“Rri urtë se të dërgojmë në Porto Palermo!”

0
373
blank

Errësira e kalasë së famshme që verboi dhjetëra shqiptarë të dënuar gjatë diktaturës. Fama e keqe e kalasë së bukur që vjen prej sundimit turk e shtrihet gjatë diktaturës komuniste... atje ku vuajtën dënimin burra, gra e fëmijë të dënuar si “Armiq të Popullit”

Kur publicisti dhe shkrimtari i spikatur i viteve '30 komentonte shprehjen: “Rri urtë se të dërgojmë në Porto Palermo!”, padyshim që as e kishte menduar se ajo pjesë e errët e kalasë së bukur do të përdorej për tortura të shqiptarëve mbi shqiptarë, deri në verbim. Publicisti Ismet Toto dinte vetëm famën e keqe që kishin bodrumet e kësaj kalaje në kohën e turkut, ku dënoheshin shqiptarë kryengritës kundër zgjedhës turke, e kishte dëgjuar të përdorej edhe nga qeveritarë të kohëve të mëvonshme, por as që mund të parashikohej se si do të përdorej ky vend për të dënuar çnjerëzisht shqiptarë të pafajshmë, ndër të cilët edhe fëmijë. Do të sjellim në kujtesë një pjesë të shkurtër të artikullit të Ismet Totos për bugun e kalasë: “Rri urtë se të dërgojmë në Porto Palermo!” Sa herë e kemi dëgjuar këtë fjalë? Sa herë që kemi guxuar të themi ndonjë gjysmë fjalë kundër sundonjësve të djeshmë....Famën e Porto Palermos mos e pastë asnjë vend tjetër në Shqipëri! Tmerri i atij emri përkuli një tok karaktere që qenë në formim e sipër. Njërëzit që kanë për hyner tmerrin në punë qeverimi nuk duan të dinë se ç’bëhet në botën shpirtnore të vendit. Ata kujtojnë se qetësia mbahet me gjindarmë e Porto Palermo!...” shkruante Ismet Toto në vitin 1936 në gazetën “Arbënia”. Deri atëherë, Porto Palermo ishte përdorur si burg për armiqtë e të gjitha qeverive dhe të njëjtin rol shumë më të përforucuar do ta kishte edhe gjatë diktaturës komuniste.

Sapor erdhën në pushtet komunistët nisën të gjejnë vendet më të errtëa e më të tmerrshme për të ngujuar “armiqtë e popullit”. Njëri prej tyre do të ishte padyshim kalaja e Porto Palermos dhe aty do të vuanin dënimin mbi 200 të internuar.

blank98 burra, 66 gra, 36 fëmijë të internuar ishin mbyllur në prill të 1950 në kalanë e Porto Palermos. Mbaheshin në bodrumet e lagështa e errëta të kalasë me 200 gramë bukë në ditë....

Funksionoi si kamp internimi gjatë vitit 1950, ku të internuarit u sollën nga kampi Lozhanit dhe i Tepelenës. Kushtet e jetesës ishin shumë të rënda, ku problem nuk ishte vetëm fjetja në natyrë, por edhe errësira dhe uji i pijshëm me përmasë të lartë kripe. Ajo pak bukë që jepej për të mbajtur frymën gjallë të internuarit, gatuhej brenda kalasë. Qëndronin nëpër bodrumet e kalasë, të cilat shërbenin edhe si vend torturash. Jepej ushqim nga 200 gramë bukë në ditë, shoqëruar me pak marmelatë e margarinë disavjeçare të prishur. Ditët që kaloheshin në këtë kamp ishin thuajse “natë” gjithë kohës dhe pas disa muajsh qëndrim aty, të internuarit që dilnin nga ky kamp çnjerëzor nuk shihnin mirë nga sytë. Terr kudo. Fati (nëse mund të quhet i tillë për ata që vuajtën në këtë kala), erdhi në vitin 1950, kur një anije italiane në rrezik mbytjeje u vendos pranë mureve të kampit. Kjo situatë aksidentale alarmoi strukturat e pushtetit, pasi i druheshin ndonjë arratisjeje masive të të dënuarve duke shfrytëzuar mbërritjen e anijeve të huaja dhe në fund të vitit 1950, qeveria komuniste e mbylli kampin.

