Si u burgos Gjok Paja se nuk pranoi të tradhtonte shokët në ushtri

0
1760
blank

Kujto.al publikon historinë e plotë të përndjekjes së familjes Paja, të vrasjes së Pjetrushit, arrestimit të vëllait të tij Dodë Paja, i cili u burgos dhe u dënua në moshën 80 vjeç dhe u përndoq deri në vdekje nga Sigurimi i Shtetit dhe si u dënua Gjok Paja, djali i Dodës pse mbrojti shokët në ushtri. Historia e tre burrave malësorë që u dënuan sepse nuk e prenë në besë mikun është shkruar nga nipi i Pjetrushit, Sokol Paja, gazetar pranë gazetës Dielli të Vatrës në SHBA.

Dënimi i Gjokës nisi kalvarin e familjes Paja në komunizëm (pjesa III)

Historia e persekutimit nga regjimi komunist të familjes Paja në Rrjoll të Malësisë së Madhe fillon me dënimin e ushtarit Gjok Paja. Ditën që përfundoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ndaj një grupi ushtarësh kryesisht nga Veriu u ushtrohet një arbitraritet, ku ju kërkohet që të mos lirohen, por të qëndrojnë pa afat në shërbim të ushtrisë. Gjoka ishte djalë i thjeshtë dhe punëtor. I bindur dhe korrekt. Miqësor dhe besnik ndaj familjes dhe shoqërisë, aq më tepër ndaj shokëve të armës. Shokët e Gjokës vendosin të mos zbatojnë urdhrin e padrejtë. Ata i kërkojnë komandës që të lejohen të shohin familjet pasi kishin 3 vite pa i parë dhe se më pas do riktheheshin në bazë për t’i shërbyer atdheut. Komanda nuk i lejoi, refuzoi kërkesën dhe djemtë u arrestuan për thyerje të rregullores, mosbindje ndaj eprorit, thyerje të betimit ushtarak, frymë çmbolizuese, ulje të vigjilencës ushtarake e tjerë. Gjoka nuk pranoi të lirohej pa shokët e repartit, por sipas deklarimeve të dëshmitarëve të kohës kishte thënë se “nëse dënohen shokët e mi, le të dënohem edhe unë. As unë nuk e dua lirinë pa shokët e mi. Ja të vdesim, ja të shpëtojmë të gjithë”. Pas këtij urdhri tejet arbitrar, të gjithë ushtarët që kërkuan të shohin familjet arrestohen dhe ngrihen ndaj atyre akuza të rënda të tradhtisë ndaj atdheut.

Akuzat ndaj Gjok Pajës

Gjok Pajën personalisht e akuzon prokuroria ushtarake se kishte bërë demonstratë për lirimin e shokëve të tij që u arrestuan, se nuk kishte shkuar në repart por te shokët e arrestuar dhe se kishte thyer urdhrin e ushtrisë e rregulloren e ushtrisë në këtë rast. Ishte një kohë aq e tmerrshme sa edhe një kërkesë e drejtë të merrej si shkelje. Gjokë Paja u arrestua më 7 nëntor 1949. Si fillim u dënua me 20 vjet heqje lirie. Ushtarë të tjerë në repartin e Gjokës u dënuan me vdekje pushkatim, 25 vjet burg, 20 vjet, 15 vite e deri ne 10 vjet burg. Gjoka së bashku me ushtarët e tjerë sipas akt-akuzës së Prokurorise Ushtarake ku në bazë të nenit 17 të Ligjit Nr. 41, ata kishin kryer krimin të cilin prokurori ushtarak e paraqet si më poshtë: “Me datën 7 nëntor të vitit në vazhdim, kolektivisht në mënyrë demonstrative kanë kërkuar çmobilizimin e tyre nga Komanda e Brigatës në kundërshtim me rregulloren e ushtrisë tonë duke shkelur kështu urdhërat e Komandës superiore. Kanë refuzuar të shkojnë në shërbim. Ushtari Gjok Paja pranon fajin, nuk ka asgjë për të thënë. Sipas akuzës së prokurorisë ushtarake: “Të pandehurit kishin marrë rrugën për në Komandën e Brigatës, në mënyrë demostrative janë urdhëruar prej Komisarit të Batalionit që të ktheheshin në repartet e tyre, por nuk e kanë zbatuar dhe e kanë kundërshtuar këtë urdhër duke pranuar që më mirë të arrestoheshin. Prokuroria ushtarake rendiste se fajet e të pandehurve si më sipër provohen me deponimet e tyre që kanë bërë në hetuesi dhe para gjyqit.

