Gjenerali i zi, Nevzat Haznedari

0
688
blank

E kaluara e hershme dhe karriera e Nevzat Haznedarit në regjimin komunist ku u  shndërrua në një nga njerëzit më gjakatar të pushtetit

 

Nga Agim Musta

 

Nevzat Haznedarin e njihja si fytyrë qysh më 1947- kur ai si prokuror ushtarak, ishte bërë i llahtarshëm në gjyqet që zhvilloheshin në kinema "17 Nëntori" të Tiranës, ndaj të ashtuquajturve grupe armiqësore. Më ishin ngulur ne kujtesë koka e tij e madhe si e sllavëve të vjetër, trupi i tij i fortë, por pak i kërrusur, sytë e tij ngjyrë çeliku, që çlironin edhe beton armenë dhe duart e tij, si putrat e ariut siberian. Më kishin thënë se rridhte nga një familje bejlerësh të rënuar të Leskovikut. Babai i tij, gatë viteve tridhjetë bridhte kafeneve të Korçës, në gjendje të mjerueshme, derisa vdiq në rrugë dhe e varrosi bashkia. Nevzati në atë kohë vazhdonte Normalen e Elbasanit, me bursë shteti. Në Normale, shokët e thërritnin me nofkën egërsirë. Literatura e tij e preferuar ishin romanet me tortura. Më 1938-ën, mbasi mbaron Normalen e Elbasanit, emërohet mësues në katundin Dostenan të Leskovikut. Ish-nxënësit e tij tregojnë se atyre u shpëtonte shurra kur mësuesi i kërcënonte edhe për gabimet më të vogla. Mbasi s'bëri dot karrierë në Partinë Fashiste, gjatë periudhës 1939-42, hoqi këmishën e zezë dhe veshi këmishën e kuqe, duke u bërë një nga krerët e lëvizjes komuniste në nënprefekturën e Leskovikut, së bashku me Kiço Kasapin dhe Ali Glinën. Në pranverën e 1943-shit, ai pushkaton në grykën e Postenanit Gaqi Tashkon së bashku me të birin, Petraqin dhe Petro Tashon, për të vetmin faj se ishin distancuar nga Lëvizja Nacionalçlirimtare, kur kishin kuptuar se atë e drejtonte dora e komunistëve. Në fund të 1944-ës, ekzekutohet Muharrem Rusi, ish-kryetar i bashkisë së Leskovikut, njeri i nderuar dhe i respektuar në të gjithë krahinën. Fill mbas vendosjes së diktaturës komuniste, Nevzatit iu caktua detyra e prokurorit ushtarak të qarkut të Korçës, ku behet i famshëm për bëmat dhe gjëmat e tij.

 

Merr pjesë në ekzekutimin e grupit të inxhinierëve të Maliqit në nëntor të vitit 1946, duke u hedhur me dorën e tij litarin në fyt Abdyl Sharres dhe Kujtim Beqirit. Zoti Ali Selenica, jurist, vdekur në burgun e Burrelit, më 1963, gjatë vuajtjes së dënimit me të, me tregonte se në fillim të 1945, kur ai punonte si avokat në qytetin e Korçës, gjyqi ushtarak komunist, me prokuror Nevzat Haznedarin, jepte çdo ditë në emër të popullit 10-15 dënime me vdekje. Shumica e të dënuarve ishin intelektualeëdhe fshatarë analfabetë, që kishin shkuar me forcat e Ballit.

 

Gjyqi s'bënte asnjë dallim midis fajtorëve të vërtetë dhe të pafajshmëve. Shpata e diktaturës komuniste në dorën e kriminelit Nevzat binte mizorisht mbi kokat e njerëzve të pafajshëm. Merreshin nëpër këmbë dhe normat më të thjeshta juridike. Të tilla gjyqe nuk zhvilloheshin as në kohën e inkuizicionit dhe jo e jo në kohën e sundimit otoman. Sado i d ruar dhe frikacak që të ishe, revoltoheshe nga kjo drejtësi e përdhunuar mizorisht. U revoltova, më tregonte Z. Selenica, kur Nevzati kërkoi denimin me vdekje për një ballist nga fshatrat e Devollit, që ishte memec. Ai e akuzonte, midis të tjerash, se devolliu ballist kishte zhvilluar propagandë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Zoti Ali, si avokat i të pandehurit, thoshte se akuza kundër klientit të tij ishte sa absurde, aq edhe qesharake, mbasi i akuzuari ishte memec dhe s'kishte mundësi ta kryente krimin e agjitacionit. Nevzati e kishte fyer avokatin me fjalët më të ndyra dhe e kishte akuzuar se kishte qenë fashist dhe për këtë arsye i mbronte me zjarr armiqtë e popullit.

