Si u përcoll Musine Kokalari

0
633
blank

Në një intervistë të viteve më parë, Shaban Doçi, njeriu që Musine Kokalari i kishte kërkuar, me anë të një testamenti, të kujdesej për varrimin e saj, tregon gjithçka rreth fundit të Musinesë. Kush mori pjesë në përcjelljen nga kjo botë të një prej grave më të ndritura të vendit të saj dhe si u kundërpërgjigj pushteti ndaj atyre njerëzve

 

Pasi kishte kryer mbi 11 vjet burg për motive politike, Shaban Doçi, në kërkim të një vendi për të jetuar dhe punuar, shkoi në Rrëshen. Atje gjeti Musine Kokalarin. Më poshtë, jepet një pjesë nga intervista e tij që i përket arkivës së familjes Doko dhe kujto.al, që ka të bëjë me Musine Kokalarin:

 

U miqësuat me Musine Kokalarin?

Nuk m'u afrua në fillim se në fakt të burgosurit kanë qenë më të rrezikshëm sesa të tjerët, për njëri-tjetrin, edhe në përgjithësi, se ishin mësuar me këto gjëra. Deri në atë kohë, ato ishin tri femra. Ishte një banesë që rrinim atje me të. Pasi shkova unë, nuk u afrua operativi më atje. As këlyshët e tij, nuk afroheshin shumë atje. E kuptoi Musineja, e pa që nuk merresha me këto punë. U sëmur pastaj. I doli kanceri në gjoks, asaj. Shkoi në Tiranë dy-tri herë, vetëm. I thashë: "Musine mos shko vetëm!". "Jam e fortë, më tha, kur mos ta ndiej veten, atëherë të them...". Megjithatë nuk e trajtuan mirë asnjëherë, siç donte ajo. As mjekësia, sepse gjithsekush kishte frikën e vet. U operua. I shkova në Tiranë, vetë, edhe me kunatën. Jo se nuk e donin, por nuk guxonte kush me të ardh' me të pa me sy. Është e pamundur të mos e donin, por kush guxonte? Sepse e dinin çfarë i priste pas kësaj. Pasi kjo arriti t'i zhvillohej shumë, pas operimit iu hap shumë kanceri edhe u detyrua u shtrua te shtëpia. Para se të shtrohej, më vjen te shtëpia, më thotë: "Do të më japësh fjalën, ta bëjmë me shkrim, që të më varrosësh". Thashë unë: "Nuk dihet kush vdes përpara, vdes ti, a unë. Vetëm këto kondita nuk dihen". Tha: "Kështu si them unë, do më japësh fjalën. Do e bësh me shkrim, që të mos kesh pengesë, të vijë, kush të vijë". Mirë, e la me tastement. La dhe do dorëshkrime që shkruante për dialektet e Veriut, nuk ishte diçka shumë... Tani, ajo ka pasur një roje te dera. Ishte dhomë, paradhomë. Atje kishin futur një sakat që ishte vrarë në minierë. Ai ishte sakat edhe tërë natën bërtiste, se kishte dhimbje. Domethënë, torturë mbi torturë, kjo ka qenë për Musine Kokalarin. Le që ishte e sëmurë, po e kishte te dera se do shihte kush hyn e kush del atje. Ishte derë më derë. Ishte dera e tij, pastaj do hyje te dera tjetër. Do kaloje këtu, pastaj do futeshe te dhoma e Musinesë. Pa kaluar te dhoma e tij, nuk futeshe te dhoma e Musinesë. Po le kjo, po tortura: gjithë natën bërtiste, se kishte dhimbje shumë. Edhe kjo nuk zgjati shumë, megjithëse shkonte e mjekonte gruaja ime, se ka pas mbaruar mjekësinë. Unë kam pasur vetëm një vajzë, e kam edhe sot. E çoja në plazh, në Shëngjin. Edhe e kisha në plazh vajzën, me gjithë gruan. Edhe shkoj i them Musinesë: "Nesër, ne..." Se ishte data 13. Në 14 duhet të shkoja, në 15 duhet të kthehej gruaja. Tha: "Edhe sot, mos shko!" Thashë: "S'kam sesi, nuk e pranojnë në punë më". Tha: "Ishallah s'më gjen më kur të vish". Edhe kështu ndodhi në fakt. Se nuk të ndjek fati, ashtu si do ti.

