Havzi Nela, i ekzekutuari i fundit me vdekje në Europën Lindore

0
312
blank

Havzi Shaban Nela (1934-1988) nga Kollovozi i Kukësit, me profesion mësues, diplomuar në fundin e vitit 1958 në gjimnazin e rezervave të arsimit në Tiranë, ishte 33 vjeç kur u arrestua për herë të parë dhe 54 vjeç kur u ekzekutua me vdekje. Ishte personi i fundit i dënuar me vdekje për arsye politike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në krejt Europën Lindore komuniste. Përveç kësaj, u dënua tri herë dhe vuajti gati 20 vjet heqje lirie.

Raportohej nga viti 1962 në kontroll operativ 2B nga organet e Sigurimit të Shtetit si “agjent i i mundshëm jugosllav” (asgjë e tillë nuk del nga dosjet në ngarkim të tillë). Në prill 1967 ishte mësues në Topojan. Këtu demaskohet në shkollë si “armik”. Në këtë rrethanë arratiset me bashkëshorten në Jugosllavi më 26.4.1967.

Dënimi i parë

Kufirin e kaloi në kuadratin 56-67, në Kukës. Në afërsi të kufirit la një letër, në të cilën shkruante: “Lamtumirë atdhe i dashur”. Jugosllavët e kthyen menjëherë. U akuzua në bazë të nenit 64/12 të Kodit Penal.

Gjykata Popullore e Shkodrës e drejtuar nga Jorgo Dhroso, me pjesëmarrjen e prokurorit Avdi Gashi, me vendimin nr.25, datë 22.5.1967, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet.

Ridënimi

Nga viti 1972, ndaj tij filluan informacionet në Repartin nr.303 Spaç. “Libri”, “Shpata” dhe “Pisha”, “Pushka”, “Korabi”, sjellin raporte për të. Në thelb të tyre ai kritikonte diktatorin e mohimin e çdo lirie në Shqipëri. Thoshte se pushtetarët ishin “këlyshë të Stalinit”, dhe të burgosurit i përdornin si skllevër. Për E.Hoxhën ai thoshte se vijonte politikën “përça e sundo”. Enver Hoxhën e quante “kryepadron”. “Vdekja e Enver Hoxhës dhe klikës së tij do të vijë, si më keq dhe kockat do t’ia djegin, ashtu si ia dogjën Stalinit”. Për këto qëndrime, më 2.4.1974 u vendos në përpunim aktiv 2A se zhvillonte agjitacion e propagandë. “Korabi” raportonte se Havziu kishte thënë se vullkani do të shpërthente se gjendja ishte shumë e turbullt, sepse qeveria dhe E.Hoxha e mbanin popullin me terror. PPSH sipas tij do kapitullonte (raporti i datës 23.3.1975). Pas kësaj u arrestua më 29.9.1975.

U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Shumë nga pohimet e dëshmitarëve i pranoi, pavarësisht se ato ishin thënë në kohë të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme.

Jemi pikërisht në vitin 1975, kohën kur regjimi kishte mohuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e Sigurimit e Bashkëpunimit Europian (KSBE – sot OSBE). Anëtarësimin në këtë organizatë vendi ynë do ta merrte vetëm në qershor 1991. Duke vazhduar sërish me pyetjet e datës 3 korrik 1975 ai thotë: “Unë kam disa mendime të miat që i kultivoj e i ruaj e që ndoshta këto bien në kundërshtim me këtë sistem. Unë kam për të thënë se lidhur me fenë, ajo duhej të ishte lënë e lirë nga shteti për ta ushtruar populli, mos të merreshin masa kaq të forta që ajo të zhdukej. Me një fjalë unë jam besimtar dhe besoj te feja. Për sa i përket kolektivizimit të bujqësisë, unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malësisë se atje është përdorur edhe forca për t’i futur njerëzit në kolektivizim kur ata kanë kundërshtuar. Këtë e them se nuk ishte përgatitur ideologjikisht fshatari për ta kuptuar se çfarë ishte kolektivizimi dhe nuk kishte kushte për t’u kolektivizuar, se vendi është i thyer, nuk mundet të futet teknika moderne, fshatrat janë shumë të shpërndara e humbasin kohë njerëzit duke udhëtuar. Për sa i takon rinisë them se ajo duhet të lihet më e lirë në drejtim të veshjes, kustos së jetesës, dëfrimit e të mos diktohet sesi të vishet e të qethet, por jam edhe me atë që të mos rrëshqasë nga tabani kombëtar...Për sa i takon standardit të jetesës, unë them se standard të mirë jetese kanë popujt e vendeve të perëndimit si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca etj. Këtë e them pse njerëzit atje janë në gjendje të blejnë sende me vlerë si televizor, automobila, e sende të tjera që bëjnë një jetë vërtet luksoze e shëtisin nëpër vendet e tjera të botës. Po kështu them se në këto vende njerëzit kanë liri të plotë, se atje edhe sikur të bëjnë demonstrata e kërkesa me karakter politik ekonomik, nuk i dënon njeri, ndërsa këtu është ndryshe. Gjithashtu atje njerëzit janë të lirë të shkojnë nga një vend në tjetrin pa ndonjë kufizim. Këtë e lidh edhe me atë se në Amerikë, një president zgjidhet me afat kohor vetëm për 4 vjet, se atë mundet ta kritikojnë, bile e nxorën para gjyqit. Kësaj i thonë demokraci shumë e lartë për mendimin tim. Të gjitha këto përfundime e mendime, unë i nxora nga studimet që kam bërë në literaturën që del në vendin tonë dhe në shtypin e përditshëm”.

