1948/Dy klerikë dhe katër qytetarë të tjerë ekzekutuar në Gjirokastër

0
210
blank

At Gjergj Suli, Baba Shefqeti, Zenel Shehu, Sali Guri, Gaqo Muzina dhe Namik Hadëri u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan si pjesë e një organizate, e cila as në shtetet më të zhvilluara nuk do të mundte të bëhej e tillë. Ishin gjithsej 22 të pandehur të cilësuar “armiq të popullit”, ata që u bënë pjesë e një procesi. U cilësuan “një grup reaksionar i organizuar në organizatë kriminale sabotatore”, e drejtuar nga një komitet e në varësi me nënkomitete, një akuzë krejt e ngjashme edhe në krahina të tjera të vendit. Kësaj organizate imagjinare, që edhe sikur të doje nuk bëhej kurrë dot ashtu, i vishnin lidhje “me spiunazhet e shteteve imperialiste, Komitetin Qendror të Ballit Kombëtar në Tiranë, me komitetin ballist të kriminelëve të arratisur, pranë zyrave të misioneve ushtarake anglo-amerikane në Romë, zyrave të sillogut në Janinë”, por edhe me UNRRA-n, misionet anglo-amerikane, organizatat vorio-epirote, nënkomitete çame, grupe grash revolucionare”, etj., një unitet fjalësh që kurrsesi nuk duan shumë kohë për t’i vlerësuar si të pavërteta. Thuhej se kishin bërë mbledhje, por vetëm kaq. Nuk dilte asnjë formë veprimtarie, por vetëm të ngelur në teori. Akuza bënte bazë një klerik ortodoks me një bektashi, por edhe elementë minoritarë me ata çamë. Një lëmsh i vërtetë, por një proces tipik komunist, i lidhur mjaft keq nga çfarëdo pikëpamje që ta merrje.

Midis të tjerash prokurori deklaroi: “Këta kanë akuzuar partinë tonë heroike, partinë e klasës punëtore, akuzuan Partinë Komuniste me qëllim që ta veçojnë këtë parti, ta ndajnë nga masat, pse ata e dinë mirë që Partia Komuniste në gjirin e popullit dhe në krye të masave të shtypura, udhëhoqi luftë çlirimtare dhe sot udhëheq masat për rindërtimin e vendit.

Këta me tentativat e tyre të poshtra janë përgatitur të ndajnë popullin nga Fronti i tij Demokratik, kanë akuzuar organizatën e Frontit si organizatë korrupsioni, organizatën e rinisë heroike dhe organizatën e gruas”.

Të gjithë u akuzuan në bazë të neneve 2, 3 (1, 2, 7, 8, 9, 10, 13), 4 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 për lidhje me të huajt.

Gjykata Ushtarake Gjirokastër, e drejtuar nga kapiten II Llazi Polena, me pjesëmarrjen e zëvendësprokurorit Zisi Karvella, me vendimin nr.445, datë 17.11.1947, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi me vdekje, humbjen e të drejtave civile e politike dhe pagimin e shpenzimeve gjyqësore prej 108 lekësh:

-At Gjergj Jakov Suli, lindur në vitin 1893 në Lekël. Klerik ortodoks, arrestuar më 17.10.1946.

-Zenel Beqir Shehu, lindur në vitin 1917 në Toç të Tepelenës, arrestuar më 7.9.1946. Deri në shtator 1945 ishte kryetari Komitetit Ekzekutiv të Nënprefekturës së Tepelenës.

-Baba Shefqet Mahmut Haderi, lindur në vitin 1891 në Gllavë, klerik bektashi, arrestuar më 6.11.1946.

-Sali Naim Guri, lindur në vitin 1886 në Këlcyrë, arrestuar më 4.9.1946.

-Gaqo (ose Jorgji) Anagnosit Muzina, lindur në vitin 1900 në Muzinë, banues në Sarandë, nëpunës i firmës “Singer”, arrestuar më 4.5.1947.

-Namik Ali Hadërilindur në vitin 1913 në Delvinë, arrestuar më 22.7.1947.

Prokurori kërkoi dënim me vdekje edhe për shtetasit Themo Muzha dhe Vasillaq Xhelo. Morën dënime të ndryshme shtetasit: Rako Ceka, Xhelo Shameti, Todhe Todhe, Polo Nako, Shahin Guri, Foto Dallo, Shefqet Demi, Memi Foto, Sotir Haxhi, Xhelal Sade, Maliq Saliu, Miço Nathanaili, Zogoll Saliko, Nako Dede.

U ekzekutuan në zonën e lumit afër varrezave të qytetit të Gjirokastrës.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here