15-vjeçarët e akuzuar që “vunë në rrezik sigurinë e jashtme të RPSH-së”

1
9646
blank

Në vitin 1960 tre 15-vjeçarë nga Shkodra në mes të dëshpërimit, aventurës së moshës dhe dëshirës për ta prekur sa më shpejt lirinë e Perëndimit orvaten të largohen nga Shqipëria nëpërmjet kufirit shtetëror. Duke mos u orientuar mirë, më 30.1.1961 ndalohen nga forca e kufirit e më pas arrestohen. Ata ishin:

1-Hysen Barbullushi, i vitlindjes 1943, lindur e banues në Shkodër.

2-Xhevdet Ishmi, i vitlindjes 1944, lindur e banues në Shkodër.

3-Sytki Jera, i vitlindjes 1944, lindur e banues në Shkodër.

Në orën 3.00 të mëngjesit ata ishin futur në zonën e ndaluar në zonën e quajtur Mali i Taraboshit, rreth 800 metra larg kufirit me Jugosllavinë.

Për të tre, pa u dalluar moshën e tyre, pati një kallëzim të orës 20.00 të 30 janarit sipas së cilit ishin parë në afërsi të furrës së gëlqeres Shkodër. Pasi panë gjurmë në lundrën e atyshme, forcat e kufirit ishin vënë në ndjekje duke përdorur edhe qenin e postës përkatëse. Megjithëse të vegjël, ata kanë përdorur një skemë të paramenduar, duke u hequr si barinj që po kërkonin bagëtitë. Të tre shokët kishin marrë përsipër të kryenin një akt që as të mëdhenjtë nuk e kishin të lehtë ta bënin. Pas pak orësh do të viheshin nën një rrethim të plotë të njësitit kufitar sikur të ishin njerëz të rrezikshmërisë së lartë. Pas disa orësh kërkimi, forcat e kufirit mundën t’i diktojnë e t’i ndalojnë.

Menjëherë pas arrestimit, në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, është zhvilluar hetuesia ndaj të pandehurve të vegjël. Në fletanketat e përdorura duket si ironi e llahtarshme pjesa ku i kërkohet të pohojnë a ishin apo jo pjesëtarë “të organizatave tradhtare” të Ballit Kombëtar apo Legalitetit.

Hetuesia zhvillohej në kushte të njëjta sikur personat të ishin të rritur dhe kishin konsumuar vepra madhore. Atyre iu drejtoheshin pyetje në e pranonin apo jo akuzën, e kuptonin apo jo, ishin apo jo në parti, kishin apo nuk kishin farefis të burgosur, etj..

Xhevdet Ishmi deklaroi se duke dëgjuar bisedat e më të mëdhenjve, donin të arratiseshin sepse ishin të papunë dhe të pashpresë. Prej më të rriturve kishin mësuar se në Jugosllavi mund t’i mbanin 12 ditë në burg e pastaj mund t’i linin të shkonin nga të donin. Donin të merrnin një zanat e të fitonin para me punë. Qëllimi i mbërritjes nuk ishte Jugosllavia, por Italia.

Hysen Barbullushi në deklarimet e tij, tregon të njëjtën gjë për shkakun që kishin dashur të arratiseshin: mungesën e punësimit e të mirëqenies.

Edhe Sytki Jera në përgjigjet e tij, pohon momentin e arratisjes. Ndërkaq këtij i bëhet pyetja pse e konsideronte Jugosllavinë vend armik dhe Italinë jo të tillë. Një pyetje tepër e çuditshme kjo duke marrë parasysh moshën, por edhe pozitën në të cilën ndodhej Shqipëria komuniste me këto dy shtete. Edhe këtu jepej përgjigjja nga fjalët që kishte dëgjuar për fatin e një të arratisuri tjetër nga lagjja e tij i cili kishte hequr keq në Jugosllavi e kishte gjetur mirë në Itali.

Çështja e tyre u trajtua nga Prokuroria Ushtarake e Shkodrës si çështje me shumë rëndësi. Zëvendësprokurori ushtarak Njazi Zjarri në aktakuzën e tij, vërente se vepra e tyre paraqiste “rrezikshmëri të theksuar shoqërore duke vënë në rrezik sigurinë e jashtme të RPSH-së”. Midis të tjerash, në gjyq ai pohoi:

“Ata janë dritëshkurtër dhe si tipa aventurierë, nuk marrin parasysh vuajtjet që heq klasa punëtore nën kërbaçin e padronit në vendet kapitaliste. Grevat e herëpashershme të bëra nga punëtorët, për të siguruar jetesën e tyre dhe shtypja me anën e forcës që bëhet nga borgjezia, tregon qartë se cila është jetesa në shtetet kapitaliste dhe në vendet fqinje me ne siç janë Jugosllavia dhe Italia”.

U akuzuan në bazë të nenit 64, në kombinim me neve 10 e 14 të Kodit Penal, për “tradhti ndaj atdheut në fazën e tentativës”.

Gjykata Ushtarake Tiranë, me veprim në Shkodër, e drejtuar nga Thoma Rino, me vendimin nr.47, datë 13.4.1961, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi: Xhevdetin me 4 vjet heqje lirie dhe ndërsa dy të tjerët me nga 3 vjet heqje lirie.

Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, me vendimin e datës 17.4.1961, uli dënimet duke i çuar përkatësisht për të parin në 2 vjet dhe për të tjerët me nga 1 vit heqje lirie.

Megjithatë, dënime të tjera do të merrnin më vonë të rinjtë që kërkuan të largoheshin nga ferri komunist në kohën kur diktatura ishte në kulmin e forcës së saj. Ndaj tyre në vitet ’70 do vepronte ridënimi.

Hyseni dhe Sytkiu u liruan më 14.1.1962. Xhevdeti u lirua më 24.11.1962.

Pas dënimeve

Sytki Jera dhe Hysen Barbullushi u ridënuan më vonë me një proces të vitit 1969. Ishin arrestuar të dy më 31.1.1969. U akuzuan me të njëjtat nene si më parë, por këtë herë, si të dyshuar për arratisje, pa kryer veprim konkret. Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendimin nr.22, datë 2.4.1969, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi Sytkiun me 7 vjet dhe Hysenin me 4 vjet, si dhe konfiskim të pasurisë. Hyseni u lirua më 31.1.1973, ndërsa Sytkiu u ridënua në Spaç me vendimin nr.30, datë 30.6.1973 të Gjykatës së Rrethit Mirditë, e cila e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 7 vjet heqje lirie. Sytkiu u lirua më 13.3.1976.

 

Në foto Sytki Jera në çastin e arrestimit dhe në vitin 2019 gjatë një vizite në Spaç

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here