Të vdekurit në kampet e Vloçishtit dhe të Bedenit

0
1160
blank

Në pjesën e dytë të rrëfimit të tij, Skënder Dume përmend emrat e martirëve që humbën jetën nga kushtet e vështira të banimit dhe të punës në kampet e Vloçishtit dhe të Bedenit. Ai përmend emrat e xhelatëve të këtyre kampeve, si dhe kushtet në të cilat ata ushtronin torturën e tyre.

 (vijon dëshmia e Skënder Dumes)

Të varrosur të gjallë

Për sa i përket punës, çdo i burgosur, në këto kondita të vështira duhej të plotësonte normën e caktuar, mbasi përndryshe, je vetëm që e rrihnin, por i prisnin ushqimin dhe duhanin. Të rinjtë duhej të plotësonin nga 2-3 norma, ndryshe konsideroheshin sabotatorë, pasi ata gjoja kishin mundësi të jepnin rendiment më tepër.

Të gjithë intelektualët dhe veçanërisht fetarët ishin ata që rriheshin më tepër për t’u bërë shembull ne të tjerët.

Për të dhënë tmerr në masat, përditë policët futnin në kanal dhe mbulonin të gjallë me dhe e me ujë shumë veta nga këto kategori. Kam parë me sytë e mi kur rreshteri i policisë Hito Hito ka mbuluar të gjallë në kanal Tefik Hoxhën nga Elbasani, ish-nënkolonel Sulejman Vuçiternën, një avokat, Baba Qazimin dhe Josif Papamihalin, kryetar i kishës unite (në origjinal thotë gabimisht “katolike”) të Korçës.

Përveç këtyre torturave, për të cilat kish urdhëruar drejtori vetë, ky një ditë vrau vetë një të burgosur me shkelma dhe pushkatoi 5 të tjerë, ndërmjet të cilëve më vjen ndër mend Nesim Luarasi, një djalë i ri nacionalist, i cili qysh prej një viti ndodhej i rënë në shtrat nga pneumonia dhe që u mor në kamp me batanije, pasi nuk ishte në gjendje të ngrihej vetë.

Nga gjithë këto vuajtje, dëshpërimi kishte arritur kulmin një ditë kur tregtari Kiço Misrasi nga Korça vari veten me një copë tel në kamp.

Drejtori i kampit ishte sa injorant aq edhe egërsirë nga shpirti. Një ditë na mblodhi të gjithëve në kamp, natyrisht jashtë orarit të punës dhe pas një diskursi të gjatë që mundet të bëhet prej një xhahili në këtë rast, na tha se gjoja një shoku ynë student, i cili mban shtetësinë amerikane kishte biseduar me disa veta për liri dhe demokraci. Mbasi shau këtë me fjalët më të ndyra e lidhi pas një shtylle, ku e la 3 ditë e 3 net. Ky i ri i rritur dhe i edukuar nga prindërit me idenë e lirisë, nuk u përul përpara këtyre torturave, por qëndroi dhe qëndron gjithnjë si një granit.

Meqenëse familjet tona kishin dëgjuar për punën e rëndë që bënim, me qëllim që të na ndihmonin, na dërgonin ndonjë pako me sende ushqimore. Mirëpo Skënderi (Xhemali-shënim) dhe Vaska (Deshiri-shënim) i mbanin për veten e tyre dhe ne për të mos kërkuar, na thërrisnin natën në zyrë dhe na rrihnin me pretekste se gjoja bisedonim politikë me njëri-tjetrin.

Drejtori shpeshherë mblidhte nga të burgosurit me mijëra lekë me qëllim se gjoja do të na përmirësonte ushqimin. Ishte mësuar në Korçë me fushatat e këtilla që bënte në burg, me unazat, sanatet dhe stilografët që mori nga gjithë ata që u arrestuan dhe me vlerën e tyre ngriti edhe një pallat tjetër në Korçë.

