I internuar përjetë!

0
296

Ilir Çullhaj ka lindur në Çermë të Lushnjës, atje ku regjimi komunist i kishte detyruar të jetonin në kasolle me baltë, prindërit e tij.. .Atje lindi Iliri, i internuar. U rrit atje në Çermë dhe po atje vazhdon të jetojë edhe sot. Historia e Ilir Çullhajt na tregon se si një njeri lind e rritet në internim dhe vazhdon të jetë i dënuar për të qëndruar aty ku lindi me damkën e “armikut të popullit”. I dënuar të kalojë çdo ditë atyre rrugëve ku u rrit i përbuzur, të takojë rrugëve të atij fshati, persona që dikur e persekutuan, i mohuan bukën, të drejtën e arsimit, i morën buzëqeshjen e fëmijës, i grabitën ëndrrat për të ardhmen. E megjithatë, Iliri nuk ndjen urrejtje për askënd e aq më pak hakmarrje.

Nga Luljeta Progni 

Ishte 7 dhjetor 1970, kur kancelari gjerman Willy Brandt, vizitoi në Varshavë memorialin në përkujtim të hebrenjve të vrarë nga nazizmi. U ul në gjunjë në shenjë ndjese ndaj viktimave të nazizmit. Ishte vizita e parë nga një kryetar i qeverisë gjermane në Poloni, pas Luftës së Dytë Botërore.

Imazhi i tij, i gjunjëzuar para historisë tragjike të hebrenjve, ishte një akt që ndikoi thelbësisht në përmirësimin e imazhit të gjermanëve në arenën ndërkombëtare. Sepse pas Willi Brand edhe kancelarë e zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit gjerman, kërkuan ndjesë vazhdimisht për viktimat e nazizmit.

Në Shqipëri janë me mijëra viktimat e totalitarizmit komunist që kurrë nuk e morën ndjesën e askujt për krimet që shteti kreu mbi ta dhe fëmijët e tyre. Nga xhelatët jo e jo, por as nga pasardhësit e tyre, që trashëguan partinë - shtet. Gjatë regjimit komunist, nga viti 1944 deri në 1990, rreth 6,000 njerëz janë vrarë, 34.000 janë burgosur dhe më shumë se 50.000 u dërguan në kampet e internimit.

Ilir Çullhaj ka lindur në kampin e internimit në Çermë të Lushnjës. I ati, Hysen Çullhaj, kaloi pesë vite në kampin e Tepelenës. Më pas, u transferua në kampet e internimit në Lushnjë. Gjatë asaj kohe, u dënua dy herë dhe kaloi 10 vite burg. Pas burgut, bashkë me familjen, u vendos në kampin e internimit në Çermë të Lushnjës. Dënimi vinte për shkak se babai i Hysenit, Veiz Çullhaj ishte arratisur pasi ishte shpallur armik i popullit.

Ilir Çullhaj lindi në Çermë, atje u rrit dhe sot vazhdon të jetojë ende në Çermë. Përveç vuajtjeve të tjera të jetës së tij të mundimshme, ai ka një peng që vjen si apel për politikën dhe shoqërinë shqiptare në 30 vjet. Një ndjesë e munguar nga xhelatët dhe pasardhësit e tyre.

Iliri rrëfen me dhimbje historinë e mundimshme të familjes si babai dhe e gjithë familja u intrenuan në Tepelenë. I ati ishte vetëm 14 vjeç.

Iliri është rritur me rrëfimet e dhimbjes së babit të tij. I ka treguar çfarë ndodhi në Tepelenë dhe si trajtoheshin fëmijë, gra e pleq.

Të bindur se kalvari i vuajtjeve do të ishte i gjatë, djemtë e familjes Çullhaj nisën të ndërtojnë jetën në internime. Më i madhi i familje u martua në kampin e Tepelenës.

