Kur një hebre i shpëton holokaustit nazist, por jo komunizmit shqiptar

0
791
blank

Shqipëria, kjo parajsë e hebrenjve në vitet e trazuara të Luftës, me mbarimin e saj, nuk ishte më strehë e sigurt për askënd.

Mjekun Natan Schachner, që kishte punuar për 30 vite si mjek në Shqipëri, një ditë janari e arrestuan në shtëpinë e tij, ku ai nuk u kthye kurrë më. Gjashtë muaj më vonë, bashkëshortja u kthye në atë shtëpi me lajmin që Natani ishte varur në qeli, ndërsa pas 18 vitesh dikush do i tregonte që ai kishte humbur jetën në tortura në birucat e Degës së Brendshme të Durrësit dhe më pas trupi i tij ishte përdorur nga studentët e Mjekësisë në Fakultetin e Tiranës

Në janarin e vitit 1942, në Pazarin e Vjetër të Tiranës, aty ku sot ngrihet Pallati i Kulturës, një djalë i hollë e i gjatë, rendte sa andej-këndej duke ngarkuar e shkarkuar mallrat e tregtarëve tiranas për të siguruar ushqimin e tij. Natën, strehën, e siguronte duke bërë rojë në dyqanet e këtyre tregtarëve.

Mirëpo pas ca muajsh, ai u ndesh me dy tregtues të njohur mallrash farmaceutike që vunë re se djali shtatlartë që ngarkonte e shkarkonte lloj-lloj thasësh e dëngjesh, nuk ishte një hamall i zakonshëm, por një njohës i shkëlqyer i të gjitha barnave që ata kishin në magazinë, ndaj e punësuan dhe i liruan një vend për banim në një prej magazinave.

Ky çirak i pazakontë i Tiranës së viteve ’40, ishte në të vërtetë një mjek i diplomuar në Itali, i lindur në Sadagura, krahinë e Moldavisë, më pas e Rumanisë dhe sot e Ukrainës, nga ishte larguar prej 10 vitesh pa u kthyer dot më. Arsyeja ishte ajo që e detyronte atë të diplomuar me Medalje Ari në degën e Kirurgjisë Patologjike, prej gati dy vitesh të ngarkonte e shkarkonte mallra në Tiranë. Ai ishte hebre, me prindër hebrenj dhe emër hebre. Quhej Natan Schachner. Të atin ia kishin pushkatuar në Austri. Të ëmën ia kishin internuar në Siberi. Ndërsa atë, teksa kthehej në vendlindje, e kishin ndaluar pasi gjermanët nuk donin që blloku i Lindjes të furnizohej me intelektualë të arsimuar në Perëndim dhe e kishin futur në një kamp në Jugosllavi, nga Natani, duke fshehur origjinën e tij dhe duke përdorur gjermanishten që e njihte mirë, pasi kishte jetuar disa vite me familjen në Austri, kishte mundur të largohej. Ishte vendosur fillimisht në Prishtinë, gjithashtu me nam të mirë për mikpritjen e hebrenjve, ku kishte punuar si kamerier e më pas me një kamion të linjës Prishtinë-Tiranë, kishte mbërritur në Shqipëri. Kapitullimi i Italisë dhe zbarkimi i gjermanëve në Tiranë do ta prishte sërish qetësinë e përkohshme të Natanit. Dy punëdhënësit e tij e ndihmuan të fshihej në një fshat pranë Tiranës dhe t’i bashkohej si mjek çetës së Legalitetit që vepronte aty. Pas gati një viti, u bashkua me një brigadë partizane që vepronte në Korçë, pa ndier se po ndërronte kah, sepse ai vazhdonte të shërbente si mjek ndër ata që luftonin nazistët, siç bëri deri në fund të luftës.

Mirëpo, lentet humaniste të profesionit dhe ato emocionale të hebreut në luftë me nazistët, nuk e lejuan të shihte qartë çfarë ndodhte brenda brigadave partizane dhe Partisë Komuniste që përvetësoi suksesin e luftës, siç kishte arritur të shihte Agron Çorati, që më vonë do të bëhej kunati i tij. Agroni bashkë me vëllanë dhe të motrat, njëra prej të cilave do bëhej bashkëshortja e Natanit, kishte ndihmuar në çdo formë Lëvizjen Nacionalçlirimtare, por në pranverën e vitit 1944, i zhgënjyer nga qëndrimi i Partisë Komuniste, ai e kishte demaskuar atë si tradhtare të interesave të Shqipërisë në interes të jugosllavëve, duke shtypur dhe shpërndarë disa trakte ku shprehte këto ide. Më pas, do të ndëshkohej për këtë. Jo vetëm ai, por edhe i vëllai, Muharremi; të motrat do përjashtoheshin nga Partia dhe në fund, i kunati, mjeku hebre që kishte shërbyer për 30 vjet si mjek në Shqipëri, do të arrestohej dhe do të vritej në tortura në qelitë e Degës së Durrësit.

