Gruaja më e arrirë e shekullit të 20-të!

1
1200
blank

Në një periudhë ku njeriu dhe shoqëria ishin të rrethuar nga errësira, Musine Kokalari na jep me jetën e saj një shembull që na nxit të mendojmë dhe krijojmë një botë ndryshe dhe më njerëzore

Nga Nashi Brooker

Në atë ditë të shtunë, më 13 gusht 1983, temperaturat e regjistruara në Itali ishin rreth 40 gradë Celsius. Po kaq duhej të ishte edhe në Rrëshen e Tiranë.

Musine Kokalari kishte mbi dy vjet që vuante nga kanceri i gjoksit e 18 muaj që plaga e operacionit në gjoksin e djathtë vazhdonte t’i kullonte. Si etnografe e shkrimtare është e volitshme të sjellim për këtë shkrim legjendën e lashtë, gruan e murosur në Kështjellën e Rozafës. Sipas kësaj legjende tejet të përhapur, publikuar edhe përtej Shqipërisë, gjiri i ishte lënë jashtë që të kullonte pika qumështi për foshnjen e saj……Ashtu edhe nga gjiri i djathtë i Musinesë, i pamjekuar prej 18 muajsh pikonte gjaku i themeleve të demokracisë së ardhshme. Ajo mjekohej vetëm me rifocin e vaj peshku. Edhe për mjekimin e saj defiçient ishte shteti që kishte vendosur.

Dhe sëmundja u kthye kundër meje krejt e pamëshirshme…,nuk mu dha mundësia të kaloja disa vite të qeta…..

Ato ditë gushti Musinea dëgjonte fëmijët që luanin jashtë. Zëra plot jetë ishin fijet e lidhjes së saj me të tashmen e të shkuarën, kujtonte vitet e fëmijërisë dhe vitet e shkollës si mësuese.

blank

Do ishte gushti i vitit 1983 i fundit dhe fatal për të. Dhe në heshtje qyteti fillo të ndiej mungesën e hapave të saj të ngadaltë dhe elegantë. Urës së Fanit kishte filluar t’i mungonte shëtitja e Musines pasditeve. Hapat e saj të lehtë tashmë filluan të shterojnë ditë pas dite……

Dhe kafja buzë rrugës kishte tashmë një klient thuajse të përditshëm më pak. Ajo ishte gruaja që vinte vetëm, ulej vetëm, pinte kafen vetëm e bënte mijëra dialogje në heshtje me veten. Trupi i saj elegant dhe bukuria e saj po shuheshin si qiriu i ndezur për një lutje e një nëne që ka humbur djalin, motra vëllain dhe gruaja burrin. Lutjet e saj kishin 38 vjet që ishin lëshuar në heshtje. Kishte qenë lutja për dy vëllezërit që u nda përgjithmonë më 12 nëntor ‘44, për Anen që e ndoqi në çdo derë burgu, dhe të venë e Mumtazit dhe Vesimit.

Por shuarja e Musines kishte filluar shumë më herët. Nën peshën e zinxhirëve demoniane të cilët e ndaluan të ëndërronte për një të nesërme shumë ndryshe, për librat e mbetur në dorëshkrime; për poezi të pashkruara, për familje të pakrijuar dhe për fëmijë të ndaluar. E nesërmja e Musine Kokalarit u pre me sëpatën e hekurt shtetërore më 12 nëntor 1944.

Jam e varrosur për së gjalli…...’

Emri i saj i nënvizuar me bojë të verdhë së bashku më librat e saj në mbledhje shkrimtarësh, organizata partish, takime poetësh dhe gazetarësh. Një vijë keqndjellëse e gishtave të përfaqsuesve të shtetit që morën pjesë në shkatërrimin fizik total të saj. Një shtet që hartonte dhe inskenonte rrëfime autokritikash e poshtërimesh publike në cdo skaj të vendit. Shtetar që paguheshin për hartimin e listave sekrete me emra viktimash të pafajshme, shënime absurde e akuza të fabrikuara. Shtetar të një shteti që shkollonte dhe paguante mijëra njerëz për të mbajtur lart urrejtjen, për atë që “nuk është yni, nuk është gjaku i partisë”.

Më 1 gusht 1983 Musinea shkruan letrën e fundit kushëririt të saj Platon Kokalarit.

Fundi tragjik, ku dergjem është fatal. Ishalla mbarojnë shpejtë të gjitha. E vetmja zgjidhje.

Duke të pritur, ju përqafoj të gjithëve, Musinea.

Është një letër e dhimbjes njerëzore, thirrëse, përçuese e vetmisë së detyruar. Është letra e lamtumirës dhe ndarjes përfundimtare me botën e gjallë. Pranë shtratit të saj ne ditën e fundit Musinea nuk pati askënd. Asnjë dorë t’i jepte një gotë uji të ftohtë, t’i  njomte buzët e zhuritura nga sëmundja dhe i nxehti i verës. Vdekje varri brenda në dhomë. Fqinjët duhet të ishin armiq të popullit që të kishin të drejtën t’i flisnin, ta pyesnin si ishte me shëndet e t’i shërbenin. Nuk kishte më kuptim për të kjo jetëzgjatje.