I pyetur për bisedat që ka bërë për ekzistencën e pushtetit popullor, ai përgjigjet:

“Unë agjitacion e propagandë kundër pushtetit e konsideroj, kur njeriu të ngrihet e t’u bëjë thirrje të tjerëve për përmbysjen e pushtetit. Unë kam dëshiruar, e mundet të kem shprehur se ligjet e vendit tonë janë shumë të ashpra se të marrin jetën vetëm pse njeriu kalon kufirin dhe kam pasur shpresë se do të ketë ndryshime të ligjeve në favorin e të dënuarve me rastin e 30 vjetorit të çlirimit”.

Gjykata Popullore Mirditë, e drejtuar nga Filip Lako, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 8 vjet heqje lirie Në bashkim të dënimeve iu dhanë 12 vjet heqje lirie. U lirua më 19.12.1986.

Internimi

Pas daljes nga burgu, u internua në fshatin Arren. Komisioni Qendror i Internimit e Dëbimit, me vendimin nr.16, datë 26 shtator 1987 në bazë të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor nr.7071, datë 15.9.1986, vendosi të internojë Havzi Nelën me motivacionin: “Në vitin 1967 Havziu së bashku me gruan e tij është arratisur në Jugosllavi e pas 10 ditëve është kthyer nga pala jugosllave dhe është dënuar me 15 vjet heqje lirie. Në vitin 1975 është dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë armiqësore dhe është liruar në vitin 1986, edhe pas daljes nga burgu, nuk mban qëndrim të mirë e bën lëvizje të dyshimta në afërsi të fshatrave kufitare. Ai është shprehur: “Unë sa të dal nga burgu do të arratisem jashtë shtetit dhe para se të arratisem do të vras dy kuadro që janë bërë sebep për të më futur në burg. Të internohet për 5 vjet kohë në fshatin Arrën të Rrethit Kukës. Afati i internimit i fillon më datën 26 shtator 1987 dhe i mbaron më 26 shtator 1992”.

Dënimi i tretë dhe dënimi me vdekje

U vu në kontroll operativ 2B më 15.1.1987 me propozim të operativit Islam Guri, zëvendëskryetarit Ali Turabiu dhe kryetarit të DPB Kukës Çapajev Taçi. Sërish ndiqej si “agjent i mundshëm jugosllav”, ndërkohë që nuk kishte asnjë informacion rreth këtij dyshimi. Më 31.5.1987 ngrihet në përpunim aktiv 2A. Sigurisht asgjë nuk del edhe këtë herë për “agjenturë jugosllave”.

Duke mos duruar më këtë jetë, më 13.6.1988 largohet nga internimi pa marrë lejen e punëtorit operativ të zonës. Shumë shpejt denoncohet në shtëpinë e dajës së vet dhe arrestohet. Në përpjekje për të mos rënë në dorë të policit që kishte shkuar për ta arrestuar është orvatur të vrasë pa sukses veten. Plumbi i nisur për vetëvrasje ka shkuar drejt policit duke e plagosur atë.

Në raportin e datës 15 qershor 1988 zëvendëskryetari i degës së punëve të brendshme Kukës, Ali Turabiu njoftonte Hetuesinë e Kukësit se Havzi Nela ishte shpallur në kërkim më 13 qershor 1988. Të nesërmen ishte marrë njoftimi mbi qarkullimin e tij në fshatin Brekinjë. Më 15 qershor, ishte njoftuar se ndodhej në shtëpinë e Hazir Islamit. Rreth orës 5.00 të kësaj date ka shkuar në shtëpi për ta shoqëruar polici Sahit Ibra, kryetari i kooperativës Mehmet Islami, sekretari i partisë Hasan Çupi. Duke shpjeguar çastin e incidentit Nela shpjegon:

“Kam dashur të vras veten, por arma nuk më shkrepi më, sepse ka një defekt që unë e kisha provuar disa herë. Unë kam pasur 14 copë fishekë. Mbi policin kam qëlluar vetëm një herë dhe në asnjë rast tjetër unë nuk kam provuar me fishekë këto armë, pra nuk kam harxhuar asnjë fishek, sepse doja t’i ruaja, t’i përdorja kur të më lindte ndonjë rast. Qejf kam pasur për ta provuar, por rast nuk më është dhënë”. U arrestua më 17.6.1988. U akuzua në bazë të neneve 47/gj (tradhtia ndaj atdheut në formën e arratisjes), 11 (përgatitja dhe tentativa), 50/1 (veprat terroriste), 224 (prodhimi, mbajtja, blerja ose shitja e armëve). Gjykata plagosjen aksidentale e interpretoi në bazë të nenit 50/1 të Kodit Penal, kur në fakt vepra e terrorizmin është gjithnjë e paramenduar dhe jo aksidentale.

Gjykata Popullore e Rrethit Kukës, e drejtuar nga Agim Hoxha, me pjesëmarrjen e prokurorit Nikollaq Helmi, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, varje në litar. U la në fuqi me vendimin nr.85, datë 16.7.1988 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Nuk kërkoi asgjë tjetër veçse drejtësi. U ekzekutua në Kukës më 10.8.1988.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here