Pjetrush Paja, nga pushkatimi te zhdukja e eshtrave prej komunistëve

0
385
blank

Kujto.al do të publikojë historinë e plotë të përndjekjes së familjes Paja, të vrasjes së Pjetrushit, arrestimit të vëllait të tij Dodë Paja, i cili u burgos dhe u dënua në moshën 80 vjeç dhe u përndoq deri në vdekje nga Sigurimi i Shtetit dhe si u dënua Gjokë Paja, djali i Dodës pse mbrojti shokët në ushtri. Historia e tre burrave malësorë që u dënuan sepse nuk e prenë në besë mikun është shkruar nga nipi i Pjetrushit, Sokol Paja, gazetar pranë gazetës Dielli të Vatrës në SHBA.

Pjetrush Paja u vra se nuk preu në besë mikun e shtëpisë (pjesa e I)

Vrasja në shpellën e Rrjollit të deputetit të Malësisë së Mbishkodrës Haxhi Hajdar Mani së bashku me Nosh Pajën përbën për shumë vite një ngjarje sa kaq makabre aq edhe fatale për fatin familjes Paja në Rrjoll të Malësisë së Madhe përgjatë gjithë viteve të diktaturës. Si pasojë e kësaj  ngjarje, Pjetrush Paja mori dënimin më kapital prej regjimit komunist. Ai u pushkatua dhe eshtrat e tij u treten në një vend të panjohur. Edhe sot ende nuk dihet varri i tij. Urrejtja e komunistëve ndaj Pjetrush Pajës nuk njohu limite. Komunistët nuk u mjaftuan me vrasjen e tij, por  kënaqën egon e tyre dhe duke ia hedhur trupin një fisniku si Pjetrush Paja, i cili pranoi plumbin dhe të shiste mikun e shtëpisë nuk pranoi kurrë. Armiqësia e deputetit të Malësisë së mbishkodrës Haxhi Hajdar Mani me regjimin komunist, prodhoi një viktimë të pafajshme si Pjetrush Paja  e shumë civilë të tjerë të pafajshëm që  u persekutuan e përndoqën mizorisht. Një patriot 70 vjeç u vra dhe trupi i tij nuk u preh kurrë  në një varr. Totalisht pa snjë faj, fisniku i lartë Pjetrush Paja u pushkatua mbi bazën e pseudoakuzave si: tradhti ndaj atdheut e shumë “krime” të tjera për të cilat regjimi e ekzekutoi duke e lënë pa shenjë e pa nishan.

Natën që vendos të arratiset në mal deputeti i Malësisë së Mbishkodrës Haxhi Hajdari si pasojë e përplasjeve me Mehmet Shehun për problemet e ashpërisë që regjimi po ndërmerrte në veriun e Shqipërisë, shënoi edhe fillimin e fundit të jetës së Pjetrush Pajës. Deputeti Haxhi Hajdari gjendet në vështirësi ekstreme. Pas përplasjeve në Komitet Qëndror, nga çasti në çast pritej arrestimi i tij. Ai braktis banesën familjare në Golem të Shkodrës dhe dorëzohet në familjen e Dod Pajës e Pjetrush Pajës. Pjetrushi bashkë me Dodën i ofrojnë mikut të familjes, të bukës, të luftës dhe të ditëve të vështira, strehim të sigurtë, ushqimin më të mirë dhe shoqërim në rastet e lëvizjes së nevojshme në pronat dhe vendstrehimet e sigurta. Të vetmin gabim që bëri ishte se nuk dorëzoi mikun e familjes, por e mbrojti me kokën  e tij dhe të vuajtjeve të pashembullta të familjes e fisit. Deputeti Haxhi Hajdari kishte shumë miq e mund të shkonte kudo në Malësi, por për rrethanat e konfliktit, vështirësitë e kohës dhe sigurinë  e besën nuk mund ta gjente askund më mirë se te Dodë e Pjetrush Paja. Dy vëllezërit malësorë fisnikë që pranuan mikun në shtëpi e mbrojtën  me sakrifica sublime dhe nuk u përkulën as para plumbit, torturave e togës së  pushkatimit.