 

Zoti Ali Selenica replikon me prokuror Nevzatin duke i thënë se fashist kishte qenë ai, gjë, që ishte e njohur nga gjithë qarku i Korçës, kapiten Nevzati tërbohet nga zemërimi dhe kërkon pezullimin e seancës gjyqësore. Zoti avokat Selenica, mbas 1 ore, e pa veten me pranga në duar, në një qeli të errët të sigurimit të Korçës. Mbas tre muaj torturash, të bëra personalisht nga Nevzati, zoti Ali u dënua me burgim të përjetshëm si armik i popullit, kurse dy djemtë e tij, për t'u shpëtuar persekutimeve, u vranë duke u përpjekur të kalonin kufirin shqiptaro-grek. Brenda 11 vjetëve (1945-56) duke çuar me qindra njerëz në botën tjetër, xhelati Nevzat arriti gradën e gjeneralit, duke u bërë simbol i krimit shtetëror. Nuk kishte të arrestuar për çështje armiqësore që Nevzati të mos e kishte marrë në pyetje dhe të mos e kishte ledhatuar me putrat e tij. Nuk kishte të burgosur që të kishte shpëtuar pa u gjakosur nga takimi me të.

Edhe xhelatët e vegjël nëpër zyrat e hetuesisë, nëpër burgjet dhe kampet e përqendrimit, qëndronin para tij si pula të shushatura. Kaloi nëpër duart e tij me mijëra viktima, që nga fshatarët e thjeshtë, gjer tek intelektualët e shquar, ministra, gjeneralë dhe anëtarë të Byrosë Politike, duke e mbyllur karrierën me grupin e Beqir Ballukut. Më 1954, kur të burgosurit politikë në kampin nr. 4 në Tiranë, u përpoqën të hapnin një tunel për të shpëtuar nga ferri komunist, drejtësia enveriane ra pa mëshirë në krenat e atyre fatkëqinjëve, që deshën të fitonin lirinë e grabitur padrejtësisht. Mbi 20 veta u dënuan me burgime të rënda dhe 4 prej tyre: Abdul Bajrami, Mark Zefi, Isuf Velçani dhe Zyhdi Mancaku u ekzekutuan në qelitë e burgut të vjetër të Tiranës nga xhelati Haznedar, duke u çarë kafkat me levë hekuri. Takimin personal me këte Lucifer, e pata në një dhome të hetuesisë së burgut të Tiranës, në prillin e vitit 1962. Ishte i shoqëruar me 3-4 oficerë madhorë, që qëndronin gatitu mbrapa tij. I lidhur me pranga, më ulën në karrigen e betonuar të të pandehurit, ndërsa gjeneral Nevzati, me një vizore në dorë, më pyeti se çfarë kisha biseduar me baxhanakun e tij, mësues Fatmir Beratin. I thashë se me Fatmirin kisha qenë koleg në shkollën 50-Vjetori të Kombinatit të Tekstileve dhe s'kisha aq afëri me të për të biseduar çështje politike. Filloi të bërtiste me të madhe dhe u kthye nga oficerët duke u thënë se ne duheshim linçuar po ç't'i bënte shokut Enver që thoshte të zbatohej ligji. Këta surretër deshën të riformonin Partinë Social-Demokrate, atë që s'e bëri dot Musine Kokalari, më 1946-ën dhe do ta pësojnë më keq se ajo. Me një të hapur të krahëve, sikur do të çante dru, ma veshi me vizore në kokën e qethur zero. M'u errën sytë dhe i mbuluar me gjak rashë nga karrigia pa ndjenja. Kur erdha në vete pashë se ndodhesha në qelinë time, me një leckë të ndyrë të lidhur në kokë. Kapter Koli që shquhej për butësi midis gardianëve të qelive, më solli një shami të lagur me ujë, për të fshirë gjakun e ngrirë në fytyrë dhe në rrobat e trupit. E dija se Fatmir Berati ishte baxhanak me Nevzatin, por ky i fundit nuk fliste me të dhe deshi ta fuste brenda mbasi Fatmiri e kish origjinën nga një familje e prekur nga pushteti komunist. Ky qe takimi i parë dhe i fundit me kryexhelatin e diktaturës enveriane, gjeneralin e zi, Nevzat Haznedarin.

Më 1959 Nevzati rimonton grupin e Leskovikut me persona që kishin shpëtuar të gjallë mbas vuajtjes së dënimit prej grupit të Leskovikut, të 1947, duke i shtuar dhe fatkëqij të tjerë, për të plotësuar numrin standard 20. Kësaj radhe operacionin e kryente zëvendësministri i parë i MP Brendshme, Mihallaq Ziçishti, me ndihmësit e tij, Rexhep Kollin e Nevzat Haznedarin.