Nga gjithë këtë vuajtje, si nga torturat, nga uria, nga sëmundjet dhe nga plumbat e policëve, në këtë kamp vdiqën 132 të burgosur, midis të cilëve mbaj mend këto emra: At Josif Papamihali-kryetar i kishës unite të Korçës, Dervish Mediu i teqesë së Leskovikut, tregtar Lakoja, Abdulla Peltusha nga Pogradeci, Sabri Çelo nga Leskoviku, Nikollë Tirana-tregtar nga Durrësi, Karafil Bylykbashi nga Bilishti, Virtyt Gjylbegaj nga Shkodra, Bexhet Frashëri, Ymer Faslliu, Tefik Hoxha, nënkolonel Sulejman Vuçiterna, Baba Qazimi.

Po ata xhelatë

Në vitin 1949 pata fatin e keq të vete në punë përsëri në kampin e Bedenit në Kavajë, në të cilin, në vitin e parë kishin punuar shokët tanë të (burgjeve) Vlorës, Shkodrës, Beratit dhe Gjirokastrës. Kishin vdekur nga duart e aspirantit të policisë Haxhi Pelës, nacionalistët më të mirë, si Jaçe Zleusha nga Përmeti e të tjerë. Kam parë me sytë e mi varret e këtyre njerëzve që u mbuluan të gjallë. Puna, ushqimi dhe torturat edhe këtë vit kanë qenë për njësoj si ato të Vloçishtit. Shumë prej shokëve tanë nuk u kthyen më në Korçë.

Nga një shok i imi që mbaroi dënimin dhe u lirua këtë vit, mësova se edhe në vitin 1950 trajtimet e të burgosurve kanë qenë edhe më të këqija, sidomos në kampet dhe shumë të burgosur kanë vdekur.

Këlyshët e kuq të Stalinit, të cilët e kanë zënë popullin tonë në grykë, pretendojnë gjoja se partia e tyre pas ekzekutimit të Koçi Xoxes bëri një kthesë të madhe. Kjo nuk është aspak e vërtetë, ata po tregohen edhe më të egër e të pamëshirshëm. Çfarë do të thonë vallë për vrasjen që i bënë me dru vitin e kaluar Luigj Lulit në kampin e Bedenit?

Kur Hito Hitaj ka mbuluar të gjallë shqiptarët më të mirë në kohën e Koçi Xoxes, pse u gradua mareshal dhe sot ruan ministrin sovjetik në Tiranë? Natyrisht pse është besniku i tyre dhe vetëm atij mund t’i besohet sigurimi i jetës së Çuvakinit.

Përse vallë drejtori i burgut të Korçës, Tasi Marko, i cili u konsiderua si njeriu i Koçit, u dërgua përsëri më 1950 si drejtori i kampit të Pojanit, ku përsëriti edhe njëherë ato që bëri dy vjet më parë në Vloçisht dhe u gradua toger i policisë. Vetvetiu kuptohet: për shërbimet dhe meritat.

***

Mehmet Shehu dhe Enveri po tregohen më të pamëshirshmit jo vetëm kundrejt kundërshtarëve politikë, por edhe me njerëzit më të thjeshtë të vendit dhe zgjedha e popullit shqiptar po bëhet edhe më e rëndë. Mirëpo ekzekutimet në masë, burgimet, internimet në kampin e Tepelenës dhe të Kamzës afër Tiranës, të grave, të pleqve dhe fëmijëve të vegjël dhe gjithë vuajtjet e tjera që po heq populli ynë, i bëjnë edhe kalamajtë e djepit më të fortë dhe më armiq të Kremlinit, e me besim më të madh se dita e lirisë, për të cilën dhanë jetën mijëra shqiptarë, po afrohet, se flamuri dykrenor pa shpatat e liktorit dhe yllin e kuq me drapër e çekan do të valojë në qiellin e kaltër të atdheut tonë./kujto.al

Lexoni edhe: Skender Dume rrefen punen ne kampin e vdekjes te Vlocishtit

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here