Akuzat

Pjetrush Paja nga fakti që ishte familjarisht mik me deputetin Hajdari, do të gjendej nën

blank
Haxhi Hajdari

akuza absurde që as vetë nuk mund t’i imagjinonte. Pjetrushi akuzohet padrejtësisht si “bashkëpunëtor i deputetit të Malësisë së Mbishkodrës, Haxhi Hajdar Manit”, se kishte kryer “veprimtari armiqësore në dëm të pushtetit popullor”, se ishte vënë “në shërbim të zbulimit jugosllav”, se kishte “përkrahur diversantë në rrrëzimin e pushtetit popullor”, “tradhti ndaj atdheut, përkrahës i armiqve të brendshëm e të jashtëm”, që gjoja sipas komunistëve donin rrëzimin e pushtetit popullor, etj.. Akuza këto që edhe pse nuk u vërtetuan kurrë, prapë se prapë nuk ia kursyen jetën. Elhan Gjika, hetuesi i Sigurimit të Shtetit që përgatiti dosjen e hetuesisë dhe ngriti akuzat që e çuan në plumb Pjetrush Pajën u tregua gjatë gjithë kohës çnjerëzor duke e dhunuar e masakruar me qëllim që të pranonte akuzat. Pjetrush Paja nuk e mohoi kurrë mikun, duke hedhur poshtë akuzat edhe ndër dhunë e tortura. Prokurori i rrethit të Shkodrës Jorgo Piro paraqiti në gjykatën e rrehtit më 25 prill 1964 pretencën ku kërkoi para trupit gjykues që Pjetrush Paja të dënohej me  vdekje pushkatim dhe konfiskim të pasurisë. Avokati i Pjetrush Pajës, Muhamet Haxhija i kërkoi trupit gjykues që të merrte një masë dënimi më të lehtë ndaj Pjetrushit duke parë gjendjen e tij sociale, fshatar i varfër, punëtor, bujk, me dy fëmijë të mitur, gruan të paralizuar, fakti që skishte qenë i dënuar dhe që gëzonte respekt ndër njerëz në fshat e punonte rregullisht. Por gjykata u tregua më e pamëshirshme duke i dhënë dënimin kapital të vdekjes me pushkatim. Komunistët nuk u kënaqen me pushkatimin, por i treten dhe eshtrat për ta dënuar përveç se me humbjen e jetës edhe të humjes së varrit të tij.

Si u torturua Pjetrush Paja prej  komunistëve

Pjetrush Paja para se të pushkatohej me qëllim që të merrte dënim kapital, duhej të firmoste akuzat. Pjetrushi rezistoi përgjatë torturave. Sipas tregimit të vëllait Dod Pajës që ishin në një qeli ndër fromat e torturës që iu ushtruan Pjetrushit ishin: shtrëngimi i gjymtyrëve me hekura, plagët në trup si pasojë e goditjeve me mjete prerëse, izolimi në biruca të ftohta akull, lënia pa rroba në kohë të acarta, varje në qafë të zinxhirëve me peshë të rëndë, shgulja e mustakëve e flokëve, thyerje kockash dhe shkulje e mishit me darë, thyerje dhëmbësh e dhëmballësh pa mpirje, hedhje në trupin e zhveshur të vajit të djegur, vendosja e vezëve të ziera në sqetulla etj. Shteti komunist u shndërrua në një makinë të hatashme dhune, torture e përbindëshi vrastar që punonte pambarimisht duke prodhuar përditë viktima të pafajshëm në njëkohë tragjike për ata që humbën jetën dhe ata që shpëtuan gjallë, por që u përndoqën prej sigurimit të shtetit për dekada me radhë.

