Dëbimi i tretë i familjes Bazelli... në 2021-shin

0
956
blank

Thirrje për të zgjidhur çështjen e strehimit të familjes së përndjekur në diktaturë që para pak ditësh është nxjerrë nga banesa ku jetonte prej 30 vitesh

Të të nxjerrin me dhunë nga shtëpia. Të lësh gjithçka brenda: plaçkat, shtrojet, sendet personale, kujtimet, ilaçet dhe të dalësh jashtë vetëm me rrobat e trupit. Pastaj shtëpisë t’i vihet dryni. Ky rend ngjarjesh, që vetëm ata që e kanë provuar e dinë sa traumatik është, përshkruhet shpesh në historitë e të internuarve nga regjimi komunist. Është thuajse një histori identike që përsëritet për familje të ndryshme, në vite të ndryshme: 1951, 1961, 1971…Kështu i ka ndodhur dhe familjes Bazelli. Vetëm se ajo tani po përshkruan një ngjarje të vitit 2021. Dy të moshuar 90 dhe 81 vjeç janë nxjerrë nga banesa ku jetonin prej 30 vitesh, sepse sipas Bashkisë së Pogradecit, mjediset duhet t'i kalojnë në dispozicion kopshtit që ndodhet po në atë banesë.

Familja Bazelli, kur u kthye nga internimi në vitin 1991, u vendos në një godinë shtetërore në Pogradec, qytet nga burri i kësaj shtëpie ishte dëbuar me familjen e tij në vitin 1951 për shkak se një xhaxha i tyre ishte arratisur. Provoi kampet me telat me gjemba, punën në kënetë, plot 10 vjet internim... Më pas, masa e dënimit, u kthye në dëbim.

Ai mbetën në rrethinat e Fierit, pa mundur të kthehej në qytetin e tij ku i kishin sekuestruar shtëpinë dhe çdo pasuri. Fëmijët i lindën në internim. Ata nuk u lejuan të vazhdonin as gjimnazin, duke u detyruar të punonin në kanale që në moshën 14 vjeç. U liruan vetëm në vitin 1991 dhe u strehuan në këtë banesë ku kanë banuar deri para pak ditësh, kur u nxorën me forcë. Ndryshe nga të përndjekur të tjerë, ata nuk mundën të siguronin një banesë në pallatin që u ndërtua për ish-të përndjekurit dhe nisën procedurat për privatizimin e banesës ku jetonin. Privatizimi nuk u finalizua kurrë dhe tani shteti, si pronar i banesës, i ka nxjerrë jashtë, si 70 vjet më parë, duke i lënë sërish të shpronësuar dhe të përbuzur.

News 24 dhe Balkan Web që e kanë bërë publike këtë histori sqarojnë edhe qëndrimin e Bashkisë së Pogradecit, sipas së cilës familja ishte lajmëruar disa herë të largohej nga banesa me dëshirë dhe i ishte ofruar një bonus qiraje 2-vjeçare, të cilën ata nuk e kishin pranuar. Me kaq, duket se Bashkia e konsideron të plotësuar detyrimin e saj dhe e përligj vendimin për të nxjerrë në qiell të hapur këtë familje, e cila po jeton përsëritjen e historisë poshtëruese, 30 vjet larg nga koha kur menduan se shpëtuan. “Përsëri pas 30 vjetësh, po na internojnë. Ky është internimi i tretë për ne. Ky është makabër”, ka thënë Virgjinush Bazelli, vajza e familjes.

Më poshtë, janë deklaratat e zonjës Zinet Bazelli, së bijës Virgjinush Bazelli dhe kreut të Shoqatës së të Përndjekurve të Pogradecit Et’hem Fejzollari dhënë për mikrofonin e News 24.

Zinet Bazelli, nëna e familjes

"Bashkia na ka nxjerrë. Erdhën dy çuna civilë. Erdhi polici atje: "Nënë, na vjen keq, nuk kemi çfarë të bëjmë". Erdhën me forcë, më nxorën. Pastaj tim shoq, e shtynë, e nxorën jashtë. Një shapkë e kam brenda, një e kam jashtë. Edhe brenda është plaçka. As ilaçet kam marrë, asgjë. Ne kështu na ka ecur jeta, në internime, në dëbime…

Vijmë nga kampi i Fierit. Na futi Bashkia këtu. Morën ata të tjerët, ne nuk arritëm dot të merrnim. Na lanë këtu. Asnjë kryetar nuk na trokiti në derë. Na erdhën letrat pa vendim. Është e katërta herë që më bëhet kjo gjë. Unë nuk e di arsyen e tyre përse më nxjerrin. I duan këto shtëpi? Le t’i marrin. Ama të më strehojnë kokën. Më kanë nxjerrë në rrugë të madhe. Ku të vete? Djemtë e mi kanë ikur në kurbet për bukën e gojës. Ku të vete? Unë nuk i njoh pogradecarët. Ku të vete të fus kokën? Ju lutem më ndihmoni se unë sot jam jashtë. As kriminele s’jam, as hajdute s’jam. S’kam bërë asgjë….Pasuritë na i kanë marrë. Dëmshpërblime s’ka marrë burri im, ka qenë në tela me gjemba….pesë vjet në kënetë…Ndihmë ekonomike s’më dhanë, punë për fëmijët s’më dhanë. As punë, as lekë, asgjë, vetëm që na tha Bashkia “këtu do rrini”, këtu ndenjëm.

