“Grupi armiqësor i gjimnazit Ali Demi“

0
295
blank

Lavdosh Beqo: Ju rrëfej torturat çnjerëzore të një 17-vjeçari në hetuesinë komuniste

Alajdin Alemi, Lavdosh Beqo, Besnik Kripa, Luan Lloba, ishin katër të rinj të gjimnazit "Ali Demi" në vitet '50 në Vlorë. Ishin vetëm 17 vjeç kur u arrestuan nga regjimi me akuzën:
"Veprimtari kundër pushtetit popullor" dhe u shpallën "armiq të popullit". Katër të rinjtë kishin krijuar një grup që quhej “Grupi i gjimazit Ali Demi“ dhe kishin qëllim shpërndarjen e trakteve kundër regjimit. Sistemi komunist kishte nisur prej pesë vitesh pushkatimin dhe burgosjen e të gjithë atyre që shiheshin si kundërshtarë të regjimit. Kështu,  të rinjve gjimnazistë shpejt do të zbuloheshin e më pas të arrestoheshin për të kaluar gjithë jetën burgjeve e internimeve të diktaturës komuniste.

"Quhem Lavdosh Beqo. Kam lindur në vitin 1931, në Kaninë të Vlorës. Më vonë, jemi zhvendosur si familje në qytet. Kam kryer shkollën shtatëvjeçare dhe kam kryer dy vjet të shkollës së mesme, në një gjimnaz që kishte marrë emrin e një heroi komunist, Ali Demit. Bile edhe grupi ynë, kështu u quajt gjatë kohës që na arrestuan dhe dënuan: “Grupi i gjimnazit Ali Demi“. Bëhet fjalë për vitin 1950. Unë jam arrestuar i fundit nga grupi im, pikërisht më 7 maj 1950. Në këtë grup, bënin pjesë katër vetë: Alajdin Alemi, Besnik Kripa, Luan Lloba dhe unë. Grupin e krijuam një vit përpara se të arrestoheshim, aty nga viti 1949, në rrjedhën e atyre ngjarjeve që ndodhën në Shqipëri atë vit, siç ishin provokacionet greke, apo hedhjet e “bandave të diversantëve“. Kështu ne krijuam një aktivitet tonin, duke shpërndarë trakte. Dhe nga data 4 ose 5 maj, u zbuluam, u arrestuam, e më pas u dënuam.
Kur u arrestua, Lavdosh Beqo ishte vetëm 17 vjeç dhe as që e dinte kalvarin që kishte përpara. Do të kalonte tortura të tmerrshme, të pabesueshme. Kur Lavdoshi u arrestua, babai i tij Sihat Beqo
, ishte në burg sepse ishte shpallur "kulak, armik i popullit dhe i partisë“.

"Unë atëherë nuk i kisha mbushur akoma të shtatëmbëdhjetat. Unë kam dokumente që, që në vitin 1951, për herë të parë, babai im u shpall “kulak“. Që të shpalleshe “kulak“, ishte fatkeqësia më e madhe në atë periudhë.  Pra, vij nga një familje fshatare e pasur dhe, si kudo, ai që erdhi si sekretar partie në fshat, ishte një nga kundërshtarët kryesorë të familjes sonë. Dhe filloi një persekutim i jashtëzakonshëm. Babanë e futën në burg aty nga viti ´48, për shkak se donin t’i merrnin florinjtë dhe një pjesë të florinjve ia morën. Madje nuk bënë as procesverbal e asgjë prej gjëje.

Unë isha i vogël, por më kujtohet mirë, se pasi kishin arrestuar babanë, na erdhën për kontroll në shtëpi. Dhe nëna kishte një karficë prej floriri, nga ato që mbanin gratë në gjoks. Edhe atë ia shkulën dhe ia morën.  Dhe me sa mora vesh më vonë, fëmijët e atij që erdhi dhe bëri kontrollin dhe mori florinjtë, në fund janë zënë me njëri- tjetrin se kush e kush të merrte florinjtë që kishte grabitur i ati, pasi ai vetë vdiq.

TORTURA

"Na arrestuan, na dënuan dhe na çuan në burgun e vjetër të Vlorës. Aty nuk ndejtëm shumë kohë sepse erdhi behari tjetër dhe, gjatë beharit, ata e kishin zakon që i mblidhnin të burgosurit nga të gjithë burgjet dhe i çonin në kampe pune. Unë prandaj edhe nuk shkruaj për këto lloj përvojash, sepse brezat e rinj mund të mendojnë keq e mund të thonë: “Po ky mashtrues, çfarë përrallash thotë!“ Janë të pabesueshme torturat që kemi hequr.

blank

Po ju tregoj një gjë të vetme, për ta kuptuar: në periudhën që unë kam qenë në burg, ka qenë edhe Visarion Xhuvani, një prift ortodoks, i cili qe një nga themeluesit e Kishës Autoqefale. Kryetar i degës së brendshme atë kohë ishte Dhosi Progri, nga Korça, një filogrek. Dhe Visarioni, nuk kishte bërë asgjë, asnjë veprimtari kundër pushtetit; ishte në burg vetëm pse kishte themeluar Kishën Autoqefale shqiptare. Dhe e kanë torturuar në një farë feje, që nuk përshkruhet. Ia kanë shkulur me pincë një nga një qimet e mjekrës. Ose e vinin mbi tarracë në mes të korrikut, dhe i vinin rreth e rrotull copa letrash, mbeturinat e shkresave zyrtare, të cilave u vinin flakën pastaj. Nga zjarrmia e tarracës, i nxehti i korrikut dhe letrat e ndezura përqark, atij i binte herë pas here të fikët dhe binte mbi zjarr.

