Shuhet në Kanada "Mandela" i Kullave të Zëmblakut

0
493
blank

U nda nga jeta në Kanada, në moshën 95-vjeçare Nevruz Kulla, pinjolli i familjes së njohur Kulla nga Zëmblaku i Korçës, i cili kaloi 20 vite të rinisë së tij në burgjet e komunizmit.

Ai do të përballej me mizorinë e kuqe duke i "falur" asaj 20 vitet më të bukura të jetës teksa më 19 mars 1951, Gjykata Ushtarake e Korçës do e dënonte për "veprimtari kundër pushtetit popullor".

Por edhe pas daljes nga burgjet më famëkeqe të komunizmit ai dhe familja e tij, aq sa kishin mbetur në Shqipëri, do të përballej me internimin.

Por nga buronte urrejtja komuniste ndaj familjes Kulla?

Pushimi i Mbretit Zog i në shtëpinë e Kullëve në Zëmblak është përfolur shpesh në media. Është e vërtetë se Mbreti ka qëndruar në atë shtëpi dhe është pritur me gjithë të mirat. Aty familja mbretërore ka qëndruar një natë. Pasi ata u plotësuan me dokumentacionin e nevojshëm nga pala greke, morën rrgën për kalimin e kufirit. Por nuk është e vërtetë ajo që shkruan shtypi se gjoja ishte vetëm ajo vizitë që e bëri Zëmblakun fshat me biografi të keqe.

Zëmblaku qe një fshat nacionalist dhe bijtë e tij u çuan në plumb, ndërsa ata që mbetën gjallë provuan burgjet, internimet dhe survejimet.

Një prej tyre ishte edhe Nevruz Kulla. Ja si e pasqyronte gazeta "Zëri i Popullit", e datës 22 mars 1951, në faqen e dytë të saj, gjyqin ku u dënua Nevruz Kulla.

Gjyqi i kulakëve të Zëmblakut

Më 19 mars 1951‚ në katundin Zemblak të rrethit të Korçës, u zhvillua gjyqi kundër të arrestuarve Abdyl Kalaja, Fuat Kulla, Shefqet Saliu dhe Nevruz Kulla.

Gjykata Ushtarake e rrethit të Korçës dënoi me vdekje dhe me humbjen e të drejtave civile për gjithnjë‚ Avdyl Kalanë dhe Fuat Kullën‚ duke u bërë ekzekuitmi i tyre me varje në litar. Nevruz Kulla dhe Shefqet Saliu u dënuan me nga 20 vjet privim lirie me punë të detyruar dhe me humbjen e të drejtave civile për 5 vjet.

Vendimi i gjykates u prit me duartrokitje dhe brohoritje ‟Rroftë drejtësia popullore” nga afro 2000 (dymijë) fshatarët që asistonin në zhvillimin e gjyqit”. 

Pas viteve '90, familja e Nevruz Kullës do t'i bashkohej në Kanada familjeve të vëllezërve të tij, Ibrahim (nënkryetar i Shoqatës Panshqiptare "Vatra" për disa vite), Mustafa dhe Avni, të arratisur nga Shqipëria që prej viteve '50.

Pavarësisht kalvarit të vuajteve 40-vjeçare, Nevruz Kulla dhe familja e tij do dinte të integrohej mjaft mirë në Kanada duke arritur suksese të njëpasnjëshme dhe duke e renditur veten mes familjeve më të nderuara në shtetin e Ontarios. Përmendim këtu djalin e tij më të vogël, Alket Kulla, agjenti më i suksesshëm i REMAX Canada duke u renditur i pari për disa vite rresht.

Nevruz Kulla ruajti deri në frymën e tij të fundit dashurinë për Shqipërinë dhe shqiptarët kauzë për të cilën familja e tij sakrifikoi vite të tëra, por edhe shpenzoi miliona dollarë...

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here