Tashmë po e pranoj fundin tim…Ti mbyll sytë njëherë e përgjithmonë. E për çfarë të jetoj? E di që vetëm pas vdekjes vjenë liria……

Vdekja ishte vendosur aty në dhomën e vogël të Musines. Aty ku dergjej trupi i saj mbi minderin në qoshe shtrirë mbi dyshekun tepër të vjetëruar me mision të pakthyeshëm. Ndoshta përgjatë delirit të vdekjes ndiente pranë portretet e Rilindasve varur në murin e dhomës së saj të vogël. Ndoshta po bisedonin së bashku butësisht siç dinin vetëm ata të flisnin. Portretet e nënës dhe babait ndoshta u ngritën nga nëndheu…. Dhe ngadalë trupi i saj po zhytej ne akullnajën e vdekjes, në qetësinë e përjetshme të shumëpritur.

Fjalori enciklopedik shqiptar ishte pranë kokës së saj. Një dëshirë e përmbushur deri në fund të jetës së saj. Gjuha shqipe, Shqipëria, gjërësia dhe thellësitë e botës shqiptare, rrënjosur në çdo qelizë të trupit dhe mendjes së saj tashmë ishin aty, të gjithë së bashku.

Poetesha, prozatorja, etnografja, demokratja, intelektualja Musine Kokalari pushoi përgjithmonë më 13 gusht 1983 në mbrëmje.

Musinea u varros pa ceremoni sapo kish rënë mbrëmja e 14 gushtit 1983. Kush kishte dëshirë ta shoqëronte trupin e pajetë të saj e të shihej se kishte lidhje me të? Frika për raprezalje personale dhe familjare ishte e kuptueshme. Musinea ishte “njeriu i braktisur” e sipas propagandës se kohës “ishte balliste, agjente e të huajve, kriminele e rrezikshme…”

Asnjë kafe e zezë nuk u nda për të atë ditë. Asnjë vizitë ngushëllimi, asnjë vargë vajtimi nuk u dëgjua diku nga askush. Dhe atje nën dhe ajo vazhdonte të ishte e prangosur nga vdekja dhe nga totalitarizmi, por tani prangat totalitariane e kishin të pamundur ta lëndonin më.

Gjirokastra ime e dashur që ngule idet e para përparimtare tek unë. Të lashë e më s’të pashë - shkruan Musinea një ditë vere duke soditur lëndinat e Rrëshenit. Sokakët e Gjirokastrës ato ditë gushti kishin humbur një njeri që e deshi dhe nderoi atë. Qyteti kishte humbur një jetë qe e donte jetën. Vajza që përjetoj me pasione epokën historike të viteve 30-40-të Belle Époque. Gjirokastra kishte humbur novelisten, e cila përshkroi në librin e saj “Sa u Tunt Jeta” jetën e gruas gjirokastrite me një gjuhë të përkryer dhe të paarritshme ndonjëherë.

Ndoshta sot Gjirokastra duhet të ulet dhe shpallë një ditë vajtimi për Musine Kokalarin.

Edhe Tirana atë ditë gushti përjetoi në heshtje humbjen e saj. Tirana humbi një jetë të fuqishme edhe më e madhe se vetë jeta. Por asnjë fjalë nuk do botohej nga Tirana për të. Asnjë gazetë nuk do shkruantë për veprën e saj. Asnjë shkrimtar i kohës nuk do të guxonte të shkruante për vdekjen e saj. Do të ishte e kotë sepse do të thoshte mijëra burgosje ekzistuese plus një viktimë tjetër.

Rrësheni kishte humbur  Musine Kokalarin gruan që kishte sfiduar çdo paragjykim politik dhe social për katër dekada rresht. Trupi i saj ulur në stol, me libër në dorë, nuk do shihej më në lulishten e qytetit të vogël. Fqinjëve të saj iu shtua një dhomë e kyçur, e cila nuk u hap më kurrë. Një shqetësim më pak për ta. Një frikë me pak të shiheshin pranë saj e raportoheshin sepse Musine Kokalari, “ishte gruaja më e rrezikshme kundër regjimit komunist dhe kushurira e Enver Hoxhës…”.

Musinea bashkëkohore

Në një periudhë ku njeriu dhe shoqëria ishin të rrethuar nga errësira, Musine Kokalari na jep me jetën e saj një shembull që na nxit të mendojmë dhe krijojmë një botë ndryshe dhe më njerëzore. Të gjithë ne mundet të mësojmë nga një faqe e librit të saj më të arritur “Sa u Tunt Jeta”. Personazhi kryesor i novelës së saj trajtohet jo më shumë se mall për t’u shitur në pazar, mall pa gojë, zë, dëshira, ëndrra dhe jetë. Për dikë të sfidojë trajtimet brutale dhe absurde lexo një faqe shkruar nga Musine Kokalari me aq mjeshtëri.

Kosova nuk harroi asnjëherë Musinen. Meliza Krasniqi, studjuesja dhe autorja e librit Musine Kokalari deklaron për TV Klan, ‘Pikërisht në vitin 1983 Musine Kokalari përmendet në revistën Jeta e Re e cila vazhdon të botojë shkrime edhe sot. Ibrahim Rugova po në vitin 1983 deklaron se Musine Kokalari duhet studjuar sepse krijimtaria është shkruajtur me një gjuhë tepër interesante’.

Është për t’u pranuar që ne nuk kemi njohur grua dhe figura të ngjashme si Musine Kokalari prej 80 vjetësh. Por edhe se nuk kemi pasur figura gra si ajo edhe para saj. Një grua intelektuale, mendimtare dhe përparimtare, që pati një vizion të qartë dhe lidhi natyrshëm, krejt njerëzisht, themelet e demokracisë me virtytet rrënjosur thellë në shpirtin e saj.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

  1. Kjo dhimbje dhe tragjedi mos iu përsërit asnjë populli. Emri Enver duhet të ndalohet me ligj në emërtimet shqiptare.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here