Pushkatimi

Pjetrush Paja do të jepte shpirt pasi mbi trupin e tij të pafajshëm u derdhën plumbat e mallkuar të regjimit komunist. Një bashkëvuajtës me Pjetrush Pajën i kishte dëshmuar Pashkë Pajës, gruas së tij se ditën që po shkonte Pjetrushi në pushkatim, u kthye të merrte xhaketën, ndërsa oficeri i kishte thënë se nga sot e tutje s’do të duhet as xhaketa dhe asgjë tjetër në këtë botë. Dora e pushkatarit nuk u dridh aspak kur fjala e fundit e Pjetrushit ishte: “Amanet fëmijët!” Procesverbali i konstatimit të vdekjes së Pjetrushit është mbajtur më 5 korrik 1964 në Tiranë, menjëhërë pas që mjeku kishte çertifikuar vdekjen e tij si pasojë e plumbave që e rrëzuan përdhe. Majori Isamedin Resmja, Kapiteni Sefer Haxhiu, togeri Andrea Nura ishin dëshmitarët e fundit të çasteve të jetës së Pjetrush Pajës. Me vendim numër 38 të datës 25 prill 1964, gjykata e qarkut Shkodër me gjyqtar të çështjes Nuri Sesmja, Avdo Dervishi dhe Sali Kraja, e dënuan me vdekje pushkatim Pjetrush Pajën si tradhtar ndaj atdheut e disa krime të tjera që ai nuk i kreu kurrë. Presidiumi Popullor me dekret më 17 qershor 1964 nuk ia fali jetën Pjetrush Pajës, Gjykata e Lartë, Dhoma e Kolegjit Penal nuk pranoi ndryshimin e vendimit të gjykatës së qarkut Shkodër, ç’ka e çoi automatikisht fisnikun e pafajshëm në grykë të pushkës. Ai dha shpirt mes plumbash, me nder, dinjitet e krenari. Dha një shembull bese, mikpritje e shqiptarie të veçantë. Edhe pse ndër tortura e dhunë makabre ushtruar ndaj tij nga hetuesit e Ministrisë së Brëndshme e sigurimsat, ai asnjëherë nuk u dorëzua dhe nuk pranoi ta shesë mikun e shtëpisë, por dha jetën për  ta mbrojtur atë. Pjetrush Paja u largua nga jeta tokësore me nder. Ai la një grua të paralizuar, Pashkë Pajën, që përgjatë gjithë komunizmit përjetoi përndjekjen dhe mizoritë e regjimit komunist. Pjetrushi la dy fëmijë të mitur, Maren e prosalindur dhe Prekën që regjimi do ta dënonte për agjitacion e propagandë duke përmbyllur kështu një cikël disavjeçar vuajtjesh e torturash familjare e fisnore. Pashke Paja, gruaja e Pjetrush Pajës përveç se jetoi e persekutuar nga regjimi dhe në varfëri të plotë pas konfiskimit të pasurisë, ajo arriti të mbijetonte duke ndjekur burrin në burg e gjyqeve, më pas djalin e saj Prekën për 6 vjet. Pashka dha shembullin e vyer të një nëne që sakrifikoi jetën e saj duke mos u dorëzuar dhe duke qëndruar si malsore fisnike dhe pse ishte gjysmë e paralizuar e mbi gjithçka kishte mbi shpinë fatkeqësinë familjare, shtetin e fshatin komunist. Në rastin e dënimit të Pjetrush Pajës, regjimi komunist përmbylli me perfeksion luftën e klasave duke i dënuar dhe të birin Prekën, e nëse regjimi do zgjaste me siguri do kishte të dënuar të tjerë në familje. Pjetrush Paja humbi jetën e tij me nder e lavdi, ai dha një leksion bujarie, fisnikërie, bese e tradite te pastër të familjes shqiptare e patriotike. Ai u martirizua për lirinë që të gjithë gëzuam pas shumë dekadash vuajtje e qëndrese me dinjitet e fisnikëri./Kujto.al

Shënim: Fotoja kryesore është ilustruse pasi nuk ekziston një foto e Pjetrush Pajës

Si u burgos Gjok Paja se nuk pranoi të tradhëtonte shokët në ushtri

Si u dënua Dodë Paja 80 vjeç dhe u përndoq deri në vdekje nga Sigurimi

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here