“Shkodra e bukur me oborre plot lule, u mbush me burgje”

1
1771
blank

Rrëfimi i Ana Dajës, gjimnazistja shkodrane antikomuniste që vuajti torturat në qelitë e diktaturës

15.07.1947 është mbishkrimi që e gjen edhe sot në murin e qelisë numër 8 në burgun e Shkodrës. E ka gdhendur Ana Daja e cila ishte 19 vjeç kur u arrestua nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Ishte një gjimnaziste dhe akuzohej nga regjimi komunist se kishte organizuar funeralin e Dom Gaspër Thaçit, që ishte ndaluar nga regjimi pasi ishte shpallur për së gjalli armik i popullit. Ana Daja ka rrëfyer kalvarin në burgjet e diktaturës, në një intervistë dhënë studiueses Fatbardha Saraçi në vitin 2003.

Viti 1945 në Shkodër

“Shkodra e bukur me oborre plot me lule, u mbush me burgje, ishin rreth 20 të tillë. Në fillim të vitit 1945 filluan me arrestue klerikët e parë.” Kështu nis rrëfimi i Ana Dajës për rininë e saj të vuajtur dhe për mundimet e viktimave të diktaturës komuniste qysh në fillimet e regjimit.

blankNe nxënësit iknim nga mësimi dhe shkonim te kinema “Rozafa” se aty zhvillohej gjyqi. Nuk lejohej më me hy në sallë (ajo mbushej nga njerzit e tyre, që ishin me autorizime), po shkonim me i pa duke dalë prej gjyqit. Në këtë periudhë shumë gra e të reja komuniste dilnin nëpër rrugët kryesore duke bërtitur "Plumbin ballit e në litar, armiqt e popullit". Një ditë isha vet e dyta në piacën e qytetit tonë, kisha dalë me ble një copë për fustan. Unë kisha distinktivin e ‘Bijave të Zonjës”, ndërsa shoqja ime Marije Predushi, atë të “Veprimit katolik”. Në këtë kohë, po kalonte grupi i grave komuniste që bërtisnin: Plumbin e litarin fashistëve dhe reaksionarëve. Në këtë moment del nga turma Marije Ndoja, e cila erdhi të më hiqte me forcë distinktivin. Unë iu kundërvura dhe s’e lashë në asnjë mënyrë të ma merrte atë. Të nesërmen në shkollë na nxorrën në karikaturë duke na tallur me fjalë fyese.

Funerali i Dom Gaspër Thaçit

Ato ditë ndërroi jetë dom Gaspër Thaci-Arqipeshvi i Shkodrës  dhe unë mora pjesë në funeralin e tij. Gjatë funeralit makina e policisë kishte bllokuar rrugën për të mos kaluar karrocat që shoqëronin funeralin, por rinia që kishin lënë mësimin e mbajtën karrocën me arkivolin dhe e çuan përpjetë pa pasur nevojë për kuajt dhe vazhduan funeralin.

Në sallën e gjimnazit, BRASH (Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqipare” organizonte konferenca kundër fesë (I kryesonte Satber Jubani).

Unë gjithmonë i kam kundërshtuar, dilja në mbrojtje të njerzëve të fesë dhe të besimit fetar. Bëhet një mbledhje e madhe në palestrën e gjimnazit dhe vjen përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Spiro Pano për veprimtarinë antikomuniste që zhvillohej në gjimnaz. Na përjashtuan nga shkollat e të gjithë Shqipërisë, mua Ana Daja, Faik Lulin, Njazi Barbullshin, Sandër Gerën, etj..

Arrestimi

blank

Po ç’ndodhi me 26 qershor 1947? Në masditen e 26 qershorit 1947 trokitën në derë Dylaq Lekiqi me dy policë, erdhën e më arrestojnë. Gjoja se donin të më merrnin në pyetje. Tek shtëpija e Çurçive ishte Dega e Punëve të Brendshme. Më futën në një dhomë dhe më lanë në çimento dhe mbi një dërrasë kalova natën. Kryetari i Degës së Shkodrës ishte Z.Themeli. Nga dritarja e dhomës, pas mesnatës, kam parë Padër Mati Prendushën me një fanelë gjysëm të shqyer e mbathje të gjata të lidhur me duar mbrapa me një pemë (mbasi e kishin torturuar). Filloi një shi i madh dhe atë e lanë të lidhur ….Natën e dytë më futën nën shkallë në një birucë të vogël. Më thotë Duli Rrjolli: Tash ta kemi gjetur vendin e përshtatshëm. Në atë birucë kishte minj dhe insekte. Ishte tmerr…

Më futën në hetuesi, aty ishin Zoi Themeli, Fadil Kapisyzi, etj.. Më thanë: Ke organizu nxënësit e shkollës kundër pushtetit popullor. Unë iu thashë: Ne jemi pak vajza, tashti sapo jemi bashkuar me gjimnazin dhe s’pata kur me u njoh me to. Mandej unë kam kohë që e kam braktisur shkollën sepse më përjashtuan dhe nuk e kam frekuentuar më gjimnazin.

