“Arqile Tasi vdiq në dorën time”

0
182
blank

Histori tragjike të burgosurish që ndërruan jetë në kushte çnjerëzore mes torturave dhe sëmundjeve infektive

Ishte viti ’61, dimër, dhe bënte shumë ftohtë. Në birucë, natyrisht nuk të linin të merrje tesha të trasha, as këpucë; përdornim vetëm nallane. Mbas nja dy javësh në birucë, në burg erdhi një komision mediko-legal ushtarak dhe kur hapën derën e birucës sonë, njëri prej tyre, kur më pa mua ashtu të dobët e të verdhë krejt, u shtang: “Uaa!! Po ky fëmijë, çfarë do këtu?!” “Është i burgosur,”- i përgjigjet njëri prej mjekëve. “Shpejt, çojeni atje!!”- urdhëroi ai”, është rrëfimi i Ndrek Bazhdarit, ish-i burgosur politik në kohën e diktaturës. Është një ndër historitë dramatike pasi bëhet fjalë për një minoren që dëshmon vuajtjen tragjike të fëmijëve nën torturat e burgjeve të diktaturës komuniste. Ishte dënuar si pjesë e një grupi të rinjsh që kishin shpërndarë trakte kundër diktaturës komuniste dhe ishte dënuar me 14 vjet burg. Herë pas here përfundonte në qelitë e torturave. Ai tregon viktimat në radhët e të burgosurve për shkak të sëmundjeve.

blank “Më morën urgjent e më çuan te një dhomë, te dhoma numër 8. Unë nuk po kuptoja gjë, sepse gjatë atyre dy javëve kisha qenë i izoluar në birucë. Në atë dhomë kishin futur shumë të burgosur që manifestonin shenjat e sëmundjes së verdhëzës, sepse paskësh rënë verdhëza në masë në burg. Dhe roja hapi derën, e me futi duke u ruajtur vetë sepse verdhëza është sëmundje shumë ngjitëse dhe e mbylli derën shpejt. Pashë rreth e rrotull, e dallova nja dy priftërinj që i njihja, Dom Loro Noden dhe Ndoc Vatën, që më pyetën: “Po ti Ndrek, nga po vjen?” “Nga biruca”-iu përgjigja. Dhe kur i pyeta i habitur se pse ishin në atë dhomë, më treguan për verdhëzën. Pra, ajo dhomë ishte kthyer në një karantinë. Ishin të gjithë të verdhë. “Po çfarë duhet të bëjmë tani?”- i pyes unë. “Po do të rrimë këtu, se jemi të izoluar. Atje nga sporteli na fusin nga një garuzhdë supë me patate.” Vetëm ajo supë me patate, këshillohej të jepej. Kalova një ditë a dy atje pa u ndjerë. Isha shumë i uritur, sepse sapo kisha dalë prej biruce. Atëherë, me ndihmën e Bacë Prengës, i cili ishte i burgosur po që ndihmonte rojen, dmth, bënte punën e ndihmës- gardianit por i kontrolluar, lajmërova shokët që kisha jashtë. Edhe i them, “O Baca Preng, thuaji të më bien ndonjë ushqim.”- i thashë. “Po ku të t'i lë?”-më pyeti. “M’i lër te banja e parë, te dritarja; kur të dal për nevojat në mbrëmje, shkoj e i marr.”- e porosita. Në atë kohë, familjet që kishin mundësi, çonin mish të grirë. Ishte qëllimi me ngopë supën me diçka, se po vdisja urie. Shokët që kisha në dhomë, më thanë: “Mos u bëj i marrë se këtu të mbysin; na kanë urdhëruar mos me fut gjë tjetër në gojë.” Në fakt, aty gjithsesi vdiste përditë nga një. Më kujtohet Arqile Tasi, i cili më vdiq në dorë. Vdiq nga verdhëza. Në duart e mia ka vdekur. Arqile Tasi kishte qenë drejtor i Bibliotekës Kombëtare, deputet i Kuvendit të Shqipërisë deri në vitin 1943, drejtor i gazetës "Bashkimi i Kombit".  Kur komunistët erdhën në pushtet ai refuzoi të largohej nga Shqipëria. Në fillim të dhjetorit 1944 u arrestua dhe u dënua me 20 vjet burg në Gjyqin Special të 1945-s. ndërroi jetë nga verrdhëza më 30 janar 1961 në burgun e Tiranës, në duart e bashkëvuajtësit të tij, Ndrek Bazhdari. blank

Ndreka kishte përfituar ulje dënimi për shkak të moshës, por edhe të anmistive që rrallë ndodhnin. "Shokët më thoshnin: “Ruhu se ti je i ri dhe vetëm 3 a 4 vjet të kanë mbetur me dalë.” Ç’është e vërteta, unë qëllova me shans sepse kur sapo u dënuam, u bë një amnisti. Pastaj dhe dy të tjera rresht. Pra, përfitova nga amnistia e vitit ’57, e vitit ’62 dhe e vitit ’64. Kështu që m’u reduktua dënimi: nga 14 vjet, u bë 8 vjet, dhe më mbeteshin pak vjet për të kryer dënimin. Rreth 3-4 vjet. Ata më porositnin të ruhesha sepse i konsideronin pak 3 a 4 vjet, e 8 vjetë që kam bërë unë, nuk ishte asgjë për ta. Të tjerët kishin të gjithë mbi 10 vjet. Ndejta në atë dhomë-karantinë, gati një muaj. Mbas një muaji, dola e nuk pashë më infeksion e as gjë prej gjëje. Doja vetëm të haja se isha gërryer që prej birucës.

Kanë qenë shumë periudha të tilla sprovash të vështira, që, kur ua tregoj fëmijëve të mi, nuk i besojnë. Që të presësh sot prej një të riu në moshën 17 vjeç të merret me përpilim trakti dhe ai trakt të ketë, si të thuash, një mesazh politik e jo dokrra që shkruhen sot nëpër mure, e sidomos të rrezikojë jetën për të-- duket absurditet. Pra, sot nuk i kanë këto ideale, këtë pjekuri dhe habiten edhe kur ua thua. Pra, ishim një brez tepër i formuar. E dyta, ata nuk arrijnë të besojnë se një trup njerëzor, e për më tepër një gjysmë trupi që isha unë, mund të rezistojë deri në 23 gradë nën zero, në një birucë, vetëm me një batanije të hollë dhe një rrip pizhamash që e mbanim të fshehur gjithë kohën me vete në rast se na fusnin në birucë, të cilin e përdornim për të lidhur këmbët, se në birucë nga ora 8 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit, duhej të rrije i shtrirë; po të të gjente roja që kishe lëvizur, ta mbushte birucën me ujë. Vije supin në atë rripin e batanijes të vendosur për së gjati edhe kokën mbi tasin e aluminit dhe nuk duhej të lëvizje. Kishe edhe një qyp për nevoja personale. Këto ishin të vetmet sende që kishe me vete në birucë, edhe në këto kushte, duhej të rrije një apo dy muaj. Nuk e beson njeri! Sot, me gjithë këto komoditete, ankohemi për hiçgjë dhe nuk arrijmë as ta imagjinojmë se sa i fortë mund të jetë njeriu në rrethana të caktuara. Janë të pabesueshme historitë e vuajtjeve tona!

blank

Shenim: Intervista eshte marre nga libri "Zerat e Kujteses", botim i ISKK realizuar nga Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here