Mirëmëngjes atdhe!

0
196
blank

"Të përshëndes…edhe pse mbi sfonde telash të ulen agimet…”, janë vargje të poezisë së Gëzim Medollit, ditën kur përfundoi në burgun e Spaçit për të kaluar atje 19 vitet më të bukura të rinisë

Dhjetor 1950. Mes malesh, motit të ftohtë e frikës nga regjimi, Gani Medolli mori rrugën e arratisë drejt Greqisë. Nuk i kishte mbetur asnjë zgjidhje përveçse të largohej përgjithmonë duke lënë pas bashkëshorten Mukadez Medolli, Gëzimin vetëm një vjeç, motrat e vëllezërit e tij. Regjimi komunist e kishte piketuar si një ndër kundërshtarët që do të përfundonte shpejt në burg ose para pushkatimit. Në këto kushte ai u largua me shpresën se një ditë do të mund të merrte me vete edhe  familjen. Por me arratisjen e Ganiut, familja e tij do të përballej me stuhitë e forta të diktaturës. Regjimi iu grabiti gjithçka kishin në shtëpi, prona e toka dhe Gëzimi me Mukadezin e motrat e vëllezërit jetuan në varfëri ekstreme. Kur Gëzimi ishte në moshën 6-vjeçare, e ëma Mukadezi ndërroi jetë duke i lënë jetimë mes katër rrugësh. Ndërkohë, ishte pushkatuar edhe xhaxhai i Gëzimit, Xhemal Medolli, i akuzuar si armik i popullit pasi kishte qënë kryetar i Ballit Kombëtar në Devoll. Fëmijët jetimë të Gani Bedollit, sfiduan varfërinë dhe ia dolën të mbijetojnë në kushtet ekstreme kur dhe regjimi nuk e pushoi kurrë dhunën ndaj tyre. Në moshën e adoleshencës, Gëzimi nisi të shkruajë poezi, të cilat nuk do ta shihnin kurrë dritën e botimit, pasi ai ishte fëmija i “armikut të popullit”.

Gëzimi u rrit me qëllimin që një ditë të takonte të atin, të cilin e dinte që ishte në Greqi. Kështu në vitin 1970, në moshën 29-vjeçare, mori vendimin të arratisej drejt Greqisë. Udhëtimi i tij drejt të atit u ndal prej telave me gjemba në kufi, atje ku u arrestua për të nisur një kalvar të gjatë në burgjet e diktaturës. U arrestua dhe u dënua në fillim me dhjetë vjet heqje lirie. Dënimin do ta vuante në burgun e Spaçit.

“Mirëmëngjes atdhe!

Të përshëndes…!

Dhe pse mbi sfonde telash të ulen agimet…”...

blank

Këto ishin vargjet që shkroi sapo mbërriti në burgun e Spaçit, atje ku do të kalonte një pjesë të madhe të rinisë së tij. Rrethuar me tela me gjemba, nën galeritë e akullta , i uritur e nën torturat e xhelatëve të diktaturës.

Në vendlindjen e tij kishte lënë dashurinë e jetës, Yrmeten. Ajo i përkiste një familjeje me biografi të mirë, por kishte vendosur të përballej me të gjitha betejat që e prisnin për të ruajtur të paprekur dashurinë e jetës.