Virgjinush Bazelli, vajza e familjes

"Familja ime që nga viti 1951 është internuar nga qyteti i Pogradecit, në rrethinat e Fierit, në kampin e Shtyllasit, në Mallakastër, gjithandej. U internuan 10 vjet sepse është arratisur xhaxhai i tyre. Pas internimit, kanë bërë dëbim deri në ’91-shin. Ne fëmijët kemi lindur në kampe internimi. Nuk mundem dot të përshkruaj jetën time. Jeta ime ka qenë një tmerr. Unë kam lindur në kampet e internimit”, thotë Vergjinush Bazelli mes ngashërimash.

"Ne ishim katër fëmijë. Nuk na dhanë të drejtën e studimit. Na lanë me tetë klasë shkollë. Kërkoja shkollë, nuk na jepej e drejta e studimit. Kam filluar punë në moshën 14 vjeç, në kanalet e Myzeqesë.

Me ardhjen e demokracisë, thamë: Shyqyr u liruam! Po Bashkia e Pogradecit na ka sjellë në ’91-shin në këtë banesë ku jetojmë prej 30 vitesh. Jemi me vendim. Vendimi i parë ishte i ’91-shit. Ishim tetë familje dhe ato familje u sistemuan në pallatin që u bë, të ish-të përndjekurve…Prindërit janë nxjerrë me dhunë. Ne jemi me vendim. Në ’94-ën, kemi marrë vendim të formës së prerë dhe Bashkia e këtij qyteti na futi, na la në këto banesa. I futëm për privatizim. E kemi nga arsimi, nga shëndetësia, me matje nga inxhinieri i Bashkisë së qytetit. Janë të gjitha procedurat. Atëherë, i morën dhe “hajde se do t’i privatizojmë”. Prindërit i kam në moshë madhore. Babai është 90 vjeç, mamaja ime 81 vjeçare. Dhe tani këta thonë: Kanë humbur dokumentet, nuk ka dokumente. Si nuk ka dokumente, kur janë dorëzuar për privatizim? Kemi 30 vjet. Atëherë ligji e thotë qartë dhe pastër: pas 30 vjetësh, jemi bashkëpronarë me shtetin…I ka nxjerrë në mënyrë brutale. Me plaçkat brenda. Pa një vendim zyrtar. Marrin vendimin e ’91-shit, që ka qenë provizor sepse vendimi i ’94-ës, është I formës së prerë nga Bashkia. Tani, ata marrin vetëm vendimin e ’91-shit dhe thonë vendimi juaj ka mbaruar…

Përsëri pas 30 vjetësh, po na internojnë. Ky është internimi i tretë për ne. Ky është makabër.

Kam vajtur në Bashkinë e qytetit të Pogradecit. Nuk më ka pritur kryetari. Ka një vit që nuk bën pritje. Kam vajtur te nënkryetari. As ai nuk bën pritje. Kush të pret?!

blank
Hyrja kryesore e baneses, e mbyllur me dryn. Pamjet nga Balkan Web.

Et’hem Fejzollari, ish-i dënuar politik, kreu i Shoqatës së të Përndjekurve

"Qeveria e asaj kohe ndau disa banesa për të dënuarit politikë. Sidomos për të persekutuarit që ishin të internuar në zonën e Fierit dhe Lushnjës. Fatkeqësisht, kjo familje, duke qenë që nuk kishte hyrje në atë pallat që u bë, I instaluan këtu. Kanë kërkuar të legalizojnë pallatin, por kanë bërë një gabim të madh: e kanë dorëzuar dokumentin noterial, origjinal, në Bashki, për ta legalizuar. Ky dokument, unë nuk e di, se ku ka shkuar. Por sipas ligjit shqiptar, nëse kanë kaluar 20 vjet dhe disponon një pronë, automatikisht prona shkon te pronari që ka jetuar…Unë në këtë rast i bëj thirrje Bashkisë të vërë dorën në zemër. I di shumë mirë vuajtjet e tyre në kampet e përqendrimit, i shoqi ka qenë në burgje… sepse jam dhe unë dëshmitar okular sepse kam qenë dhe vetë i internuar, por fatmirësisht na kanë liruar më shpejt, kurse këta i liruan vetëm me ardhjen e demokracisë. Gjithë jeta kaluar në skëterrë. I bëj thirrje Bashkisë: O ta instalojë gjetkë, t’i gjejë shtëpi gjetkë, ose ta lirojë, të vijë të heqë këtë çelës, se mjaft kemi parë zinxhirë dhe çelësa për 70 vjet”.

Mbështetur në specialen e News 24, e plotë në këtë link.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here