Ka vuajtur bashkë me të atin, persekutimet e vazhdueshme. Kohën kur diktatura i kërkonte të mohonin gjyshin e arratisur, Veizin.

Pas kampit të Tepelenës, familja e tij vazhdoi internimin në kampet e Lushnjes. Nëna dhe babai i Hysenit do të ndërtonin jetën në Çermë të Lushnjës sepse aty i intrenuan. Atje lindi dhe u rrit Ilir Çullhaj. Lindi dhe u rrit si “armik i popullit” në një kasolle në Çermë të Lushnjës. Ai kujton vuajtjet si fëmijë, persekutimin nga regjimi komunist.

Nuk e pati kurrë të drejtën e arsimit. Pa dyshim ky është një peng që do ta mbajë përgjithmonë Iliri Çullhaj. Por çfarë nuk do ta harrojë kurrë, është përbuzja që ka ndjerë kur ishte fëmijë.

Kur ra regjimi komunist, Iliri dhe familja e tij u përpoqën të kthehen në vendin e tyre në Elbasan. Por nuk ia dolën dot sepse persekutimi vazhdoi.

Në pamundësi për t'u kthyer në vendin e origjinës, Iliri nisi të përmirësojë jetën aty në Çermë ku e dënoi diktatura. Ai thotë se ndjehet tashmë i respektuar, por vazhdon të vuajë brengën e braktisjes nga institucionet për t’i kthyer të drejtën që i takon.

Ilir Çullhaj nuk urren askënd, as ata që e persekutuan, por kërkon që dikush t'i kërkojë falje e për ata që kurrë nuk u penduan për krimet që bënë, të ketë një gjykim.

Historia e Ilir Çullhajt na e tregon qasjen që pati shteti dhe shoqëria shqiptare në 30 vjet, ndaj kësaj shtrese që u persekutua padrejtësisht. Tregon se si një njeri lind e rritet në internim dhe vazhdon të jetë i dënuar për të qëndruar aty ku lindi me damkën e “armikut të popullit”. I dënuar të kalojë çdo ditë atyre rrugëve ku u rrit me damkën e armikut të popullit, të takojë rrugëve të atij fshati, persona që dikur e persekutuan, i mohuan bukën, të drejtën e arsimit, i morën buzëqeshjën e fëmijës, i grabitën ëndrrat për të ardhëmen. E megjithatë, Iliri nuk ndjen urrejtje për askënd e aq më pak hakmarrje.

Pas 30 vitesh, duket krejt e pamundur që të mund të rikuperohet dhimbja e mijëra shqiptarëve që vuajtën diktaturën komuniste. Duket krejt e pamundur që Ilir Çullhaj e të ngjashmit e tij të shohin një ditë imazhe të ngjashme me atë të 7 dhjetorit 1970 të kancelarit gjerman të gjunjëzuar para permendores që përshkruan dhimbjen njerëzore të herbenjve… Përkundrazi, në Shqipëri kemi parë e me sa duket do të vazhdojmë të shohim xhelatët në foltoren e kuvendit të Shqipëris, në poste ministrash e në të gjitha dikasteret e administratës publike. Ilir Çullhaj e të ngjashmit e tij kanë parë e me sa duket do të shohin edhe për shumë kohë, Gramoz Ruçin e bijtë e tij të kollarisur me shallin e pionerit e banderolat e diktatorit tek revokojnë historinë e dhunës diktatoriale të 45 viteve, që e mbajtën Shqipërinë të izoluar nga e gjithë bota. Ndërsa Ilir Çullhaj është ende në pritje që dikush t'i kërkojë ndjesë për jetën e mundimshme të etërve të tij burgjeve e kampeve të internimit, që dikush t'i kërkojë ndjesë, pse lindi në internim e u rrit atje e patjetër dikush t'i kërkojë ndjesë, pse Ilir Çullhaj është akoma duke jetuar në vendin ku diktatura e dënoi padrejtësisht.

