Dom Simon Jubani: Shkodra e nxori kishën nga katakombet

0
302
blank

4 nëntor 1990, mesha historike në varrezat e Rrmajit…Si e sfiduan diktaturën priftërinj e hoxhallarë bashkë me besimtarët e qytetit të Shkodrës …

Rreth 50 mijë besimtarë të krishterë e myslimanë do të bashkoheshin një javë më pas në meshën e katedrales dhe kështu u rikthyen në qytet tingujt e kambanës së kishës dhe kënga e hoxhës. Qytetarët do të ishin tashmë të lirë të manifestonin besimin e tyre në Zot.

blank

Banorët e lagjes Gjuhadol në Shkodër nuk do ta harronin kurrë atë ditë kur drejtuesit e diktaturës lëshuan xhelatët për t'i hequr simbolet Kishës së Madhe të qytetit e për ta kthyer atë në pallat sporti. Punëtorët e diktaturës shkulën nga vendi kambanën e kishës … është një ndër pamjet që lëndoi të madh e të vogël. Të moshuarit e asaj lagjeje u larguan nga kjo botë pa e parë e dëgjuar kurrë më oshëtimen e asaj kambane. Sepse regjimi komunist e ndaloi besimin, prishi e shkatërroi kisha e xhami. Katedralja e Shkodrës u kthye në pallat sporti dhe vendi ku zhvilloheshin aktivitete politike të partisë-shtet. Ky dënim për besimtarët e krishterë të qytetit të Shkodrës si dhe të të gjitha besimeve në mbarë Shqipërinë zgjati deri në vitin 1990. Edhe kishat e tjera u kthyen në magazina e zyra që i shërbenin regjimit. Kambana e një prej kishave do të ruhej për shumë vite nga një familje e vjetër në Shkodër. Familja Rusi e kishte fshehur në një gropë në qoshen e oborrit të shtëpisë, ku do të ruhej për 27 vjet.

blankMesnatën e 4 nëntorit 1990, ata e hapën gropën ku e kishin vendosur kambanën dhe e nxorën që andej. E pastruan dhe ia dorëzuan dom Simon Jubanit. Ishte një akt që finalizonte vendimin e rëndësishëm që prifti katolik dhe banorët e qytetit të Shkodrës kishin ndërmarrë, pa marrë parasysh ndëshkimin që mund të vinte nga diktatura që ishte në grahmat e fundit. Sepse regjimet totalitare komuniste kishin rënë thuasje në të gjithë vendet e lindjes dhe Shqipëria dukej se ishte mjaft afër.

Kambana e ruajtur nga familja Rusi do të lëshonte tingujt e saj nëpër qytet. Besimtarë të lagjeve të Shkodrës ndoqën zërin që vinte prej së largu dhe iu bashkuan Dom Simon Jubanit në varrezat e Rrmajt për të organizuar kështu meshën historike pas 27 vitesh të mohuar nga regjimi komunist.

Një javë më pas më 11 nëntor do të mbahej mesha në katedralen e Shkodrës. Besimtarët dhe priftërinjtë që kishin mbetur gjallë nga diktatura kishin organizuar gjithçka sepse shpejt në atë kishë do të ktheheshin tingujt që nuk i kishin dëgjuar për shumë vjet, do të kthehej oshëtima e kambanës.

Kjo meshë e shenjoi sërish jetën e qytetit sepse atë ditë u lejua edhe me ligj rikthimi i besimit fetar. Rreth 50 mijë besimtarë të krishterë e myslimanë iu bashkuan meshës në Katedrale dhe kështu u rikthye në qytet tingulli i kambanës së kishës dhe kënga e hoxhës në xhami. Qytetarët do të ishin tashmë të lirë të manifestonin besimin e tyre në Zot.

Nëntori i vitit 1990 do të kthehej për dom Simon Jubanin si një ndër kohët më të bukura të jetës së tij. Pas shumë vitesh burg gjatë diktaturës, torturash, dhimbjesh e mundimesh ai do të mund të predikonte sërish fjalët e shenjta në qytetin e zemrës.

“Falenderoj popullin e Shkodrës që me guxim vendosi ta organizojmë atë meshë. Ata më ftuan ta organizoja këtë meshë... ata më mbrojtën duke sfiduar kështu komunizmin. Populli i Shkodrës nxori kishën nga katakombet. Tingulli i asaj kumone e nxori kishën nga katakombet dhe solli besimin në mbarë Shqipërinë... pas asaj dite u bë e mundur të hapeshin kisha e xhami në mbarë Shqipërinë”, do të shprehej pak kohë më vonë Dom Simon Jubani.

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here