“Befas në fshatin tonë në Trestenik të Devollit u përhap lajmi që tronditi shumë njerëz. Ishte 4 shtator i vitit 1970. Dikush erdhi dhe më tha se Gëzimin e kishin arrestuar. U trondita. Nuk jam në gjendje ta përshkruaj as sot e kësaj dite. Kishte tentuar të arratisej, por e kishin kapur pa kaluar dot kufirin. Nuk e përmbajta dot veten. U fsheha diku dhe nisa të qaja. Kjo gjë nis të më ndodhte shpesh. I dashuri im ishte arrestuar! Nuk e kisha menduar që do të arratisej, por e dija që ai vazhdimisht kishte një mall të patreguar për babanë e tij. Kur takoheshim bashkë, më fliste edhe për të atin, Gani Medollin. Më thoshte vazhdimisht: "Sa do të doja ta shihja edhe një herë të vetme... ndoshta do të takohem një ditë me të... më ka marrë malli...". Unë e di që edhe po të kishte qendruar këtu do të kishte vdekur nëpër burgje… Gëzimi ishte veçse një vjeç kur babai iu arratis. Ndoshta kishte dashur të vinte ta takonte e të kthehej sërish. Ne i ishim betuar njëri-tjetrit për të qëndruar gjithnjë bashkë. Po kush të m’i tregonte të gjitha këto? Tashmë për Gëzimin kishin filluar të thuheshin fjalët “agjent”, “kriminel”, “tradhtar”, por vetëm unë e dija kush ishte ai. E kisha njohur shpirtin e tij nëpër vargje. Shpresoja se edhe mund të lirohej, por ditët kalonin dhe ai nuk po kthehej. Në fshat erdhi përsëri një lajm tjetër: Gëzim Medolli ishte dënuar për tentativë arratisjeje me 10 vjet burg. Ajo ditë mbeti e paharruar në jetën time. Ndoshta për herë të parë urreva njerëzit e qeverisë, kuptova se njerëzit e regjimit dhe njerëzit e mirë, shkonin vazhdimisht në kahe të kundërta, për të mos u takuar më kurrë.

blankEdhe pse u dënua me 10 vjet burg vendosa ta pres. Ai sërish do të kthehej dhe ne përsëri do të ishim bashkë, por nuk do të ndodhte kështu.  Kur kishin kaluar vetëm tre vjet, më 21 maj të vitit 1973, Gëzim Medolli u dënua edhe me 25 vjet të tjera, sepse kishte qenë mes 12 organizatorëve të revoltës së Spaçit. Përsëri u fsheha diku dhe lotova. Tashmë ai do të qëndronte në burg për 35 vjet.  Më vonë në vitin 1980 mësova një lajm tjetër, po kaq tronditës. Gëzimi ishte dënuar edhe me 25 vjet burg të tjera. Atë ditë pata përshtypjen se e gjithë bota ishte çmendur. Nuk vonoi shumë dhe ai u dënua edhe njëherë tjetër me 10 vjet burg. Gjithçka kishte marrë fund për të. Ai nuk dilte më i gjallë prej andej. Përpiqesha të mësoja diçka për të, por lajmet që më vinin nga burgu ishin të pakta. Isha e sigurt vetëm për një gjë: ai edhe atje do të shkruante vargje për të mposhtur dhimbjet dhe brengat e tij. Më vonë, poezitë e tij të burgut i lexova të gjitha. Shkruante poezi për pushkatimin e varjen e të burgosurve, për nekrologjitë dhe fatin e tyre, por edhe për shpresën dhe të nesërmen…. “Ata binin nga plumbat në krah të harrimit;/ Ata vdisnin urie në gjoks të përçmimit./ Vareshin qelive dhe heshtnin kohët…/ Galerive mbeten nën gurë,/ nekrologji që s’u afishuan kurrë...". Tashmë isha e sigurt se me Gëzim Medollin nuk do të takohesha kurrë. Edhe për Gëzimin nuk besoj se kishte mbetur ndonjë shpresë. Ndërkohë unë isha martuar, por nuk di pse ai nuk më hiqej nga mendja. Kishte mbetur te loti dhe dhimbja ime.