Dëshmia e plotë e Ilir Cullhait për kujto.al

Xhaxhai im i madhi Isufi, xhaxhai im i dyti Xhaferri , babi im Hyseni që është akoma gjalllë, xhaxhai im i ndjerë Shefqeti, dy xhaxhallarët e tjerë që lindën në kampin e Beratit, se kur u arratis gjyshi, që u largua la gruan shtatëzënë, Hysniu dhe Tomorri.

Nuk kishte për gajle se vdisnin, vdisnin fëmijë apo pleq, nuk e kishin problem fare. Bile një oficer, një kapter me emrin kapter Tomorri më duket. Ai i çonte fëmijët; tregonte xhaxhai im i madh Isufi “me zor nga shtrati që të dilnin në apel, ishin të sëmurë, ishin të ngrënë apo të pangrënë i kapnin me zor, gjithashtu dhe pleqtë. Bile ka qënë një rast tha xhaxhai; sapo na kishte marrë gjumi në mëngjes se i ftohtë i rëndë, do bëheshe apeli në orën 5:00 të mëngjesit, na ka marrë ky kapter Tomorri, me forcë na ka nxjerrë aty, me shqelma, me të shtyrë që të bënim apelin.

Qenë pa martuar, bile xhaxhai im Xhaferri, atje u ka njohur me bashkëshorten, me Bedrien, ndjesë pastë xhaxhai im i dyti Xhaferri me bijën e Feta Xhikës që ishte i arratisur politik. Atje u njohën dhe atje vunë kurrorë në kampin e Tepelenës (Bënës). Xhaxhai, po ne i përkasim asaj zone edhe nusja e xhaxhait Bedria i përket asaj zone. Kishim lidhje të hershme me një fjalë se krushqitë bëheshin sipas fiseve të mëdha që i përkisnin asaj kategorie. Dhe aty u njohën pasandaj kur u liruan i shpërndanë; në Gjazë, në Savër, në fund përfunduam këtu në Çermë.  Ndodhi kjo që në ’67-ën babai do bënte shkëputjen me të atin e tij  se vinin letrat deri në ’67-ën i lejonin, mbas ’67-ës doli një vendim që “o të ndërprisni kontaktin me njerëzit e juaj ose ju do shkoni prap atje ku keni qënë”! Babi nuk pranoi, nuk pranoi. Bile i nxuarrën, ka qënë nji qendër emulacioni, kinemaja e popullit, siç i quanim ne. Aty diskreditoheshin njerëzit me një fjalë, i erdhi  rradha babait.

Përndjekja nga sigurimi

Unë kam lindur në ’68-ën shkollën fillore e kam bërë këtu. Në vitin ’83 mbarova shkollën tetëvjeçare dhe u regjistrova për në shkollë të Mesme. Më kanë lënë vetëm një vit. Se ç’ndodhi… Në vitin ‘84 këtu u hodh Xhevdet Mustafa, diku në një fshat këtu sipër nesh. Xhevdet Mustafa kishte takuar me njerëzit e mi në Bruksel, me gjyshin tim, me dajën tim me të gjithë njerëzit që ne i kishim të arratisur atje në atë shtet. Atë ditë që u ekzekutua Xhevdet Mustafa, ne na kanë shumëfishuar rojet që mos kishim kontakt me asnjëlloj njeriu sepse dyshohet se Xhevdeti do vinte e do merrte takim me neve. Ai zbarkoi në Divjakë megjithë njerëzit e vet. Atë ditë na kanë ruajtur me dyfek. Bile ne po rregullonim nji se kemi pasur nji kuzhinë shtesë me plitharë siç i themi ne. Po punoja unë, babai, ndjesë paste e vëllai se nuk rron më, edhe po i thosha babait; ‘ o baba po këta që vijnë me dyfek kështu… Shshsh më thosh mor çun, se na ruajnë ne, mos kemi kontakt me njeri, se mos irritohemi ne dhe shkojmë i dalim krahë bandës, Xhevdetit me shokët e vet. Shiko ku arrinte gjykimi i Sigurimit. Na ka mbajt atë ditë, tërë ditën e ditës të izoluar me një fjalë.  Silleshin shumë ashpër sepse ne ishim kjo lloj kategorie, edhe nuk shoqëroheshim me fëmijët që ishin me pozita, e fëmijëve të Sigurimit. Nuk shoqëroheshim me ta, shoqërohëeshim vetëm me njerëzit të kallëpit tonë. Kjo gjithmonë binte në diktak. Edhe në brigadë kur punoja unë mbas viteve ’84, që dola në punë po me këta njerëz shoqërohesha edhe në brigadë.