Dënimi nga gjykata ushtarake

Trupi Gjykues bashkërisht dhe në bazë të neneve 17- të ligjit mbi funksionin e Gjykatave Ushtarake dhe 57-të Kodit Penal: fillimisht i deklaron fajtor të gjithë të pandehurit dhe dënimin e tyre si vijon: Reshter Abdulla Nelen me vdekje me Pushkatim, humbjen e të drejtave civile pergjithmonë. Dënimin me nga 20 (njëzet) vjet privim lirie pune të detyruar të Gjok Pajës, Pjeter Cukut , Myrteza Backës e Selami Jaçajt. Dënimin me 15 (pesëmbedhjetë ) vjet privim lirie pune e detyruar të Bajram Agollit, Pjeter Tushës e Gjok Lazrit. Dënimin me nga 10 (dhjetë) vjet privim lirie, punë e detyruar të Skender Tabakut. Dënimin me nga 3 (tre ) vjet privim lirie, punë e detyruar të Selim Selmaj, Tom Ketit e Nikoll Markut. Humbjen e të drejtave elektorale për të gjithë me 2 vjet. Sistemi komunist sapo kishte filluar luftën e brendshme në Komitet Qendror se sa herë që kishte trazime politike në zemër të pushtetit monist, apo ndryshim kursi politik, me qëllim që të shmangeshin vëmendjet e kohës, pushteti prodhonte ngjarje të tilla të cilat më pas paraqiteshin në publik si suksese të shtetit, ushtrisë, sigurimit apo koperativave në luftën ndaj armiqve e tradhtarëve që prodhonte propaganda e sistemit diktatorial komunist. Pas apelimit të vendimit të parë ku dënohet me 20 vjet, Gjok Paja dënohet nga Gjykata Ushtarake e Tiranës me 31 dhjetor 1949 me 10 vjet burg dhe punë të detyruar. Do të duhej ndërhyrja e deputetit të Malësisë së mbishkodrës kolonel Haxhi Hajdar Mani që Gjoka të lirohej pas disa viteve burgim në një gjendje të rënduar fizike si pasojë e dhunës e persekucionit në hetuesi.

Një sakrificë e madhe për liri

Gjok Paja dha një shembull të madh bese ndaj shokëve të tij, duke sfiduar dhunën e komandantëve të tij, shantazhet, presionet dhe përndjekjen. Ai jo vetëm që nuk pranoi të lirohej pa shokët e tij të ushtrisë, por as nuk u kthye në vend-roje, por tuboi para komandës për lirimin e shokëve të tij, kërkesë lirie që desh e pagoi me kokën e tij. Historia e persekutimit të Gjokë Pajës përbën një ndër fillesat e persekutimeve, jo vetëm të familjes Paja, por edhe të një mekanizmi që shteti komunist e përsëriste herë pas here pasi shteti kërkonte viktima dhe kundërshtarë për të mbajtur atë që quhej “flaka revolucionare”. Shteti komunist nëpërmjet vrasjeve e persekutimeve kërkonte të mbidhte kudo terror, dhunë, panik e frikë. Në çdo moment qyteti, fshati, kooperativa e qendra e punës në çdo cep të Republikës duhej të mbahej nën tension, nën presion dhe të ushqehej me idenë se shpëtimi vinte nga partia-shtet dhe lideri i saj gjakatar Enver Hoxha. Aparati shtetëror, jo vetëm që shtypi çdo kundërshtar barbarisht, por edhe kur nuk kishte kundërshtar real shteti komunist i siguronte, i shpikte, i sajonte, mjafton që makineria shtypëse të prodhonte gjak e viktima si e vetmja rrugë që komunizmi të ishte sa më jetëgjatë. Vetëm nëpërmjet terrorit komunistët kishin të sigurtë pushtetin pasi shuhej çdo shpresë për pakënaqësi apo revolte. Njerëzit ishin në gadishmëri për partinë shtet. Çdo njeri që mendonte ndryshe, paguante me kokë lirinë e mendimit të tij. I tillë ishte edhe rasti i burgosjes së Gjok Pajës, i cili si një ushtar model e djalë korrekt ndaj shoqërisë e familjes, pranoi burgun dhe jo lirinë pa shokët e tij të ushtrisë./Kujto.al

Pjetrush Paja, nga pushkatimi te zhdukja e eshtrave prej komunistëve

 

Si u dënua Dodë Paja 80 vjeç dhe u përndoq deri në vdekje nga Sigurimi

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here