1990/Vrasja e 4-vjeçares në kufi

0
4334
blank

E vrara më e re me armë zjarri nga komunistët është një 4-vjeçare nga Shkodra. Vrasja nuk i takon viteve të largëta kur filloi regjimi komunist, por vitit 1990, në fundit të tij. Aleksandër Grusa, në vitet 1980-1986 kish punuar si kujdestar motorist në postë kufitare, ishte liruar nga detyra sepse kish lejuar një arratisje dhe se i ishte arratisur edhe djali i xhaxhait. Katër vjet pas lirimit, ai ndërmori një akt të guximshëm duke marrë një nga mjetet detare e duke kaluar kufirin shtetëror.

Rreth orës 12.30 të datës 11.9.1990 në postën kufitare të Zogajt në rrethin e Shkodrës, një grup prej 16 personash nga Shkodra i kryesuar nga ish-nënoficeri Aleksandër Gruda, sulmuan në befasi motoskafin kur ky ndodhej në Shirokë. Pasi zunë në befasi rojen, i marrin armën.

Një ushtar lajmëron në Shirokë për sulmin ndaj motoskafit. Mjetet e atyshme vihen në ndjekje duke qëlluar drejt motoskafit. Nga qitja e armëve vritet vajza e Aleksandrit, Anisa, duke u bërë më e vogla e vrarë në kufi në vitin 1990. Trupi i saj mbërriti pa jetë buzë kufirit dhe u varros në Tuz.

Së bashku me grupin e 16 personave, kaluan kufirin edhe nënoficeri Abdyl Halaj, ushtarët Fatos Shameti nga Vlora dhe Gjovalin Gjini nga Puka (të cilët u kthyen më 18.9.1990).

Dy mjetet lundruese nuk ishin siguruar mirë. Nga 12 veta që kishte motoskafi, ishin vetëm 3 ushtarë dhe një nënoficer. Të tjerët ishin larguar, kush për të blerë cigare, e kush për t’u qethur. Në informacionet e para zyrtare nuk njihet fakti i vrasjes së vajzës së vogël. Mirëpo ku fakt nuk shënohet as kur kthehen nënoficeri dhe ushtarët.

U morën në ndjekje penale ish-komandanti i motoskafit Rasim Beqiri, komandanti i anijes Baki Huti, nënoficer Abdyl Halaj iu dhanë gjyqit për shpërdorim detyre.

Në analizën e datës 21.9.1990 të sektorit të Sigurimit në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër, ndër të tjera thuhej: “Elementi armik mundi të grabisë anijen dhe motoskafin, sepse u cenua rëndë gatishmëria luftarake. Këtë e konfirmoi fakti që nga 12 veta (kuadër dhe ushtar), vetëm 3 ushtarë dhe një nënoficer kanë qenë në anije, pra 33% e efektivit. Ish-komandanti i anijes Beqir Huti, largohet nga anija në orën 10.00 pa lejen e komandës së batalionit, nënoficer Rasim Beqiri (komandant i motoskafit), duke qenë me shërbim, largohet nga vendi i shërbimit dhe shkon në Shirokë, 3 marinarë largohen nga anija e motoskafit për në Shkodër. Kështu u shkel rëndë disiplina dhe gatishmëria luftarake. Këtë shkelje e shfrytëzoi armiku i klasës, i cili kishte studiuar kohë më parë dhe veproi kundër nesh duke na gjetur bosh, në gjumë e të papërgatitur”.

Aleksandri emigroi në SHBA.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here