1975/Dy gra të huaja intelektuale të arrestuara dhe gjykuara në një shkallë

0
502
blank

Dy gra me kombësi ruse u arrestuan përnjëherë dhe u çuan në gjykim sikur të përbënin rrezikshmëri të lartë shoqërore. Çështja e tyre u gjykua në një shkallë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i kryesuar nga Ylbere Malindi me gjyqtarë Mit’hat Goskovën dhe Anthulla Manushin. Prokuror i çështjes ishte Edmond Sanxhaktari. Të dy gratë ishin:

-Ina Vladimir Shahelindur më 27.5.1932 në Moskë, banuese në Qytetin Stalin (sot Kuçovë), inxhiniere mekanike, nënë e dy fëmijëve, ardhur në Shqipëri në vitin 1958 kish marrë shtetësinë shqiptare në vitin 1964. U arrestua më 15.5.1975.

-Elena Pavllo Çami, lindur më 22.6.1932 në Moskë, ekonomiste me arsim të lartë, ardhur në Shqipëri në vitin 1955, kish marrë shtetësinë shqiptare në vitin 1964. U arrestua më 14.5.1975. Më parë, më 24.12.1971 ishte arrestuar bashkëshorti i saj Minella Çami, i cili do vuante 10 vjet heqje lirie (u lirua më 11.7.1981). Nuk kishte pranuar të largohej në Bashkimin Sovjetik te njerëzit e saj, por pëlqeu të mbajë të bashkuar familjen e vet. Një tragjedi e vërtetë për këtë familje sepse fëmijët mbetën për një kohë pa prindër.

Të dyja gratë u akuzuan në bazë të nenit 73/1 në kombinim me nenin 12 të Kodit Penal, pra për agjitacion e propagandë. Midis të tjerash, gjykata vërente:

“Nga provat e dëgjuara në seancë gjyqësore është vërtetuar plotësisht se qysh nga viti 1960 që revizionistët sovjetikë dolën hapur kundër marksizëm-leninizmit dhe kundër partisë tonë që mbron me konsekuencë marksizëm-leninizmin, ata kanë mbajtur qëndrim armiqësor ndaj vijës politike të partisë e të pushtetit tonë popullor. Ato duke u vënë në mbrojtje të revizionistëve sovjetikë, në bisedat që kanë bërë me persona të ndryshëm, kanë përhapur ideologjinë revizioniste e shoviniste me qëllim për t’i kundërvënë këta persona me vijën politike të partisë dhe shtetit tonë socialist”.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.1, datë 21.1.1976, i deklaroi fajtore dhe i dënoi të dyja me nga 8 vjet heqje lirie, heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet dhe konfiskimin e pasurisë. Vendimi ishte i formës së prerë dhe nuk mund të ankimohej askund.

Të dyja gratë siç u arrestuan pothuaj në një kohë, u liruan nga Reparti nr.318 Kosovë, po në një kohë, më 15.11.1982, me një dekret të përgjithshëm faljeje.

Fotoja kryesore: Elena Çami

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here