Të ekzekutuar dhe të burgosur/ Sigurimi: Nuk kemi bërë sa duhet

0
229
blank

Sektori i Sigurimit zhvilloi një "studim për njohjen dhe zhvillimin e luftës së klasave e të veprimtarisë armiqësore e keqbërëse" në Mbrezhdan të kooperativës së Këlcyrës në vitin 1982. Megjithë ekzekutimet gjatë luftës dhe dënimet pas saj në këtë fshat, studimi thotë se duhet bërë më shumë

Nga Xhafer Sadiku

Në vitin 1982, sektori i Sigurimit në Përmet, bëri një studim për njohjen dhe zhvillimin e luftës së klasës e të veprimtarisë armiqësore në fshatin Mbrezhdan.

Pasi jepte numrin e familjeve dhe të banorëve të fshatit ndër vite, përshkruhej përbërja klasore dhe zhvillimi i luftës së klasës në fshat. Ndarja bëhej bazuar në raportet e familjeve të fshatit me luftën, tregtinë dhe prekjen nga reformat.

Kështu, sipas sigurimit, ata që ishin marrë me tregti ishin familjet e Kiço Vangjel Çelës, që zhvillonte tregti brenda dhe jashtë vendit, ndërsa me tregtitë vogël e të mesme ishin marrë edhe familjet e Llikos Tralos, Mitro Karait, Kolo Çomos, Llukan Jarazit, Qiro e Taqo Dhimarkos, Thanas Kominojt, Thanas Prillos, Dhame Kapisë etj.. Në përgjithësi, theksonte sigurimi, këta kanë simpatizuar dhe përkrahur regjimet antipopullore, “por ka dhe nga këta ish-tregtarë të vegjël dhe të mesëm që kanë simpatizuar dhe ndihmuar lëvizjen tonë Nacionalçlirimtare, siç është familja Dhimarko, Karai, Jarazi, Prillo etj..

Sigurimi vinte në dukje se “në këtë fshat ka influencuar negativisht deri në një farë mase dhe propaganda fetare e sidomos ajo e sektit ungjillor evangjelist”, se kanë influencuar kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe Jano Komino me Nasho Dorrin, të cilët edhe sot duke qenë besnikë të besimit fetar janë në kundërshtim me ideologjinë Marksiste Leniniste që sundon sot në vendin tonë”. Këta, theksohej, “nga vetë mendimet e qëndrimet e tyre i bëjnë hije ideologjisë Marksiste Leniniste dhe politikës së Partisë sonë”.

Sipas studimit në fjalë, gjatë luftës nacional-çlirimtare, komunistët kishin ekzekutuar pesë banorë të këtij fshati: Jani Kristo , Qiro Spiro Elmazin, Petro Spiro Elmazin, Kiço Cace Qiricin dhe Aleks Cace Qiricin.

Sigurimi përmendte disa të dënuar politikë nga ky fshat si: Lliko Tralo dhe Kolo Spiro Çomo me nga 15 vjet heqje lirie, Kiço Anastas Gjika dhe Manol Aleks Qirici me nga 10 vjet heqje lirie, Jano Kolo Dorri i dënuar me 7 vjet heqje lirie.

Manol Aleks Qirici

Ishte i dënuari politik nga ky fshat, që ka vuajtur më shumë vite në burgje. Në një raport të sigurimit, të vitit 1985, theksohet se Manol Qirici, “ishte dënuar me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Gjatë vuajtjes së dënimit, tentoi të arratisej dhe e ridënuan me 15 vjet të tjera”. Nga familja e Qiricëve, Dhiogjeni, ishte vënë “në kontroll operativ 2-B, për agjitacion e propagandë”.

Në raportet e sigurimit përmenden edhe Jorgo Mitre Cama, i larguar nga atdheu më 1949. Sipas sigurimit, ai kishte larguar nga Tirana ku kishte mbaruar shkollën e mesme dhe e kishin thirrur për të kryer shërbimin ushtarak, por, si ungjillor që ishte, nuk donte të shkonte ushtar.
Dy vjet më vonë, më 1951, ishte arratisur edhe i vëllai, Thoma Cama. Vëllai i tij, Cace Cama kishte qenë partizan, ndërsa dajot (vëllezërit e nënës) Kiço dhe Leka Qirici ishin pushkatuar nga komunistët.

Vëllezërit Spiro dhe Sotir Gjoka u dënuan për agjitacion e propagandë. Ata ishin të lidhur qysh në fillim me lëvizjen nacionalçlirimtare.

Po kështu, sigurimi theksonte se për veprimtari armiqësore, të shprehur në propagandë, ishin këshilluar Vasil Thoma Qyra në vitin 1967, Vasil Lito Qiro në vitin 1976, Dhame Spiro Kapia në vitin 1976 dhe Foto Kiço Çela në vitin 1980.

Përveç personave dhe familjeve të listuara, sigurimi kishte evidentuar dhe 16 persona nga ku mund të pritej veprimtaria e mundshme armiqësore.

Punëtorët operativë të sigurimit theksonin se tani kishin një tablo më të qartë të përbërjes së fshatit, të zhvillimit të tij ekonomiko-shoqëror, të luftës së klasave e të veprimtarisë armiqësore e keqbërëse. Ata nxirrnin konkluzionin se: “Forca jonë zbuluese dhe goditëse në këtë fshat nuk i është përgjigjur intensitetit të veprimtarisë armiqësore e keqbërëse”.

Marrë nga libri Skenarë të përgjakur Përmeti 1943-1990, i Xhafer Sadikut, botim i ISKK. Autori i ka marrë të dhënat nga dokumentet e kohës.

Në foto: Manol Qirici

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here