Telegrami nga burgu i Spaçit

0
742
blank

“Me lot në sy e me hidhërim në zemër marrim pjesë në vdekjen e parakohëshme të Rexhepit tonë të dashtun. Mbahuni si burrat, dujeni e ndihmojeni njani-tjetrin. Tuajt përjetë Sokol Sokoli dhe Jetulla Gashi

Ky tekst tragjik mbërriti në familjën e Rexhep Ukë Goçit, nëntorin e vitit 1982. Rexhepi ishte vrarë nga policët e burgut të Spaçit, dhe trupi i tij ishte ende i dënuar me burg. Si në të gjitha rastet e tjera kur një i dënuar në burgjet e diktaturës, ndërronte jetë për shkak të sëmundjeve apo vritej nga xhelatët, familjarët nuk kishin të drejtë ta merrnin trupin e të ndjerit për t'i bërë nderimet e fundit. Kështu, trupi i Rexhep Ukë Goçit, u varros në varrezat e fshatit Shpal në Mirditë, afër kampit burg të Spaçit.

Dy të dënuar miq të të ndjerit Rexhep, dërguan një telegram ngushëllimi për të vënë në dijeni familjen pasi regjimi nuk lajmëronte gjithnjë në kohë. Kishte raste kur familjarët e merrnin vesh vdekjen e të afërmit të tyre kur vinin në takimin e radhës në burg.

Telegrami i Sokol Sokolit e Jetulla Gashit, është publikuar nga studiuesi Kastriot Dervishi.

“I vrarë në Spaç

Telegrami i ngushëllimit që të dënuarit Sokol Sokoli (emri shkruar gabim nga posta) dhe Jetulla Gashi i dërgonin familjes së Rexhep Ukë Goçit në nëntor 1982. Rexhepi ishte arrestuar më 14.2.1975, por u vra në moshën 45 vjeçare gjatë vuajtjes së dënimit në Repartin nr.303 Spaç. Kufoma u vendos në varrin nr.42 të varrezës së fshatit Shpal.

Eshtrat u gjetën nga familja e tij rreth vitit 1993 dhe u varrosën në Tropojë”, shkruan Dervishi, krahas fotografisë së telegramit.

Sokol Sokoli do të vazhdonte betejën e tij me diktaturën brenda hekurave e nën dhunën e frikshme të punës së detyruar deri në maj të vitit 1984 kur u bë protagonisti kryesor i revoltës së Qafë-Barit. Sokol Sokoli u pushkatua nga regjimi bashkë me Tom Ndojën. Nuk dimë nëse  miqtë e tij patën mundësi të dërgojnë telegramin e  ngushëllimit në shtëpinë e Sokolit, por dimë me siguri se Sokol Sokoli, ishte një ndër djemtë trima që ngriti krye kundër regjimit në kampet e burgjet ku e patën dënuar padrejtësisht. Ai mbahet mend prej bashkëvuajtësve si një ndër më guximtarët që nuk reshti së luftuari për liri deri në frymën e fundit, kur diktatori i mori jetën përdhunshëm.

blank

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here