Të dhënat e siguruara për të internuarit në kampin e Porto Palermos:

-Janar 1950: 98 burra, 64 gra, 36 fëmijë

-Shkurt 1950: 83 burra, 61 gra, 37 fëmijë

-Mars 1950: 92 burra, 63 gra, 36 fëmijë

-Prill 1950: 98 burra, 66 gra, 36 fëmijë

-Maj 1950: 91 burra

-Qershor 1950: 92 burra

-Korrik 1950: 98 burra

-Gusht 1950: 98 burra

-Shtator 1950: 128 burra

-Tetor 1950: 140 burra

Një prej të dënuarve në burgun e Porto Palermos ishte edhe Lekë Pervizi, i cili e ka rrëfyer kështu historinë e këtij kampi:blank

Kur na çuan në kalanë-burg të Porto Palermos, aty gjetëm të mbylluna në atë kala mesjetare, disa nga familjet ma të randësishme të veriut, si Gjomarkaj, Pervizi, Bajraktari, Dine, Dema, Ndreaj, Topalli, Mirakaj, Kolaj, Spahia, Sinaj, Shehaj, e tjera familje bajraktarësh nga Mirdita, Malsia e Madhe, Puka, Lezha, etj., krejt gra e fëmijë, pleq e plaka. Aty gjetëm mamën tonë dhe kushrinën Bardha Gjomarkaj, e cila ishte njohun me Valentinin po atë ditë kur ai kishte mbrritë nga Italia në Shkodër. Nuk kaloi një javë dhe të gjithë familjet i larguen e i çuen në kampin e Tepelenë. Kalaja e Porto Palermos u kthye në burg vetëm për burra. Jo me dënime nga ndonjë gjykatë por të përplasun brenda saj nga Sigurimi. Aty mbretëronte vetëm errësina e lagështina. Mue me Valentinin na kishin caktue në një kthinë të madhe, 10 x 5 metra dhe e lartë 6 metra. Drita mëzi hynte nga një përzore në fund të një tuneli prej tre e ma shumë metrash, sa ç‘ishte trashësia e murit. Në atë kthinë si shpellë e ciklopit Polifem, na caktuen vendin në fund të saj nga ana e lindjes, drej mbi rrasa guri. Aty ishin shtri nga të dy anët me një shteg kalim në mes 20 vetë rresht njeni pas tjetrit me kokë nga muri dhe kambët karshi-karshi. U njohëm menjëherë me ta. Përballë kishim Vasil Kokalin, një djalë i ri nga Saranda, e Shpend Sherifin, ish-toger nga Tropoja, që kishte qenë në burgun e Shkodrës me Valentinin. Pastaj vinin me radhë, Luigj Marku, Luigi Hila, Avni Agolli, dy vllaznit Çullhaj, Bajram Xhaferri, Sherif Tafani, e të tjerë që nuk më kujtohen, e kam fjalën për dhomën tonë. Nga të tjerë më kujtohen, Haziz Kurjani, Kujtim Velmishi, Piro Mavromati, Xhevit Matjani, Bexhet e Haziz Ndreu, Zef Gjoka, Seit Ukaj, Cen Golja, vllaznit Dushi, ku ma i madhi Deda ishte bukëpjeksi ynë, sepse buka piqej në furrën e kalasë. Ne ishim në kushte të një izolimi të plotë.

blankA kalonte a s‘kalonte një kamion në muej në rrugën Vlorë-Sarandë. Mue dhe Valentinin kur na sollën këndej, makina na la në Himarë te posta e policisë, ku fjetëm atë natë nën yjet. Të nesërmën, dengun e teshave mbi kurriz e në kambë deri të Kalaja të shoqnuem nga një oficer i sigurimit i armatosun. Me mbylljen në kalanë e Porto Palermos, Valentinit iu pre çdo lidhje me të shoqen. Jo vetëm kaq por dhe me dashtë me shkrue nuk kishte as letër as zarf as kartolina, fjala vjen. Pa asnjë t’ardhun e ndihmë tjetër ne jetonim vetëm me spirilangun e kazanit që na ndahej një lugicë në ditë dhe copën e bukës të qulltë prej thekni. Sa që u ba problem dhe u vendos që ta zbrisnin racionin nga 650 në 400 gram, por të pjekun në tullë. Së pakut të hanim buk dhe jo pelte. Njerëzit ishin dobësue nga mungesa e ushqimit. Gjysma të dënuemve ishin verbue nga mungesa e vitaminave, si Ndue Doshi, Mark Doshi, Tomorr Dine, Kujtim Velmishi, etj. që ecnin këmba- doras e duhëshin mbajtur për krahu. U sëmue për vdekje i riu Musa Sina. Kur e pa rreshter Qaniu që zëvendësoi komandantin, kapter Ahmetin, u tha atyre që e ruenin: Merreni dhe hidheni në det këtë kërmë! Përmendëm kapter Ahmetin nga Kuçi i Kurveleshit, i cili kishte qen roje në burgun e kalasë së Gjirokastrës që mbahej i tmerrshëm. Kur e sollën komandant në Porto Palermo mbeti pa mend nga kushtet tëpër të keqia dhe u shpreh haptas, se kalasë së Gjirokastrës i paskej dalë nami për keq kot, sepse kjo e Palermos qenka për t’i qa hallin !

