Uran Butka, njeriu që nuk u thye nga komunizmi

0
1977
blank

Fëmijëria në kampin me tela me gjemba të Krujës. Dëbimi për vite me radhë në zona të thella dhe mohimi i profesionit. Jeta e pazakontë e Uran Butkës dhe familjes së tij dhe forca e jashtëzakonshme për t'u rezistuar mundimeve

Fëmijët janë kuriozë prej natyre; duan ta kuptojnë botën në një ditë, ndaj pyesin pa u lodhur: “pse…?”, “pse…?”, por Uran Butka, në atë moshë, ka pasur shumë më tepër arsye për të pyetur “pse?”, në përpjekje për të kuptuar çfarë ndodhte rreth tij. Rreth fëmijërisë së Uranit janë vërtitur ngjarjet më të rëndësishme të viteve ’40 dhe familja e tij ndodhej në zemër të tyre, siç ishte bërë traditë tashmë te Butkat që në fillim të shekullit të kaluar. I ati, Safet Butka, një intelektual i shkolluar në Austri, pedagog në disa shkolla të mesme të Shqipërisë, udhëhoqi protestat e nxënësve kundër pushtimit fashist dhe pasi u kthye nga internimi në Ventotene, mori armët kundër pushtuesve duke themeluar çetën nacionaliste të Kolonjës dhe më pas duke marrë drejtimin e çetave nacionaliste të gjithë qarkut të Korçës. Mirëpo pasi kishte zhvilluar disa beteja të rëndësishme kundër gjermanëve, me prishjen e marrëveshjes së Mukjes, rrethohet nga partizanët, ndaj të cilëve nuk pranon të luftojë, sepse siç tha vetë: “Nuk kemi dalë të vrasim shqiptarët. Të parin dhe të vetmin shqiptar që unë mund të vras, është vetja ime” dhe ashtu veproi.

blank
Safet Butka

Ishte shtator 1943. Urani ishte një fëmijë i vogël, që shumë pyetje “pse?” i kanë ngelur pa përgjigje në atë kohë. Nuk do të kalonte shumë kohë dhe ato pyetje do zmadhoheshin me përmasa të paperceptueshme. Me t’u vendosur regjimi komunist, familja Butka, gra e fëmijë internohen në kampin me tela me gjemba të Krujës, të parin kamp internimi në Shqipëri që bashkë me atë të Beratit shërbyen si baza për familjet e “armiqve”.

“Më kujtohet një ngjarje e tmerrshme. Kur gjyshja u afrua tek telat me gjemba dhe i kërkoi një krutani pak çaj se po digjej nga temperatuta e lartë mbesa. Krutani ia solli çajin, por të nesërmen morëm vesh se roja ishte zhdukur dhe krutanin e kishin varur ne sheshin e qytetit. Në atë kohë unë isha 7 vjeç”, ka rrëfyer Uran Butka në emisionin “Dosja K” të gazetares Admirina Peçi, në Report Tv.