Fati për të qenë bashkë

Fati e deshi që ai të lirohej në vitin 1989, kur era e demokracisë dukej se po afronte. Mora vesh që kishte ardhur në Korçë. U takuam përsëri. Nisi të më tregonte për tmerret që kishte përjetuar, vuajtjet dhe torturat. Tregimet e tij nuk kishin të mbaruar. Ai tregonte dhe unë e dëgjoja dhe qaja si atëherë kur isha 18 vjeçe. Gjithçka kishte qenë antinjerëzore. Tashmë kuptoja domethënien e vargjeve të tij: “Ekzistenca ime/ një dosje/ një numër/, një skedë…”.  Më tregoi se gjithnjë kishte ëndërruar të takonte të atin, më tha se kishte ndërmend të provonte sërish arratisjen, por këtë gjë nuk ia thoshte askujt. Kishte frikë se mund ta arrestonin përsëri. Me këtë mendim kaloi gati një vit. Punoi në minierë deri në vitin 1990, ku në një nga këto ditë erdhi lajmi se Gëzim Medolli ishte arratisur përsëri. Ishte nisur për atje, të takonte të atin, por ky takim nuk ndodhi kurrë. Në policinë e Athinës i kishin thënë se babai i tij ishte gjetur i mbytur në rrethana misterioze në ujërat e detit Egje, shumë pranë me kampin e refugjatëve në Llavër. Dyshohej se e kishin mbytur njerëzit e sigurimit të Enver Hoxhës. Pas këtij lajmi të kobshëm, ai kishte shkuar buzë detit, ishte ulur atje dhe kishte qarë gjatë. Qante dhe i tregonte babait të tij gjithçka që i kishte ndodhur. Që të dy nuk kishin patur fat. “Baba, pëshpëriste atje anës detit, ma vure emrin Gëzim, por unë pata veç ditë të zeza…”.  Ai u arratis, por vetëm unë e dija që ai do të kthehej. Po, u kthye që andej mjaft i dëshpëruar, me mendimin se nuk do të shkonte më kurrë në Greqi, por herë pas herë ndjente dëshirën për të parë ujërat e detit Egje, me shpresën se mes valëve dhe dallgëve do të shfaqej babai i tij, të cilin nuk e kishte parë kurrë që kur ishte një vjeç.

Martesablank

Pikërisht në këtë kohë u martuam, tregon me dhimbje Yrmetja, e cila e kishte dashur Medollin që në rininë e saj. Të them të drejtën, nuk dija nga t’ia nisja.. Nuk kishim as shtëpi, asgjë. Mehmet Medolli, vëllai i tij i vogël, e mori në shtëpinë e vet. Me punë e caktuan fillimisht në minierën e Bitinckës dhe më pas në atë të Rehovës. Tani, kur lexoj poezitë e tij, njëra prej tyre më pëlqen shumë. E titullon, “E sigurt”: "Do të takohemi diku, e di…/ në tren,/ tramvaj,/ në holl,/ apo…nën një copëz re me shi./ Do të puthemi prapë, e ndjej…/ në prag, në bar, në mol apo… nën mijëra copa diej…". E lexoj dhe qaj. Pasi u martova me Gëzmin na çuan te një shtëpi e vjetër që dikur kishte shërbyer si shkollë. Nuk kishte as dyer, as dritare. Më 2 dhjetor të vitit 1992 lindëm Elionën. Më kujtohet si sot. Bënte shumë ftohtë dhe binte borë e madhe. Nuk kishim as dritë, as ujë, as bukë, as veshje, as punë. Lëviznim si dy hije mes errësirës, por në çdo cep të dhomës që shkonim të ftohtët ishte njëlloj. Shtëpia ku jetonim ngjante më së shumti me një burg. Shpesh më kujtoheshin vargjet e tij: "Pol më pol shtegtimin enda,/ akuj jashtë e akuj brenda…/ Det më det me valët renda,/ stuhi jashtë e acar brenda./ Yll më yll shigjetë ngava,/ Mbi një hon me akuj shkava…/ Gjaku ngrinte nëpër rremba, / akuj jashtë e akuj brenda…". Përmes atij acari dhe akulli, ne të dy, unë dhe Gëzimi përpiqeshim të ngrohnim me shpirtrat tanë, trupin e vogël të Elionës. Jeta jonë ishte një tmerr i vërtetë. Nuk kishim me se ta mbështillnim. Mbaj mend që na ndihmuan komshinjtë, na sollën gjithçka kishin mundësi, por varfëria jonë mbetej e përhershme”, do të rrëfente Yrmete Bedolli shumë vite më vonë.   

Jeta e Gëzim Medollit pas rënies së diktaturës ishte padyshim më e mirë sepse më së paku ishte i lirë bashkë me familjen e tij. E megjithatë, varfëria do ta shoqëronte si kërcënim deri në fund të jetës së tij. Ky ishte fati tragjik i shumicës së viktimave të diktaturës komuniste, të vrarë e të burgosur gjatë diktaturës komuniste, të shpërfillur në liri, pas rënies së komunizmit.

blank

Shënim: Artikulli bazohet në dëshminë e bashkëshortes së Gëzim Bedollit, publikuar nga Vepror Hasani.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here