Autor i pamfletit politik “Thirrje drejtuar popullit shqiptar”. Teksti nuk u botua, por ekzistenca e tij shërbeu për ta dënuar me burg autorin 22-vjeçar. Ky ishte dënimi i tij i dytë, për herë të parë u arrestua më 1959, kur ishte 17 vjeç, nxënës në shkollën e mesme pedagogjike, Tiranë. Arsyeja e arrestimit: i kishte dërguar letër një shoqeje të klasës, me anë të së cilës e ftonte të merrte pjesë në një demostratë, për të protestuar kundër vendosjes së raketave sovjetike në Shqipëri dhe pjesëmarrjes së Shqipërisë në Traktatin e Varshavës. U dënua me 2 vjet burg, por nuk patën asnjë ndikim që ai të hiqte dorë nga veprimtaria e tij. Pas daljes nga burgu ai shkroi “Thirrjen...”, një tekst qartësisht politik, antikomunist, i shkruar me dorë, në katër fletore shkolle. Thirrja është formuluar në dy pjesë: a) pjesa historike, dhe b) programi i Partisë Popullore. Në pjesën e parë, autori bën një analizë zhvillimeve politike të Shqipërisë në dy dekadat e para të diktaturës komuniste. Në pjesën e programit politik ai shpalos programin e Partisë Popullore dhe “udhëheqësve të saj heroikë”. Partia Popullore ishte vetë M. Gj. I pari person që mori vesh për ekzistencën e thirrjes, një shok të cilit M. Gj. ia dha tekstin për ta shtypur, në bashkëpunim me Sigurimin, punoi për arrestimin e autorit të saj. Thirrja u botua për herë të parë më gusht 2012, në gazetën “Standard”. M. Gj. lindi më 1942, në Baz, Mat. Babai tij qëndroi në male deri më 1951, pastaj u largua nga Shqipëria. Pjesën më të madhe të jetës në emigracion e kaloi në Belgjikë, ku edhe vdiq. Gjatë kohës që ai ishte në male, familja e tij u internua. Më 11 mars 1960, me vendim nr. 9, Gjykata Ushtarake Tiranë e dënoi për ”agjitacion e propagandë”, me 2 vjet burg. Më 19 prill 1964, me vendim nr. 3, Gjykata Ushtarake Tiranë e dënoi për ”agjitacion e propagandë”, me 10 vjet burg dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet. Me ardhjen e demokracisë, M. Gj. ka botuar shumë artikuj dhe disa libra artistikë, ku gërshetohen kujtimet me trillimin, me tema nga koha e diktaturës komuniste.

Burimi: AISKK, F. 1, V. 2014, D. 7, FL. 220-221
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.