Premtimet e pambajtura të Rilindjes për viktimat e diktaturës komuniste

0
139
blank

"Premtojmë shndërrim në muze të burgjeve të diktaturës komuniste. Ngritje e varrezave monumentale për të gjithë ata që u pushkatuan nga regjimi komunist”

…Quhem Mhill Gjinaj ish-i burgosur politik, qeveria e PD-së nuk ka bërë asgjë për ne, Berisha asnjëherë nuk ka pranu me dialogu me ne për të drejtat tona…”

"Unë jam Marash Vata, jam i djathtë, i persekutuar politik me shtatë të vrarë në familje, të shtatë me universitet. Kemi votu çdo herë për Partinë Demokratike sepse besuam te ata…. por jemi të zhgënjyer…"

Sot jemi grumbullu bashkë me të përsekutuar, demokratë edhe me socialistët e ndershëm që të rrëzojme Sali Berishën……”.

Janë këto disa pjesëza fjalimesh të disa personave që iu bashkuan Rilindjes së Edi  Ramës në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit. Në spektaklet e shumta nëpër Shqipëri, kreu socialist Edi Rama sajoi edhe disa takime me demokratë e ish-të përndjekur politikë, për të bindur shqiptarët se do te ishte partia e tij që do të sillte drejtësi për të përndjekurit politikë. Përveç premtimit për të dëmshpërblyer ish-të burgosurit politikë dhe trashëgimtarët e tyre, premtoi disa hapa të rëndësishëm që kishin lidhje me kujtesën. Në një prej fjalimeve të tij, në qershor 2013, Rama do të thoshte ndër të tjera:

"Qeverisja e ardhshme socialiste premton ngritjen e një institucioni, me standarde europiane, të kujtesës historike, që do të dokumentojë dhe bëjë të aksesueshëm për publikun historinë e persekucionit nën regjimin komunist. Shndërrim në muze i burgjeve të diktaturës komuniste. Ngritje e varrezave monumentale për të gjithë ata që u pushkatuan nga regjimi komunist. Krijim i lehtësive ekonomike dhe administrative për gjetjen dhe nderimin e eshtrave të të pushkatuarve dhe të të burgosurve. Nisma për mbështetjen e pjesëmarrjes së tyre të barabartë në shoqëri. Rehabilitim moral i ish-të përndjekurve politikë, si një detyrim madhor i shoqërisë, e cila duhet të nderojë këta luftëtarë të demokracisë”, u shpreh ndër të tjera Rama në një miting të fushatës elektorale më 11 qershor 2013.

Kanë kaluar shtatë vjet e gjysmë që është në pushtet. I marrim me radhë premtimet e mësipërme:

Premtimi nr.1: “Qeverisja e ardhshme socialiste premton ngritjen e një institucioni, me standarde europiane, të kujtesës historike, që do të dokumentojë dhe bëjë të aksesueshëm për publikun historinë e persekucionit nën regjimin komunist. Shndërrim në muze i burgjeve të diktaturës komuniste. Ngritje e varrezave monumentale për të gjithë ata që u pushkatuan nga regjimi komunist”.

Qysh në vitin e dytë të qeverisjes, në sheshin para Ministrisë së Brendshme u ngrit një bunker poshtë të cilit janë ekspozuar të dhëna që lidhen me kohën e diktaturës komuniste. Ka atje emra xhelatësh, por edhe viktimat e tyre… është e vetmja përpjekje e qeverisë përsa i përket premtimit për shndërrimin në muze të burgjeve të diktaturës. Ndërsa kamp-burgu i Spaçit, Qafë-Barit, kampi i Tepelenës, i Gjirokastrës e të tjerë janë ashtu siç ishin ose edhe më keq. Kampi i Spaçit mirëmbahet nga një organizatë joqeveritare, e cila paguan një banor të zonës që të kujdeset për kampin ndërsa shteti shqiptar nuk investon asnjë cent për ruajtjen ndaj dhe nuk mund të pretendohet ndonjë investim për t'i kthyer ato në muze sipas standardeve evropiane.

Premtimi nr.2: "Krijim i lehtësive ekonomike dhe administrative për gjetjen dhe nderimin e eshtrave të të pushkatuarve dhe të burgosurve".

Qeveria e Rilindjes nuk bëri asnjë hap përpara në këtë drejtim. Përkundrazi, projekti i BE-së për gjetjen e personave të zhdukur, ICMP që operon në Shqipëri, veçse është penguar në përpjekjen për të avancuar në procesin e gjetjes së eshtrave të rreth 6 mijë të pushkatuarve si kundërshtarë të regjimit. Nuk janë gjetur ende eshtrat e ndonjërit prej tyre. Ndërkohë që ICMP pret procedurat e qeverisë Rama për të bërë hapat e nevojshëm, për të nisur zhvarrimet në Ballsh, Burrel, Gjirokastër e vende të tjera ku dihet se janë varrosur të pushkatuar të regjimit. Është për t'u veçuar rasti i fundit në fillim të këtij tetori kur nisi zhvarrosja e eshtrave të italianit Giuseppe Terrusi. Për shkak të presionit nga qeveria italiane, Rama ngriti një task force të dedikuar për gjetjen e eshtrave të Terrucit, ndërsa për 6 mijë shqiptarët e tjerë të zhdukur në diktaturë, as që bëhet fjalë. Por dhe ky proces ka ngecur. Procesi i zhvarrimit të eshtrave të italianit që ndërroi jetë në vitin 1952 në burgun e Burrelit, u shty për shkak të reagimit të ICMP-së që lidhej me respektimin e procedurave dhe marrëveshjes me qeverinë.

Premtimi nr.3: “Nisma për mbështetjen e pjesëmarrjes së tyre të barabartë në shoqëri. Rehabilitim moral i ish-të përndjekurve politikë, si një detyrim madhor i shoqërisë, e cila duhet të nderojë këta luftëtarë të demokracisë”.

Nuk mund të flitet asfare për mbështetje për pjesëmarrje të barabartë në shoqëri. Përkundrazi Rama ktheu në pushtet trashëgimtarë të ish-anëtarëve të byrosë politike, por edhe ish-zyrtarë të lartë të qeverisë komuniste, më poste ministrash e zvministrash, ish-gjyqtarë e ish-hetues të diktaturës. Madje aq larg shkoi me fyerjen ndaj tyre sa në Kuvend tha se ishte krenar që i ati, Kristaq Rama, kishte qenë në anën e duhur të historisë, kur në fakt ai ishte anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe ka vendosur firmën për varjen e poetit Havzi Nela, dy vite para se të binte regjimi. /kujto.al

blank
Kampi i Tepelenes

blank

blank
Kampi i Spacit

 

 

blank
Kampi i Qafe Barit

 

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here