Shumë vjet më vonë, u takova me Visarion Xhuvanin në burgun e Burrelit, edhe ai m’i  kallëzoi me detaje të gjitha… Vdiq në mjerim. Por, për burgun e Burrelit, do të flas gjatë më vonë...

Hetuesi, një djalë i ri nga fshatrat e Vlorës, i cili edhe më arrestoi, më torturonte në një mënyrë të çuditshme. Dhe një ditë, më lidhi me një tel të hollë me duar prapa. Për fatin tim të mirë, në birucën time, ndodhej edhe një oficer, po i degës së brendshme, të cilin e kishin futur në birucë sepse kishte kapur njërën nga...vullnetaret dhe ajo ishte ankuar pastaj. Ia kam harruar emrin oficerit, por e di që ishte nga fshati Tragjas i Vlorës. Ishte ditë e diel. Pasi pa që m‘u enjtën duart, ky i bie derës dhe vjen oficeri i rojes.

“Çfarë ke?“ - i thotë oficeri i rojes.

“Ky po vdes“ - i thotë ky djali për mua.

Atëherë, oficeri, menjëherë hapi derën, hyri brenda dhe u afrua për të më zgjidhur telin, por, jo për të më hequr hekurat. Mirëpo, nuk mund ta kuptoni, asnjë njeri nuk mund ta kuptojë, se ç’do të thotë të heqësh telin, nga duart e fryra. Është njëlloj si të të shpojnë beben e syrit. Pastaj ai vajti të merrte kandilin e vajit, kandilin që përdorej gjatë natës kur fikeshin dritat, dhe duke i hedhur nga pak vaj prej kandilit mbi vendin e enjtur, e duke lëvizur me kujdes telin, më në fund, arriti ta hiqte.

Fati im, që kur shkuli telin, plasi gjaku. Dhe fati im që qëlloi ai tjetri në birucë që thirri rojen, sepse përndryshe, do të kisha vdekur.

Dhosi Progri, kryetari i degës vinte shpesh, se e kishte shtëpinë ngjitur me degën. Ai, oficeri i rojes, shkon e i thotë: “Po vdes ai djali!“

“Pse, çfarë ka?“- e pyet Dhosi.

“E ka lidhur Demiri, Demir Zhupa“ - i tregon ky tjetri.

Më kujtohet, që më çuan tek Dhosi, se u kishte dhënë urdhër. Më morën për krahu dhe avash, vajtëm te zyra. U fut brend, e po më shikonte drejtpërdrej, e më tha: “Çfarë ke?“

I thashë që ai hetuesi, po më merrte në pyetje jashtë çështjeve për të cilat jam arrestuar. Më kujtohet fare mire që më tha: “Dëgjo, sa kohë ke këtu?” “Pesë muaj“– i thashë.

“Pesë muaj dhe akoma nuk ke filluar të bësh procesin?” – më tha.

“Çfarë procesi keni nevojë ju nga unë?!! Ju keni faktet; keni traktet.“- iu përgjigja.

“Dëgjo, – më tha - me ty kemi të tjera probleme. Familja jote është në Kaninë. Jashtë Kaninës në pyll, aty tek ju, kanë ardhur njerëz që t‘i kanë mësuar këto gjëra. Diversantë.“

“Kapini diversantët, atëherë.“ - i thashë.

Ai, duke ecur poshtë e lart nëpër dhomë, vuri re që nga mbrapa, këmisha ime ishte me gjak dhe, për një moment, mbeti. Pastaj e dini çfarë më tha apo jo? Më tha: “Dëgjo, je djalë i ri. Unë të këshilloj: kryeje procesin me atë që e ke filluar, sepse unë atij nuk kam se çfarë t’i bëj…”

Pra, atij, kapterit, nuk kishte se çfarë t’i bënte kryetari i degës, sepse kapteri ishte personi i Mehmet Shehut! Mua nuk më harrohet kjo.

Më kthyen në birucë. Për fat të mirë, vazhdoja të kisha atë oficerin brenda, që m’i zgjidhte pantallonat për të shkuar në banjë, pasi duart ashtu si ishin bërë, nuk mund t’i përdorja.

Pastaj po ndërtoheshin birucat e reja dhe ne na çuan atje. Por, sa iknin punëtorët, kapterët derdhnin ato fuçitë e mëdha me ujë, që të mbushej biruca. Atëherë, dyshekët që na i sillte familja, bëheshin qull. I nxirrnin përjashta e na kalbeshin.

Rasti im ka qenë dhe është akoma i veçantë: që nga rinia ime, unë fle jashtëzakonisht shumë. Kur më merrnin në pyetje natën, më mbanin në këmbë, të lidhur dhe hetuesi pyeste, e unë s’përgjigjesha, se më merrte gjumi e bija top në shesh, në çimento. Edhe në hetuesinë e dytë, kështu më ka ndodhur, ndërkohë që hetuesi lexonte libra. Më merrnin natën, sepse hetuesit i paguanin orë jashtë orarit kur punonin natën. Pra, qëndrova 6 muaj në hetuesi.

Unë u dënova me 18 vjet burg, nga një gjykatë ushtarake që vinte nga Gjirokastra. Më kujtohet vetëm emri i gjyqtarit; quhej Mustafa Beqo. Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, me vetëm dy seanca. Ndërsa tre shokët e mi i dënuan me nga 15 vjet burg”, rrëfen Lavdosh Beqo.

blank

 

Shenim: Intervista eshte marre nga libri "Zerat e Kujteses", botim i ISKK realizuar nga Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.