Dom Mikel Beltoja, kleriku i fundit i ekzekutuar nga komunistët

0
726
blank

Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendimin nr.229, datë 4.9.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim. U la në fuqi me vendimin nr.1775, datë 6.12.1973 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Nuk pranoi të nënshkruajë kërkesë për faljen e jetës. Presidiumi i Kuvendit Popullor në mbledhjen e datës 30.1.1974 refuzoi t’i falë jetën.

Një grup fëmijësh dhe disa gra e burra janë mbledhur rreth sendeve personale të priftit të dënuar me vdekje. Është fotografi e vitit 1973 ku shfaqet populli spektator duke dëgjuar "zërin e partisë" tek i bën gjyqin pasurisë që kish lënë pas prifti i pushkatuar. Duket sikur po i bëjnë gjyqin biblës e librave të tjerë fetarë, orendive dhe kryqit të hedhur diku në cep një grumbulli të vogël me sendet personale të priftit të dënuar me vdekje. Gra e burra që dikur kishin respektuar me përulësi priftin e tyre, tani partia i kish detyruar të ishin spektatorë të demaskimit të institucionit ku kishin besuar brez pas brezi.

Libra fetarë,  sende të vogla personale diku afër i hedhur një kryq… anash populli demaskon klerikun… kjo është fytyra e Shqipërisë së vitit 1973 kur bëheshin gjyqet e demaskimit në popull e kur njeriu ishte më afër anti-njeriut, antikrishtit.

Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar fotografinë teksa fëmijëve dhe kooperativistëve iu tregoheshin orenditë që përdorte kleriku.

“Hilë Gjergj Gjoni, lindur në vitin 1935 në Beltojë të Shkodrës, i njohur ndryshe si Dom Mikel Beltoja është kleriku i fundit i ekzekutuar me vdekje me vendim gjykate. Regjimi e bëri shembull sepse ai ushtronte fenë edhe pse ajo ishte ndaluar. Madje sendet e tij, ia ekspozoi popullit.

U arrestua më 19.4.1973. U akuzua në bazë të neneve 64 (tradhtia ndaj atdheut) në kombinim me nenin 10 (përgatitja dhe tentativa), nenit 73/1 (agjitacioni dhe propaganda), nenit 239/2 (kundërshtimi i përfaqësuesit të pushtetit) dhe nenit 185 (mashtrimi, d.m.th. feja konsiderohej “mashtrim”). Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendimin nr.229, datë 4.9.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim. U la në fuqi me vendimin nr.1775, datë 6.12.1973 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Nuk pranoi të nënshkruajë kërkesë për faljen e jetës. Presidiumi i Kuvendit Popullor në mbledhjen e datës 30.1.1974 refuzoi t’i falë jetën. Në mungesë të dokumenteve të tjera plotësuese, d.m.th. praktikës së ekzekutimit, e cila nuk është gjendur, besohet se vrasja të jetë bërë më 10.2.1974. Te rasti i Hilë Gjonit, spikat qëndrimi i qartë antikomunist, i demonstruar në sallën e gjyqit dhe botërisht. Ai ishte i akuzuar, por akuzoi publikisht klikën e Enver Hoxhës dhe regjimin e tij antikombëtar. Në vendimin e Gjykatës së Lartë, ndër të tjera thuhet: “Ai është shprehur haptazi kundër sistemit kooperativist, në mbrojtje të armiqve të popullit, kriminelëve të luftës, etj., udhëheqësit e partisë dhe të shtetit i ka quajtur servilë dhe të shitur në vendet e tjera. Haptazi, gjithashtu, ka deklaruar ndër persona të ndryshëm se në qoftë se do të ndryshojë gjendja politike e vendit ‘nuk kam çka të bëj tjetër, vetë se këto komunistët dhe me i pa jo të pushkatuar, por me i gri copa me brisk rroje’. Bile edhe gjatë hetimit si dhe gjykimit të çështjes, i gjykuari ka mbajtur të njëjtin qëndrim armiqësor, gjë që vërteton se ai është i vendosur në rrugën e tij prej armiku të betuar të pushtetit popullor”, shkruan në postimin e tij, Kastriot Dervishi.

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here