dukshme bëheshin kontradiktat. Efektet gërryese të dukurive negative që për dekada me radhë u ngritën në sistem, do të dukeshin në shkurt 1990, në kooperativën bujqësore të Topojanit.

Atë muaj do të caktohej kryetari i ri i kooperativës bujqësore dhe për t’i dhënë legjitimitet demagogjisë se kuadrot i zgjidhte populli, u thirrën në mbledhje anëtarët e kooperativës bujqësore që përbëhej nga fshatrat Topojan, Delilaj, Leskovec dhe Luarë.

Njerëzit e regjimit u përballën me kundërshtimin e shumicës së anëtarëve të kooperativës, të cilët nuk pranuan të aprovonin kandidaturën për kryetar, atë të diktuar prej tyre. Por sfida më e madhe për ta ishte braktisja që u bëri sekretari i byrosë së Partisë së Punës të kooperativës, Flamur Pashollari dhe kalimi i tij në anën e popullit.

Asaj që dukej një mbledhje e zakonshme, regjimi i dha karakter politik. Në të vërtetë, regjimi i trembej ndonjë revolte të organizuar për shkak se nuk kishte kaluar as një muaj kur në Shkodër ishte demonstruar kundër regjimit, ngjarje e kaluar në heshtje.

Në Topojan zbarkuan krerët lokalë të regjimit dhe për ditë me radhë ushtruan presion mbi popullin, por presioni më i madh ishte mbi sekretarin e byrosë së partisë. Kur e panë se nuk mund të përballeshin me shumicën e popullit, përdorën kombinacione të ngjashme me ato të vitit 1951 në Zëmblak të Korçës, në Lushnjë, apo në Kamëz. Inskenuan natën djegien e një gjysmë mullari dhe për këtë akuzuan disa të pafajshëm. Ata u arrestuan mëngjesin e asaj dite dhe po atë ditë, Partia mori masa ndëshkuese kundër sekretarit të byrosë, Flamur Pashollari.

Duke mos duruar terrorin që ushtruan për ditë me radhë strukturat e regjimit dhe i braktisur nga “shokët” komunistë, vrau veten.

Marrë nga libri "Skenarë të përgjakur Përmeti, 1943-1990", i autorit Xhafer Sadiku, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Në foto: Flamur Pashollari

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here