Hetuesi-Ke organizuar funeralin e At Gaspër Thaqit.

-Unë ato 3 dit' kam qenë e përjashtuar nga shkolla.

Zoti Themeli më ra me grusht në fytyrë dhe gishti i vogël i tij më hyri në sy, më dha një shqelm dhe më rrëzoi në tokë. Mandej më çuan në dhomën e izolimit.

blank

15 korrik 1947 u restaurua Dega e Punëve të Brendshme, ishte shtruar me çimento, mbi atë çimento të lagur e patharë aty gdhenda në mur datën 15.07.1947. Birucat ishin pa dritë, pa ajër. Dy herë në 24 orë na lejonin me kryer nevojat vetjake, ujë na jepnin vetëm një herë në ditë.

Një javë më lanë mbi çimento. Më solli familja rregosta. Muret e dritaret ishin të mbuluara me jorganë që të mos dëgjoheshin zëra e të torturuarve. Një ditë hetuesi Fadil Kapisyzi më tha: Të tregohesh e gatshme me tregu krimet që ke bër' kundër pushtetit popullor përndryshe do të bëj provë korrentin elektrik.

Unë s’fola dhe s’dhashë asnjë përgjigjie. Atëherë hetuesi F.Kapisyzi më vuri korrentin në dy veshët. Ishte një tronditje  e tmershme.

Në pyetje më merrnin përherë.

Hetuesi-Ke dashur me vra Dulaqin.

Ana-Si kam pasë me vra? As kam dashur, as s'më ka shkuar ndër mend që të vras. Me çfar' të vras? Skam ndonjë mjet.

Torturat në hetuesi

Në pytje me merrnin gjithmonë në mbrëmje. Një natë polici Ismail, që ishte i ri, si egërsirë, injorant, i mungonte gishti i madh i dorës së djathtë më thotë:-Ngrihu(çohu). Më dërguan në një dhomë tjetër, sa kam hyrë brenda, gati më ra të fikët. Banaku dhe dyshemeja ishin mbuluar me gjak të mpiksur.

Erdh Pjerin Kcira (përgjegjësi i burgut); ai grisi proces –verbalin e Kapiten Kapisyzit dhe më tha: Tash e tutje ke me pasur punë me mua.

Pjerin Kcira-Ti ke organizuar funeralin.

Ana –Unë kam pasur 3 dit' pushim.

P.K(Hetuesi)-Na trego emrat e nxënësve të shkollës. Duhet ta pranosh akuzën.

Ana –Unë s'i njoh ata.

Pastaj më ka lidhë në murin mas dere m’lidhi duart me tel, m’i ngiti duart lart dhe telin e hodhi mrapa. S’kisha mundësi me lëvizë. Sa her' u hapte dera, më ndeshte (përplasej) mbi mua që isha e lidhur. Në kët' gjendje më majtën 5 ditë edhe 5 net, pa hëngër e pa ujë.

Më cuan përsëri në birucë. Më vunë përsëri korrentin.

Nga 1-15 tetor 1947 më kanë lënë në këmbë, me fytyrë nga muri, pa lëvizur. Kur rrëzohesha, roja më hidhte kovën e ujit të ftohtë për të më ngritur përsëri në këmbë. Kështu si unë në korridor ishin dhe Dom Anton Muzaj (ai që zëvendësoi Monsinjor Thaçin) e kishin vendosur në sallën që zbriste në katin e parë, koka i takonte pak përmbi dyshemenë e korridorit ku ishim ne.

Padër Franko Kirin e kishin lidhë në hekura. Sa herë kalonte roja, aq herë e godiste me shqelma (I ngrati Padër Franko!).

Ushqimin shpeshherë s'na e jepnin, ia hidhnin qenit.

Shumë e zorshme me e kalu pa ujë. Në vendin ku më kishin lidhur, ndodheshin banjot, ku i sillnin të burgosurit me shku në banjo.

Shpeshherë të burgosur të ndryshëm, kur u jepej mundësia, më ndihmonin. Isuf beg Sokoli, kur kalonte për në banjo, më solli një her një gotë kos, ma dha me e pi edhe e fshehu shpejt. Po kështu mundoheshin për të më ndihmuar Zef Zorba, Brahim Sokoli …por mungesa e ujit ishte një tmerr….(ditët në vazhdim do të publikojmë vazhdimin e rrëfimit të Ana Dajës)

blank

Shënim: Materialet janë marrë nga libri: ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, botuar nga ISKK.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

  1. Nana Ane kambete heroina e jone! Pervec se vjeherr e kisha mike!!! Me shume sakrifica ka mbijetu! Me vjen keq kur per vuajtjet e saja! Vdiq me zemren plot sepse rriti e martoi dy femije te mire e te ndershem! Drite paste🙏🙏

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here