Takimi i parë me babanë përmes telave me gjemba

0
793
blank

Ju rrëfej vuajtjet e babait tim Shaban Plaka 20 vjet në burgjet komuniste; vuajtjet e gjyshes sime Hanko Plaka, që humbi tre djemtë e saj: një dëshmor e dy të tjerë të burgosur politikë nga diktatura; vuajtjet e nënës sime, Behije Plaka, që më lindi një muaj pasi u burgos babai. Ju rrëfej si e njoha tim atë pas hekurave të burgut; vuajtjet e një fëmije bir “kulaku”;  si u rrita e u burrërova me damkën e “armikut të popullit”, pa të drejtën e triskës së frontit për 46 vjet, deri kur erdhi demokracia.

Nga Ilmi Plaka

Ishte një ditë pranvere e vitit 1949. Sapo kisha mbushur pesë vjeç. Nëna ime Behija, më veshi me rrobat më të mira që kisha dhe më tha se bashkë me gjyshen time do të niseshim për rrugë.

Nuk e dija fare se ku do të shkonim, por u gëzova shumë kur vesha rrobat e mira dhe do të nisesha për shëtitje, kështu e kuptoja unë në atë kohë. Mbaj mend çdo detaj, qysh kur me vishte nëna me kujdes. Mbaj mend edhe gjyshen, që kishte mbledhur disa trasta dhe po i mbushte me ushqime e rroba.

U nisëm herët në mëngjes. Pasi ecëm më këmbë një rrugë të gjatë, u ulëm të pushojmë pak dhe me ne u bashkua edhe nusja e dajës dhe kushëriri im. Nëna më afroi në prehër dhe nisi të më tregonte se ku do të shkonim. Më tha se do të kalonim disa qytete e fshatra, shumë fusha e male. Do të shkonim në një vend që quhej Kuçovë, të cilin e dëgjoja për herë të parë. Pastaj vazhdoi të më tregonte se aty do të gjenim babain tim.

blankU emocionova shumë. Nuk e kisha takuar kurrë në jetë babain tim. Unë linda një muaj pasi babai ishte arrestuar. Kisha dëgjuar nga nëna e gjyshja shumë rrëfime për të, por nuk e njihja babain tim. Nuk e kuptoja dot, pse unë, si fëmijë, nuk kisha një baba, sepse shokët e mi e kishin.

Kisha arritur të kuptoja, se babai të mbron. Kur e pyesja nënën, se pse unë nuk kam baba, ajo më thoshte: - Ti e ke babain, por është diku larg, duke punuar që të na sjellë para për të blerë bukë.

Ecëm me këmbë disa orë dhe mbërritëm në qytet, në Elbasan. Pritëm atje disa orë, derisa erdhi një makinë. Hipëm mbi karrocerinë e saj dhe ecëm për disa orë. Ndaluam në një qytet tjetër, pastaj zbritëm, pritëm disa orë, derisa erdhi një makinë tjetër. Pas disa orësh të tjera udhëtimi mbërritëm në një vend tjetër që më dukej aq larg, sikur ishim në fundin e botës.

Zbritëm nga makina me nënën dhe gjyshen, bashkë me kushëririn tim dhe nënën e tij. Atje më mori nëna afër dhe më tha se do të takonim babain… Nuk e harroj kurrë. Ecëm edhe pak prej ku na la makina dhe ndaluam.

Ishte  një vend i rrethuar me tela me gjemba, rreth shtatë– tetë metra të lartë. Gjyshja u afrua te porta dhe diçka bisedoi me një polic. Qëndruam pak minuta dhe para nesh u shfaqën gjashtë burra. Aty afër nesh kishte edhe disa familje të tjera që qëndronin në heshtje. Askush nuk fliste. Pas pak minutash na urdhëruan të futeshim te porta.

Brenda telave me gjemba, ishte një tjetër rresht, po me tela me gjemba. Ishte një si korridor i vogël, aty ku na thanë të qëndrojmë… Përballë nesh u shfaqën ata gjashtë burra.

  • Nisu! - më tha nëna. Shko e takoje babanë!

Unë u nisa me vrap, por në mes të rrugës ndalova. Nuk e dija cili nga ata të gjashtë burrat ishte babai im. Pas pak, babai u shkëput, e u nis drejt meje dhe unë e kuptova. Shkova e iu hodha në qafë. Më pushtoi me përqafime duke qarë me dënesë. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë.

Nuk e di se sa kemi qëndruar me babanë. Nuk foli gjatë me nënën e gjyshen, por veç me mua. Më thoshte: - Po ti je rrit’, je bërë burrë.

Dhe sytë i kishte gjithnjë me lot. U përqafova sërish me babanë dhe u ndamë. Morëm rrugën e kthimit. Gjyshja qante thuajse gjithë rrugës. Nëna qëndronte e heshtur, ndërsa unë isha shumë i gëzuar, sepse tani e dija se me të vërtetë kisha baba.

U kthyem në shtëpi pas dy ditësh, sepse udhëtimi i kthimit ishte i vështirë. Fjetëm jashtë një natë, pastaj të nesërmen ecëm thuajse gjithë ditën me këmbë. U lodha shumë, por isha gjithashtu shumë i gëzuar se doja të kthehesha në fshat e t’iu tregoja shokëve se edhe unë kisha baba.

Kur u kthyem në shtëpi i pyeta se pse babai rrinte aq larg shtëpisë dhe çfarë pune bënte atje. Gjyshja më mori afër dhe nisi të më tregojë se babai im, Shaban Plaka, ishte dënuar me burg, që do të thoshte se ishte i ndaluar të dilte nga ata telat me gjemba dhe se për shumë kohë nuk do të mund të vinte në shtëpi, ndaj dhe ne do të shkojmë ta shohim atje. Nisën të më tregojnë më tepër për babain dhe mbaj mend një detaj, kur nëna më tha, se babai punonte me lopatë në kanal.

Ishte ai takim, që m’u duk se me rriti menjëherë. Bisedat me nënën e gjyshen gjithashtu më mësuan të vërtetën. Më porositën dhjetëra herë që bisedat që bënim të mos i tregoja jashtë shtëpisë. Nuk kaloi shumë kohë dhe nisa ta kuptoj se isha ndryshe nga fëmijët e tjerë, sepse babai im nuk ishte si baballarët e shokëve të mi. (Pjesë nga libri: JETA E NJË FËMIJË “KULAKU” NË DIKTATURË!, me autor Ilmi Plaka, botuar nga ISKK.)

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here