Jeta në internim

Mundësitë u bënë në mënyrë selektive. Ja ne mbetëm këtu, shumë familjarë të tjerë ikën, ne pronësinë e kemi në fshatrat e Elbasanit, Biçakaj quhet. Po atje depërtoi 7501. Ndërtesat tona që i kishim atëherë me mund ishte rrëzuar, i kanë bërë shkollat e fshatit. Hapëm një gjyq për shtetëzimet që na u bënë ne, natën e datës: 3. 04. 46. Na adresuan dhe në gjykatë, na i pezulluan “pse nuk kishim mbajtur shënim”, por ne vajtëm i kapëm ata njerëz që ishin Këshillat Popullorë atëherë, dhe i formuluan të gjitha ato çka na kishin marrë ne. Pavarësisht se ne nuk arritëm të merrnim  dot asgjë, as shënime, asgjë. Po na i pezulluan. Ky pushtet i sotëm, kjo demokraci na i pezulloi. Po ne fundja-fundit këto nuk i patëm grabitur ne i patëm trashëguar, të trashëguara. Nuk pata njeri as me qeverinë e Kolabracionistëve as të Kuislingve. Xhaxhai e babai që u ekzekutuan në Elbasan, ai qe me Normalen e Elbasanit, ishte edhe inxhinier-projektues rrugësh në Belsh të Elbasanit.          Po ndihemi krenarë vetë mpër këtë se kemi të drejtën e fjalës e nuk jemi të përbuzur ngado. Po përsa i përket përfitimeve që ne na takonin ligjërisht për këtë nuk jemi dhe nuk mbetemi të kënaqur në asnjë moment. Deri më sot. Se ç’do ndodhë më mbrapa ia lemë kohës ta vlerësojmë atje ku duhet. Po deri më sot nuk jemi të kënaqur. Që mos të marrësh ti, përjashtohesh nga masa e dëmshpërblimit ku ti u more forcërisht nga shtëpia, u dëbove, u shtetëzove dhe sot nuk njihesh, je akoma në vend dëbimi, dhe sot mos njihesh si i tillë. Këtë se pranojmë dot. Nuk e pranojmë dot.

Mungesa e një faljeje

Po pishman na ka mbetur kjo që gjithë ata xhelatët tanë, që një pjesë sot ende rrojnë, asnjëherë nuk u morën gjykim për monstrozitet dhe krimet e tyre që kishin bërë kundra kësaj kategorie. Unë trashëgimi fëmijëve të mi do t’i lë, i kam të vegjël që ju nuk kini dijeni çka i ndodhi gjyshit  apo gjyshes, apo xhaxhait apo dajës, apo gjyshit apo stërgjyshit. Që ju nuk keni të drejtë të kërkoni këto gjëra për punë hakmarrje. Këto do tja transmetoni dhe fëmijëve të mi. Kështu ma transmetoi im at, kështu do ja transmetoj edhe unë. Ama për ata që nuk shfaqin ndonjë farë pendese, qofshin edhe ata gjallë që kanë bërë krime të ndryshme, këtë ne e kërkojmë, e kërkojmë me insistim që të ketë një rigjykim. Një rigjykim…/Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here