Nuk vonoi dhe filluen të sjellin ish-të burgosun që kishin plotësue dënimin pesëvjeçar, si Viktor Dostin, Fatbardh Kupin, një far Kalenja, nga Mallakastra ish-shok i Mehmet Shehut, qe na tregonte për krimet e tij. Pastaj kalaja u mbush me nja 20 vetë nga Devolli e Korça të familjeve Bylykbashi, Kollçinaku, Merolli, Kadiu, Barolli, Kulla etj. Sollën disa nga Mirdita e Puka që ishin arrestue për vrasjen e Bardhok Bibës. Kështu u pa se ajo kala do të mbushej mirë me të burgosun politikë me një qëllim shumë djallëzor e pervers. Atë të zhdukjës fizike me anë të mungesës ushqimore, me një trajtim tepër të keq. Përveç të tjerave, nuk kishte asnjë strukturë higjienike. As ilaçe e mjekime. Për mjek as që flitej. Siç thamë nga dobësia njerëzit filluen të vërbohën nga sytë. Filloj të shfaqej dizenteria. Policia na çoj disave në Himarë për të marrë disa pako që kishin ardhë aty, nga familjet e të dënuemve.

blank

Mue me kishte zanë dhimbja e një dhëmballe dhe kishte disa net qe nuk flija. Me atë rast ma hoqi dhëmballën berberi që kryente edhe detyën e dentistit për të shkull dhambë e dhëmballë, pa asnjë mjekim, me një palë dana të zeza sterr. Se si m'u dha me kërkue një mjek dhe polici më lejoi. Mjekut puro himariot i besova dhe i tregova për vërbimin, dizenterinë, ushqimin e keq dhe mungesën e ilaçëve. Njeri i mirë siç ishte më tha troç: E keni pisk punën, në ato kondita pa shpresë. Ç’të thoshte tjetër, i kishte thanë të gjitha.

Fatmirësisht qëndrimi në ketë kala nuk shkoi gjatë se do të kishim vdekur të gjithë. Doktori himariot u shpreh qartas, … pa shpresë. Kishte plotësisht të drejtë. Ushqimi ditor ishte mizerabel, 400 gram bukë thekri e një lugë lëng groshe ose makaronash. Në kala rrezja e diellit nuk depërtonte asnjëherë në ato mure tre metra të trasha. Dritaret ishin shumë të vogla, ambjenti ishte gjithmonë në terr. Lagështia ishte një gjendje e mjerueshme. Për të fjetur si dyshek kishim rrasat e gurit. Ujë të kripur e me krimba pinim nga pusi që ishte në hyrje të kalasë, para zyrave. Ajo dobësi kishte përfshi edhe Valentinin. Unë dhe të tjerë po e shihnim se ishte zverdhë në fytyrë, dhe mezi lëvizte. Pse? Ç’kishte ? Unë insistova të tregonte. Atëherë ai me mori e me çoj te një ndërtesë e rënueme, në një qoshe, dhe zbuloi dy sqetullat e krahëve. Ç’me pa? ? Dy lunga të mëdha, plot qelb e gjak. Po pse nuk na ke thane Valentin? Duhën shpue urgjentisht. Si me ia ba? Unë shkova dhe mora një gjëmb të madh drize, s’kishim mjet tjetër. Ia shpova e çava, me atë gjëmb e kështu shpërtheu i gjithë qelbi. Në ato çaste sikur po і binte të fikët dhe u bana gati me thirr ndihmë. Për fat e mori veten, dhe gjithçka kaloi. Eh mor Valentin, ku ti e ku Gori? Ajo në Parajzë e ti në Ferr. E ku mund ta përfytyroje ajo si jemi degdisë? Valentini shpëtoi kot, se lungat janë shumë të rrezikshme, jo si të thatët. Ato shkaktojnë helmimin e gjakut", ka rrëfyer Lekë Pervizi./kujto.al

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here