Historia tragjike e familjes Pikolini!

0
855
blank

“Në dritën e hënës së zbehtë të varreve, nën heshtjen e fletëve të çinarëve që mbulonin tokën ku pushonin shumë martirë të vrarë nga diktatura,  pasi thyen tokën me durim, mbërritën të preknin me duart e tyre të veshura me lagështi…. gjetën në xhepin e palltos një stilograf dhe krehrin. Nëna njohu kufomën e birit të saj”

Më 26 janar të vitit 1945 u ekzekutua Palok Mark Pikolini. Në moshën 29 vjeçare, Paloka u arrestua dhe u dënua nga gjykata ushtarake e korporatës së 3-të Shkodër, me vendimin nr.2, datë 24.1.1945. gjykata e deklaroi fajtor për veprimtari kundër pushtetit popullor dhe e dënoi me vdekje e me konfiskimin e pasurisë. Të dhenat janë publikuar në facebook nga studiuesi Kastriot Dervishi. Sipas dokumenteve, Palokë Pikolini u ekzekutua pa hyrë në fuqi vendimi i shkallës së parë. Pasi kishte vdekur, u la në fuqi me vendimin nr.25, datë 28.2.1945 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

Dervishi tregon më pas për fatin e të vëllait të Palokës, Kolec Pikolini, i cili gjithashtu ishte arrestuar dhe dënuar me 20 vjet burg. Por për fat të mirë ai ia kishte dalë të arratisej e të mbërrinte deri në në Miçigan në SHBA ku edhe ndërroi jetë në shkurt të vitit 2019.

Kolec Pikolini ka shkruar historinë e trishtë të vëllait të tij dhe të gjithë familjes së tij të përndjekur nga regjimi komunist. Një ndër momentet drithëruese është edhe një natë në varret e Rrmajit ku nëna e Palokës, mundi të tërheqë kufomën e të birit të pushkatuar nga regjimi komunist. Lexoni kujtimet e Kolec Pikolinit, ku përshkruhet pikërisht ajo natë e tmerrshme e nënës së tyre.

“Në fundin e varrezave bri një muri, u panë dy gra të moshuara me një thes e një arkë të vogël, të shoqëruara prej një burri që kishte në dorë një qysqi e një lopatë. Të dy gratë ishin motra. Ata ishin nëna e tezja e Palokë Pikolinit, ndërsa personi që i shoqëronte ishte Preka kujdestari e administratori i varrezave katolike në fushën e Rrmajit. Nëna e tezja kishin menduar si të tërhiqnin kufomën e djalit të saj. Preka ishte në dijeni se ishin edhe kufoma të tjera, por edhe varrezat survejoheshin nga spiunët. Kështu këto dy motra i ishin drejtuar Prekës në besën e Zotit që t’i jepte lejen për këtë iniciativë. Preka jo se i dha menjëherë leje, por se me shpirtin burrëror e antikomunist i dha ndihmën pa marrë parasysh konsekuencat e Sigurimit të Shtetit.

Në dritën e hënës së zbehtë të varreve, nën heshtjen e fletëve të çinarëve që mbulonin tokën ku pushonin shumë martirë të persekutuar nga shpirti antishqiptar. Këto, pasi thyen tokën me durim, mbërritën të preknin me duart e tyre të veshura me lagështi. Atje gjetën në xhepin e palltos një stilograf dhe krehrin. Nëna menjëherë njohu kufomën e të birit të saj, prej kostumit dhe këpucëve të reja që babai i kishte punuar kur ishte liruar prej kampit Gjermanisë. Këto motra lagën me lotët e tyre kufomën e tij dhe së bashku me kujdes e mbështollën me një batanije dhe e futën në armën që kishin sjellë. Preka, një ditë më parë, kish hapur gropën e familjes ku pushonin dy motrat e tij, gjyshi e gjyshja. Kjo ishte nata më misterioze që unë pashë nga larg, duke qëndruar i strukur bri mureve të rrugës për vëzhgim”./kujto.al

(Kolec Pikolini, “Regjimi i hienave”, Shkodër 2001, faqe 112.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here