blank
Bashkeshortja e Uran Butkes, Merjemja

Me kalimin e kohës, megjithëse ende fëmijë, Urani duhet të ketë hequr dorë nga të pyeturit me zë të lartë “pse?”. Jo vetëm sepse ajo që ndodhte rreth tij nuk kishte kuptim, por edhe sepse të merrte përgjigje, ishte e rrezikshme. Erdhi një kohë kur familja u kthye në Tiranë. E ëma, që duhet të rriste e vetme 4 fëmijë, punonte në fabrikën e tullave dhe përpiqej të ishte sa më e padukshme sepse nëse dikush nga komunistët do e shihte nuk do nguronte të bënte me gisht drejt saj si reaksionare dhe një vendim tjetër internimi mund t’i jepej familjes në bazë të humorit të asaj dite të komunistit, por kjo nuk ndodhi. I shpëtuan internimit gjatë asaj periudhe, por jo për gjithmonë.  Edhe pse Urani bënte një jetë të qetë, nuk do të lihej i qetë. Ai përfundoi shkollën e mesme, më pas dhe të lartën me korrespondencë dhe nisi të punojë mësues letërsie në Fier e Krujë, ku kthehej sërish pas internimit të fëmijërisë. Atje, përgatisin një plan për ta arrestuar, madje në sy të nxënësve, por ndërhyrja e drejtorit të gjimnazit dhe fakti që sekretari i parë i rrethit, kishte qenë nxënës i Safet Butkës në Gjirokastër, e shpëtuan nga arrestimi, por jo nga dënimi. Fillimisht e çojnë në fshatin Derven dhe më pas e shkarkojnë si mësues. Në këto kushte, kur arsimi u bë i ndaluar për intelektualin e ri, Urani u detyrua të përshtatej. Kreu shkollën e mesme artistike në Tiranë dhe u vendos si dizenjator në fabrikën e këpucëve. Edhe pse nuk e kishte menduar, ky vend pune i solli një nga gjërat më të mira të jetës: njohjen me Merjemen, doktoreshën që kishte ardhur për një studim mjekësie në fabrikë, e cila u bë bashkëshortja që do e shoqëronte dhe nuk do e braktiste në asnjë nga vështirësitë që do vinin më pas, pa pranuar të ndahej prej tij. “Ku do të jetë ai, do të jem dhe unë”, iu përgjigj ajo presioneve. Fillimisht i çuan në Tropojë, por për shkak të afërsisë me kufirin, i zhvendosën në Fierzë. “Mirëpo Fierza ishte një qytet i populluar. Në qendrën e edukimit, na bënë diskretitimin publik. E ngritën më këmbë Merjemen dhe i thanë: “Pse ke ardhur këtu?”. “Më ka sjellë qeveria për të punuar si mjeke”, u përgjigj ajo. “Pse nuk tregon të vërtetën?”- i thanë. Vajza gjashtë muajshe në krahë të saj filloi të qajë. “Mbyllja gojën asaj gërnjareje”- i thanë. Ndërkohë u ngrita unë: Ja ku jam unë, çfarë keni me këtë? Unë jam djali i Safet Butkës, që ka qenë antifashist dhe nuk ka vrarë asnjë shqiptar, përveç vetes. U ngrit një drejtor shkolle dhe tha se ky, more shokë, po na i bën ballistët patriotë! U ngritën dhe disa punëtorë (apo sigurimsa) dhe thanë që t’u varim një gur në qafë dhe t’i hedhim në Drin. Merjemes iu pre dhe qumështi i gjirit në atë moment. U tmerrua. I thashë që të ikë në Tiranë te nëna, sepse mua siç duket do të më arrestojnë...Mirëpo, një teknik kolonjar i ndershëm, u ngrit e tha: “Çfarë po bëni kështu? Kjo është familje patriote, shoku Enver ka folur mirë për Sali Butkën dhe për Gani Butkën”. Kështu u shty pak çështja. Sa të zgjidhej, na vendosën në qytetin Bajram Curri. Atje Merjemen e thirri shefi i policisë dhe i tha që të dorëzonte shtëpinë në Tiranë. Ajo i tha që kishin ardhur provizorisht dhe se atje banonte nëna. Polici i tha: “ Ke ardhur këtu përgjithmonë dhe këtu do vdesësh!”, tregon Uran Butka. Si përfundim, në fillim të vitit 1977, i çuan në Martanesh, ku Merjemja me specialitet nefrologe, punonte si mjeke e përgjithshme, ndërsa Urani, si llogaritar i këshillit duke zëvendësuar një person me fillore. Kaluan rreth 11 vjet, rrëzë Malit të Snoit, jo vetëm larg kufirit, por edhe njerëzve. Nuk ishin vite të lehta. Atyre si intelektualë, iu ishte hequr çdo mundësi rritjeje, Merjemes si mjeke, me mundësitë e pakta që kishte në dispozicion, i ishin shtuar përgjegjësitë, ndërkohë që etiketimi “reaksionarë” i ndiqte edhe atje. Nga fëmijët që i kishin lënë në Tiranë, i ndante leja e Degës së Brendshme dhe shumë kilometra rrugë të vështirë, një pjesë të të cilave i përshkonin në këmbë.

“Kur vinim në Tiranë për të parë fëmijët me lejen e Degës së Brendshme, udhëtonim gjatë dimrit në rrugën e vështirë nga Martaneshi në Krastë dy orë më këmbë, mandej me makinat e kromit në Bulqizë, Burrel, Laç dhe Tiranë. Gjatë verës, dilnim në Bizë më këmbë, duke udhëtuar 3-4 orë, mandej me kamionët e druve, për Shëngjergj dhe Tiranë”, kujton Uran Butka.

Vetëm me fillimin e lëvizjeve demokratike, çifti do të rikthehej në Tiranë, ku më pas Uran Butka gjen veten si intelektual dhe qytetar i angazhuar me një përfshirje aktive në politikë, në shoqëri, në media dhe në fushën e studimeve, të cilave iu është përkushtuar ekskluzivisht gjatë këtyre viteve. Ka studiuar dhe publikuar libra mbi ngjarje dhe personalitete të historisë shqiptare, me parimin e zbulimit dhe nxjerrjes në dritë të të vërtetave historike, çfarë po e bën me një pasion të veçantë së fundmi me Mid’hat Frashërin, teksa drejton prej 4 vitesh institutin e studimeve “Lumo Skëndo”. Janë studime që Shqipërisë i duhen si shiu tokës. Para së kaluarës së tyre, shqiptarët janë fëmijë që duhet të pyesin “pse?” dhe të marrin përgjigje të vërteta.  Uran Butka, me këmbënguljen e tij, duket se i ka gjetur ca nga ato përgjigjet që nuk mund t’i merrte në fëmijëri.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here