Ju nuk e gjetët gjallë kur u kthyet?

Sa shkova, atë natë kishte vdekur. Kishim një komshi ne, shkodran. Shkonim, por ata ishin të lidhur me...se shumica, pjesa më e madhe kanë qenë të lidhur me këto punë. Ka qenë një Alldizi, Alldizi. Shkon atje, rri deri sa vdes, lajmëron Degën e Brendshme, edhe shkon Dega e Brendshme, marrin ato qitapet e Musinesë, me gjithë dosjen që kishte dhe atë testamentin, edhe për mua, për varrimin. E morën, e mbyllën xhenazen në qese edhe dalin, ikin. Nesër në mëngjes kur kthehem unë te stacioni i hekurudhës në Laç, atje dëgjoj se ka vdekur Musineja. Shkova te shtëpia. Pa shkuar te shtëpia fare, shkoj drejt te dhoma e Musinesë: "Kush i ka çelësat?". Thonë: "I ka marrë Gjelë Mandreja". Ka qenë oficer i Degës së Brendshme, ishte kryetar i Këshillit të Rrethit Rrëshen. I shkova në zyrë: "Më jep çelësat, të shkoj të hap xhenazen". "E kemi parë në testament, e ke të shkruar atje, por ne pa bërë një dokument se përgjigjesh ti, nuk ta japim". "Për çdo gjë, thashë, përgjigjem unë. Vetëm më jep çelësin se do thyej derën, po s'më dhe çelësin. Do varros xhenazen". E lëshova atë deklaratën që kërkonte ai: "Për gjithçka përgjigjem unë". Edhe shkova e mora xhenazen, e pastruam, e rregulluam, e bëmë gati edhe shkova në komunale që të hapnin varrin, ta varrosim. Asnjë nga komunalja nuk pranonte të hapte varr për Musine Kokalarin, absolutisht! As makinë nuk më jepnin...Këtë fakt ma dëgjoi dhëndri i Beqir Ballukut, një Gjergj Gjergo, edhe një kosovar që punonin në komunale, një Ymer Llugaliu, ka qenë dhe në burg ai, ka qenë shumë i mirë. Thonë: Vimë ne, e hapim varrin. Edhe i morën ata, hapin varrin. Shkova për makinë, nuk gjenim dot, kam marrë një reportabël, me zhavorr mbushur komplet edhe e kam vënë xhenazen përmbi zhavorr dhe e kemi varrosur vetëm ne: unë me gruan, me kunatën. Të gjitha i kam paguar unë, i kam me shkrim, me dokumente. Të gjitha i kam te shtëpia edhe sot, edhe arkivin e Musinesë. Të gjithin e kam unë dhe sot. S'kam vënë dorë se janë të sajat, s'janë të miat.

Patët pasoja?

Mbas kësaj mua më prenë 5 vjet internim se e varrosa Musinenë. Më çuan në Kurbnesh. Më prenë internim pse e varrosa. Asgjë s'më lidhte me Musine Kokalarin, ajo ishte gjirokastrite, unë kuksian. Ana politike, asgjë. Ishte vetëm kjo: Pse? Na caktuan pastaj për Kurbnesh: dhëndrin e Beqir Ballukut, atë të ministrit që u pushkatua, Llambi Ziçishtit, atë Theodhosin. Na bënë një banesë, do na bashkonin në Kurbnesh të gjithë. Edhe thurrën një vend me tela me gjemba, përtej urës së Fanit. Ishim 16 vetë. Në rast se do vinte imperializmi, ose social-imperializmi që quhej në atë kohë, ne të pushkatoheshim atje, mos të lidheshim me të huajt.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here