Nga fundi i luftës, e deri në janar të vitit 1973, kur Natan Schachner-in e arrestuan, ai kishte shërbyer pa ndërprerje si mjek, por regjimi komunist i kishte dhënë sinjalet që mjeku i huaj, që ishte diplomuar në Perëndim, nuk ishte i dëshirueshëm. Në vitin 1951, e liruan nga ushtria me motivacionin “I padëshirueshëm në Ushtri” dhe u emërua në spitalin civil të Burrelit dhe pas 3 vitesh, në vitin 1954, u zhvendos në Fushë-Krujë. Aty u njoh edhe me komunisten e re, Eruginën, ose Milën siç e thërrisnin, një nga 4 fëmijët e familjes Çorati, bazë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, e cila në atë kohë kishte ardhur gjithashtu në Fushë-Krujë me sektorin e Propagandës të Ministrisë së Shëndetësisë, në të cilin punonte. Jetuan fillimisht në një banesë që iu dha pas martesës në fshatin Arrameras dhe pas shumë kërkesash, në vitin 1960, u transferuan në Durrës, ku doktor Natani vazhdoi të shërbente me përkushtim. Megjithatë, zhvendosja në Durrës, nuk e lehtësoi mbikëqyrjen ndaj tij, apo përndjekjen ndaj familjes së bashkëshortes. Para pak vitesh, vëllanë e saj, Muharremin, kur ishte gati për t’u nisur familjarisht në Çeki si atashe tregtar, e kishin arrestuar dhe më pas e kishin internuar në Llakatund. Në 1960-ën, dënuan vëllanë tjetër, Agronin të cilin e internuan në ishullin e Zvërnecit, po në rrethin e Vlorës pasi i kishin gjetur dorëshkrimet e romanit "Në kërkim të vetvetes" që do të botohej vetëm në vitin 1995. E liruan pas pesë vitesh, por u lejua të punonte vetëm punë të rënda krahu, ndërsa vëllai tjetër Muharremi, ndërroi jetë në internim.

Me këto brenga jetonte familja, deri ditën e 11 janarit 1973, kur në shtëpinë e mjekut hebre, erdhën oficerët për ta arrestuar.

Natani, sipas dëshmisë së bashkëshortes së tij dhënë para disa kohësh në media, ishte vazhdimisht nën survejim, aq më tepër që një herë në vitin 1966, kishte mbrojtur hapur Izraelin për luftën e tij me Egjiptin, duke shprehur një mendim të kundërt nga ai i propagandës shtetërore shqiptare. Megjithatë ngjarjen që kish nxitur masën ekstreme ndaj tij, Mila e lidh me ardhjen e dy letrave nga Londra, nga një kushëri i tij, i cili shkruante që pasuria e trashëguar e së ëmës ishte gjetur në një bankë në Tel-Aviv. Ato letra u sekuestruan ditën e arrestimit dhe nuk u shënuan në proces verbal si të mos kishin ekzistuar kurrë. Ndërkohë, Milës që shkonte çdo ditë në dyert e Degës së Brendshme të Durrësit për të çuar ushqime dhe ndërresa për bashkëshortin, nuk i thoshin asgjë për gjendjen e tij, deri ditën kur në korrik të atij viti, e njoftuan që ai kishte ndërruar jetë pasi ishte varur në qeli. Nuk ia dhanë trupin dhe atë vetë e larguan nga apartamenti në Durrës, për t’i dhënë një dhomë në fshatin ku e çuan mësuese. Nuk e gjeti kurrë trupin dhe nuk e mësoi kurrë të vërtetën e fundit të jetës së bashkëshortit, por disa dëshmitarë i thanë që atë e kishin torturuar për gjashtë muaj. Fotografi që e kishin thirrur me urgjencë në qelitë e Degës për ta fotografuar viktimën, i tregoi që atje kishte mësuar që i burgosuri quhej Natan Schachner, kishte ndërruar jetë në tortura dhe më pas ishte varur që krimi të servirej si vetëvrasje. Një i afërm i kishte thënë gjithashtu që trupin e mjekut pa kokë e kishin përdorur deri në fund të viteve ’80 studentët e Mjekësisë në Tiranë.

Në Tiranën, ku Natani erdhi për të shpëtuar kokën në vitet ’40. Duke u ikur nazistëve gjermanë. Duke menduar që më keq se aq nuk mund ta priste…

Burimi i të dhënave dhe fotos: Disa shkrime të Dashnor Kaloçit të publikuara te memorie.al dhe disa media online

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here