Violinisti i survejuar nga Sigurimi që përfundoi në psikiatri

0
1158
blank

“Romeo”, “Labëria”, “Pojani” dhe “Lea”, ishin katër bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit që morën përsipër të zbulojnë elementet dhe grupet armiqësore në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Portreti i thyer i diktatorit shkaktoi një valë survejimesh në radhët e artistëve të Teatrit të Operas dhe Baletit gjatë viteve 1971-1975. Portreti me përmasa të mëdha ishte i vendosur në hollin e teatrit. Një mëngjes, portreti u gjet i dëmtuar. Me xhamin e krisur që supozohej se kishte rënë në tokë dhe ishte thyer. Bashkëpunëtori me pseudonimin “Romeo” kishte raportuar dëmtimin e portretit dhe kaq mjaftoi të ngrihej e gjithë struktura për të gjetur kush e kishte kryer aktin e dëmtimit. Kishte qenë një akt i qëllimshëm apo një rastësi? Dikush pa dashje mund ta kishte rrëzuar.

Gjithsesi, u ngrit një strukturë e posaçme për të evidentuar të gjithë artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit, prejardhjen e tyre dhe cila ishte vija e tyre e sjelljes në raport me regjimin komunist. Janë dhjetëra prej tyre që u identifikuan si kundërshtarë të regjimit.

Raporti i Sigurimit të Shtetit, në dosjen për Teatrin e Operas dhe Baletit, përfshin shumë emra të njohur të muzikës shqiptare, por ne në këtë artikull do të përqendrohemi te historia e një violinisti, emri i të cilit nuk është zbuluar në dosje, veçse me iniciale. Është  violinisti nga Elbasani me inicialet F.S.H. Nga të dhënat që gjejmë në raportin e Sigurimit të Shtetit, evidentohet se violinisti i survejuar ishte me arsim të lartë, i padënuar më parë dhe ishte i martuar me një shtetase të huaj. Pa dyshim që kjo ishte një arsye e fortë për ta renditur në listën e atyre artistëve që do të survejoheshin.

Bashkëshortja e tij ishte hungareze me inicialet S.H. Ata ishin njohur në Hungari pasi violinisti F.H kishte kryer studimet atje. Në raport, evidentohet se familja e violinistit kishte mbajtur një qëndrim indiferent gjatë kohës së Zogut dhe pushtimit. Theksohet gjithashtu se të njëjtin qëndrim indiferent kishin mbajtur edhe pas çlirimit.

Pasi ishte përcaktuar si një ndër personahzet që duhej survejuar, kërkimet kishin mbërritur deri në vitin 1959, ku ishte gjetur një informacion sipas të cilit, violinisti kishte mbajtur  kontakte të dyshimta me një funksionar të ambasadës jugosllave.

Në raport theksohet se gjatë survejimit, ishte konstatuar se violinisti kishte kryer agjitacion e propagandë në disa drejtime ku listohen: ka folur kundër masave të pleniumit të IV e pleniumit të VII, duke u shprehur se regjimi po i bën të gjitha këto lëvizje terrorizuese duke krijuar shumë armiq në radhët e artistëve e të gjitha shtresave të popullsisë; se këto masa shtrenguese tregojnë se regjimi është në vështirësi; se regjimi ka për qëllim të krijojë frikë dhe panik në popull; në Jugosllavi është situata më e mirë, pasi sipas tij jugosllavët dinë të bëjnë politikë dhe e kanë mirë me të gjithë dhe marrin të mira prej të gjithëve…; në Shqipëri ekziston një atmosferë mbytëse dhe terrori; udhëheqësit gjoja janë bërë si feudalët...

Me sa duket në materialet e Sigurimit të Shtetit, në një moment të caktuar, violinisti ka kuptuar se është nën survejim dhe për shkak të shqetësimit ka përfunduar në spitalin e  psikiatrisë me krizë nervore. Ndërsa në dosje theksohet se ai e kishte sajuar këtë krizë nervore për t'i shpëtuar ndëshkimit: “Kohët e fundit, duke menduar se mund të hiqet nga Teatri i Operas për shkak se ka gruan të huaj, u shtrua në spitalin e psikiatrisë për tronditje nervore”, shkruhet në dosje. E gjithë kjo situatë e përmbledhur nga bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit të krijon përshtypjen se violinisti do të përfundonte shpejt në burg. Në fund të raportit informativ për violinistin, bashkëpunëtorët sugjerojnë që ai të pushohet nga puna dhe të largohet edhe nga kryeqyteti.

Historia dramatike që na vjen përmes kësaj dosje, na tregon se sa e vështirë ishte ajo kohë për artistët si për mbarë popullin shqiptar. Tregon se në një mjedis të tillë nën terror dhe presion psikologjik ishte kaq e pamundur të bëjë art në Shqipëri. Jeta e këtij violinisti nën survejimin dhe presionin e Sigurimit të Shtetit, që e çoi në psikiatri, e tregon më së miri historinë tonë të diktaturës komuniste./kujto.al

blank

Shënim: Në artikutj e ardhshëm do të pasqyrojmë historinë e disa artistëve të tjerë të teatrit të Operas dhe Baletit

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here