Sanremo-ja i Sherif Merdanit

0
276
blank

Sonte, kur Sanremo nis edicionin e tij të 72-të, publikut nostalgjik e besnik të këtij festivali frymëzues për disa breza shqiptarësh, do i mungojë një artist i veçantë, Sherif Merdani. Në një intervistë të dy viteve më parë këngëtari i burgosur në diktaturë, tregon marrëdhënien e tij me festivalin e këngës italiane, netët kur arriti ta prekte ëndrrën dhe arsyen përse historia e dënimit të tij nuk u përfshi në skenarin e festivalit të 30 viteve më parë, ku Merdani ishte i ftuar në sallë.

 

Edhe për Sherif Merdanin, si për shumë artistë e jo vetëm, festivali i Sanremos, megjithëse i ndaluar në Shqipëri gjatë diktaturës, ishte një burim frymëzimi. Ky takim i ndaluar me ëndrrën mund të bëhej më pas një akuzë më shumë në dosjet e artistëve të cilët jo pak herë e pësuan. Sherif Merdani është një nga këngëtarët e dënuar më rëndë në diktaturë. Jo vetëm iu ndalua skena, por u dënua me 16 vjet burg dhe u dërgua në kampet me punë të detyruar. Megjithatë Zoti deshi që Merdani të shijonte sërish lirinë dhe skenën. Madje të prekte edhe atë ëndrrën e largët të quajtur Sanremo. Në një intervistë të dy viteve më parë për Panorama online, Merdani i ndarë nga jeta gushtin e kaluar, ka rrëfyer netët kur ndoqi Sanremon nga salla Ariston dhe bisedën që bëri me drejtuesin e festivalit të atij viti, Pipo Baudon.

Prej nëntorit të 1992-shit, Merdani ishte Sekretar i Parë, përgjegjës edhe për kulturën në Ambasadën e Shqipërisë në Romë. Disa muaj pas marrjes së detyrës, kur përgatitej edicioni i 43-të i Sanremos, në ambasadë mbërriti një ftesë më emrin e tij nga Bashkia e San Remos që e ftonte të ndiqte festivalin.

“Mendoni, ende kisha ndjesinë e burgut, sapo pata dalë nga telat, nga rrethimi dhe… në San Remo, diçka e pabesueshme! Me tren jam nisur nga Roma. Kur mbërrita në San Remo, më priti një person, i cili pyeti pse isha pa gruan. Një gabim për mungesë eksperience”, ka treguar Sherif Merdani.

“Më kishin rezervuar një hotel dhe pranë dhomës sime ishte një grup baleti nga Amerika që do performonte në Festival. Më pajisën me një fletëhyrjeje dhe atë mbrëmje, ndoqa provat. Kujtoj, këndoi Pauzini. Ftesa ishte për në lozhë, ku qëndronte trupi diplomatik. Bileta kushtonte deri 7 milionë lireta për tri netët e festivalit. Prezantimi i ishte besuar Pipo Baudos me Lorela Kukarinin dhe Alba Parietin, e cila këndoi një këngë gjatë provave.

Në mëngjesin e ditës së dytë, një gazetar i kishte folur Baudos për mua. U takuam në zyrën e tij, në hollin e Ariston e duke qenë se e flisja italishten, ideja ishte për një bashkëbisedim me të direkt në skenë, jo për të kënduar. Thjesht për të treguar se San Remo kishte viktimat e saj në një vend si Shqipëria, ku nëse admiroje, këndoje këngët, kishe pasoja edhe me burg, siç ishte rasti im.

Historia ime e tronditi Baudon. E dëgjoi me vëmendje, hezitoi, u mendua dhe “Jo”, ishte përgjigjja e tij. “Nuk mund ta bëjmë”, tha, “se tregimi i zotërisë do të trishtojë sallën, telespektatorët dhe mua do më duhen minuta, për të risjellë atmosferën entuziaste, të gëzuar që karakterizon netët në San Remo”. Një përgjigje normale, logjike, e arsyetueshme e tij”, ka thënë Merdani.

Ai e shijoi Sanremon si spektator. E ndoshta jo vetëm atë vit, por edhe në gjithë historinë e Sanremos, Merdani ynë do të mbetet një nga spektatorët me emocionet më të veçanta të atij festivali. Një spektator që e kishte ëndërruar deri në burg atë skenë, atë teatër, atë magji e që tani po e prekte.

“Pas viteve të burgut, sigurisht m’u rikthyen shpresat, me mundësinë për të realizuar ëndrrat e harruara, të kanceluara. Dhe njëra, u realizua. Më dukej e pabesueshme, kur isha në sallë, e ndiqja Festivalin e San Remos, një pasion i hershëm i imi. Ato kanë qenë netët më të bukura artistike të jetës sime”, ka thënë Merdani për Panorama Online.

Këngëtari me zërin e pangatërrueshëm dhe me një histori jete po aq të paharrueshme, ka treguar se, dhe pse nuk u bë publike në skenën e Sanremos, historia e tij u bë e njohur në Itali përmes shkrimeve në revistat “Visto”, “Chi”, “Stop”…

blank
Pjese nga revista italiane ku eshte publikuar historia e Sherif Merdanit

“Ishte një gazetare, Analisa Koviella, të cilën historia ime e kishte befasuar. Më pas, ajo u bë promotore në takimet, intervistat, ftesat që më erdhën nga radio, kanalet televizive të “Rai”-t, “Mediaset”-it, takimet me artistë, publicistë, këngëtarë të njohur, drejtues emisionesh. “Një mësues në profesion, i diplomuar, por edhe një këngëtar shumë i njohur, fitues i festivalit shqiptar të muzikës në radio. Por i arrestuar dhe i dënuar një herë dhjetë, pastaj dhjetë vite të tjera në burg”, shkruhej në të. Habiteshin edhe me italishten time, kur i tregoja se e kisha mësuar në burg nga priftërinjtë”, ka thënë Sherif Merdani.

Ai ka qenë i ftuar në emisionet “Una mattina”, “Maurizio Costanzo Show”, por edhe në një koncert, ku ka mundur të këndojë me një nga idhujt e tij të dikushëm, Gianni Morandi.

blank
Gianni Morandi dhe Sherif Merdani

Gianni Morandi, këtë vit do të ngjitet në Sanremo, si konkurrent. Po ashtu edhe Iva Zanicchi, një tjetër këngëtare e viteve kur Sherif Merdani e të tjerë e dëgjonin Sanremon fshehurazi në Shqipëri...Një ndjekës dhe një koleg i tyre,  do të mungojë. Ky këngëtar i madh u mungon të gjithëve.

 

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.