Dëshmia/Xhelal Kali: Duhej të mohonim babanë, për një kafshatë bukë

0
248

Historia prekëse e një djali që ishte nëntë vjeç kur i arrestuan babanë dhe kur ai doli në  gjyq, pas një viti, i biri mezi prista ta shihte. Pjesëmarrësi në lëvizjen e Postribës, Dulo Kali, u dënua me pushkatim dhe që nga ai çast jetesa e Xhelalit, vëllait, motrave dhe nënës së tij, u bë shumë e vështirë. Më e mira e banesave që patën për shumë vite, ishte ajo e haurit të shtëpisë së tyre, tashmë të sekuestruar, por përndjekja nuk mbaroi me kaq. I lanë pa shkollë deri edhe fëmijët e tyre dhe për të gjetur një punë, iu duhej ta fshihnin bijtë e kujt ishin, sepse përndryshe i flaknin në rrugë

Zoti Xhelal, kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Kam lindur më 28 shkurt të 1937-ës. Familja ime është përbërë, deri sa ishte babai gjallë, me babain, me mamanë, një vëlla dhe 4 motrat. Ata të gjithë më të mëdhenj se unë. Babai u arrestua. I lindur nga një familje me tradita patriotike, shumë nacionaliste. Salo Kali është quajtur babai i babait, një person i njohur në Shkodër. Dhe si shumëkush kishte bërë një pasuri shumë të madhe në qytet, por më shumë në fshat, me toka. Na janë marrë, po kemi pasur 60 hektarë tokë. Si pasanik dhe i përfshirë në këtë lëvizje, u arrestua në vitin 1946.

Babai u dënua sepse mori pjesë në lëvizjen e Postribës?

Edhe si figurë e njohur dhe si pjesëmarrës në këtë lëvizje u dënua me pushkatim.

Në cilin vit u arrestua?

U arrestua në vitin 1946, gjyqin e bëri në fillim të ‘47-ës  dhe është pushkatuar  më 30 mars të 1948-ës.

A mbani mend kujtime nga babai?

Unë mbaj mend shumë pak se kam qenë fare i vogël, 8 vjeç. Si figurë, si fytyrë, e kujtoj. Edhe në momentin që doli në gjyq doja ta shikoja se nuk e kisha parë që nga vjet.

Ishin një grup i madh që dolën në gjyq atëherë?

Shumë nga Shkodra dhe nga Postriba, sidomos, por të drejtuar këtej nga Shkodra. Edhe lëvizja, për arsye të ndryshme, tregohej si lëvizje antikomuniste edhe e para dhe nxiti njerëz, u bë shkak për revolta të tjera më vonë...për revolta të tjera më të vogla, por ajo u shua. Pastaj raprezalja filloi ndaj kësaj kategorie njerëzish në mënyrën më çnjerëzore.

Kur babai juaj u pushkatua ju ishit fare i vogël?

Tëtë vjeç në atë kohë, pjesëtarët e tjerë të familjes, nëna, në atë kohë, shumë e re tek 44-45 vjeç, babai ishte 48 vjeç.

Ç’ndodhi me familjen tuaj?

Jeta e familjes shkoi keq e më keq. Filloi konfiskimi i pasurisë komplet. Kemi pasur dy shtëpi të mëdha dykatëshe, 12 dyqanenë lagjen Rus, shkodranët e njohin shumë mirë. Dhe na nxorën nga shtëpia e na çuan nëpër ajër, jerevi i themi ne në Shkodër, shtëpi të pabanueshme ku na lanë 2 vjet. Pastaj me vështirësi na çuan në jerevi të shtëpisë sonë kur ne dikur mbanim bagëtitë dhe na u duk gjë e madhe se erdhëm të paktën në truallin tonë. Nëna vuajti shumë kuptohet, se nënë me 6 fëmijë: na u mohua gjithçka. Na u mohua e drejta e shkollës, e drejta e punës. Unë isha në shkollë të mesme veterinare se nuk gjeta diku tjetër. Edhe aty më përjashtuan 2-3 herë. U futa 3 vjet në veterinari. Sa më shihnin, më përjashtonin edhe nuk arrita të merrja as vitin e parë. Këtë ma bëri madje një kushëri i imi, ishte një instruktor partie, më jepte Marksizëm në shkollë, sa më pa, të nesërmen më thirrën: "Je i përjashtuar. Nuk përfiton të drejtë studimi". Edhe mbeta kështu. Pastaj kam qenë veteriner me arsim të mesëm, por në rrugët më të vështira duke filluar në Pukë, në Iballë të Pukës, zonë shumë e vështirë, Fushë-Arrëz, Pukë, pastaj në Burrel edhe gjithmonë duke u dridhur se po më përjashtonin nga puna se më kanë përjashtuar dy-tri herë, me pretekste të ndryshme. Kam punuar në bujqësi, kam punuar në zejtari, deri kur më dhanë të drejtën për të punuar në këto zona që po ju them. Shumë e vështirë deri në ’90...

Po pjesëtarët e tjerë të familjes ku punonin?

Vëllai pa punë deri vonë. Pastaj gjeti marangoz i thjeshtë me mbërthye arkat e ambalazhit dhe vazhdoi deri sa doli në pension. Motrat, edhe ato peripecitë e veta, pa punë. Në atë kohë, edhe fanatizmi ishte në Shkodër. Kemi vuajtur për bukën e gojës, kemi pasur frikë të thoshim se kush jemi se djali i kujt jam nuk kam mundur të them, kam mohuar babain për të ngrënë një kafshatë bukë.

A kujtoni emra nga persekutorët tuaj që janë munduar e ju kanë bërë keq?

Janë munduar, po sidomos ata që kanë drejtuar lagjet, kryetarët e lagjeve, kryetarët e fronteve. Duke mos na dhënë të drejtën e frontit, sidomos në lagje se na njihnin shumë mirë, jo vetëm ne, por edhe nipërit tanë, fëmijët e motrave: “Jeni nipërit e Dulo Kalit”. Edhe kanë mbetur të gjithë pa shkollë, nipër e mbesa, pse “jeni nipa të Dulo Kalit”.

Vijoi në breza persekutimi?

Po si! Kanë vuajtur shumë.

Si e keni përjetuar ju ardhjen e demokracisë në Shqipëri?

Ardhjen e demokracisë, si të gjithë të tjerët, e kemi përjetuar me kënaqësi. Menduam se do të shpëtojmë edhe po vjen një demokraci më reale, por duhet thënë nga e keqja e madhe shumë më mirë jemi./ Arkiva Doko/ Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here