 

Vangjel Stefan Cini, që ka mundur të shpëtojë gjallë nga grupi i Leskovikut, më ka treguar me zë të dridhur dhe fytyrë të ngrysur për ato ditë të tmerrshme torturash. Arrestimet u bënë në orën 02.00 të 30 marsit 1959. U arrestuan 19 veta brenda 1 ore, mbasi numri 20 në listë, Kolaq Kozmai, kishte vdekur dhe për këtë i hoqën vërejtje të rëndë mikroxhelatit Tare Isufi, kryetar i Degës së Punëve të Brendshme te Kolonjës, që s'kishte njoftuar me kohë dikasterin për zëvendësimin e tij. “Më torturuan në mënyrën më çnjerëzore. Më lanë vetëm mbathjet, më lidhën këmbë e duar me pranga dhe me një zinxhir në qafë. Tare Isufi më tërhiqte rrëshqanë në dyshemenë e një dhome torturash, ndërsa Nevzati, me takat e çizmeve, më godiste me sa mundte gishtat e duarve dhe të këmbëve. Më binte të fikët, më hidhnin kova me ujë për t'u përmendur dhe, kur unë përmendesha, Rexhep Kolli me Nevzatin me thoshin të pohoja se isha agjent grek, përndryshe do të ma merrnin shpirtin pak e nga pak. Mbasandaj Nevzati ndërronte torturën, më shtrëngonte fytin dhe në sekondat e fundit të frymëmarrjes ma lironte, duke më hedhur në gojë tym duhani që më shkaktonte një kollë të tmerrshme, që s'kam për ta harruar sa të jem gjallë. Mbas 3 ditë torturash më çuan në lumin e Starjes, ku kishin hapur një varr rreth 50 cm të thellë. Më futën brenda dhe Nevzati më drejtoi smithin e bardhë me mulli në lulen e ballit. Instinktivisht mbylla sytë dhe ai qëlloi në ajër, pastaj urdhëroi të më nisnin për Tiranë, ku do të ma hiqte mishin me pinca. Mbas 10 muaj torturash, kur ne pranuam çdo gjë që na servirën hetuesit, simbas skenarit të gjeneral Nevzalit, na nxorën në gjyqin ushtarak, me përjashtim të Thanas Lulës, të cilin nuk e thyen dot dhe i trembeshin, se ai do të hidhte poshtë me përbuzje akuzat e sajuara, gjë që mund t'u jepte zemër dhe shokëve të tjerë të grupit. Gjatë seancave gjyqësore, Nevzati, në sy të gjyqtarëve, na kërcënonte vazhdimisht, duke na thënë se kokat tona do t'i dërgonte me tepsi në Leskovik, si kokën e Shën Joan Pagëzuesit. Mbas katër seancash gjyqësore, u dënuan me vdekje Mihal Cini, Thoma Buda, Janaq Ruqi, Hajredin Gega, Shahin Hajdari, Kiço Kuqoshi dhe Thanas Vila (në seancë të veçantë), të cilët u ekzekutuan mbas disa ditësh, ndërsa Xhevat Zerja dhe Musa Shemja vdiqën në duart e xhelatëve hetues. Tre të tjerë vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit dhe gjithë të tjerët kanë vdekur mbasi u liruan nga burgu, me përjashtimin tim, që arrita të shoh lindjen e demokracisë dhe të nxjerr në dritën e diellit krimet e diktaturës komuniste.

Për çdo grup armiqësor që do të arrestohej në Shqipëri Nevzati do të shpikte diçka të re në torturat e tij. Për komplotistët e Teme Sejkos vuri në përdorim koshered e bletëve, për grupin e Devollit, dollapët e hekurt, atyre që do të pushkatoheshin më parë u thyente kafkat me leva hekuri, kripën në plagët e hapura, ampulat me vajguri, futjen në gropat e fekaleve, korentin elektrik, shtrydhjen e organeve gjenitale, futjen në fuçi me copa akulli, varjen nëpër çengela kokëposhtë, fryrjen me pompë nga anusi i quante jashtë mode, dhe të konsumuara prej tij. E kishin dërguar për përvojë në Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë, por thuhet se shokët kinezë i la me gojë hapur, nga përvoja e tij shqiptare. Ata thanë se s'kishin çfarë t'i mësonin këtij gjeniu në lëmin e torturave dhe e falënderuan duke i dhuruar në shenjë mirënjohjeje një libër me skica torturash që përdoreshin në kohën e dinastisë Min.

Më 1974 diktatori e thirri Nevzatin nga Elbasani, ku kryente detyrën e kryetarit të degës së Punëve të Brendshme, për t'u bërë hetuesinë deshve të ushtrisë. Shpirtrat e Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, e dinë se çfarë kanë hequr nga ky satana, deri dje shok dhe mik i tyre. Flitet se ndaj tyre ka përdorur torturat e Dinastisë Min, të përpunuara ashtu siç dinte ai. Me këtë hetuesi e mbylli karrierën e lavdishme një nga xhelatët më të ndyrë që ka nxjerrë kombi shqiptar. Diktatura i dha si shpërblim një vilë në rrugën "Tefta Tashko" dhe pension special. Vdiq papritur dhe njerëzit flasin se e helmuan me urdhër të diktatorit për të zhdukur një arkiv të gjallë krimesh. Me siguri shpirti i tij ndodhet në rrethin e nëntë të Ferrit.

 

Marrë nga libri “Mandelët e Shqipërisë”, i autorit Agim Musta, nga pjesa me titullin “Gjenerali i zi, Nevzat Haznedari”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here