Babai i 8 fëmijëve vdiq në hetuesi nga torturat e Sulo Gradecit dhe Strati Papës

0
1843
blank

Nëna e 8 fëmijëve i shkruan autoriteteve për të mësuar mbi bashkëshortin e saj, duke shpresuar në sadopak drejtësi, në frymën e dënimit të “grupit të Koçi Xoxes”. Në letrën e saj, ajo shpjegon mënyrën e arrestimit, rrobat me gjak që iu dorëzuan dhe personat përgjegjës. Shpresonte rehabilitimin, por kjo ishte e pamundur.

***

Ministrisë së Punëve të Brendshme

Komisionit të Revizionimit të PPSH-së

Prokurorisë së Gjykatës së Lartë Ushtarake

E nënshkruara Makbule Mukevelati, lagja “Murat Çelepi” e Beratit, parashtroj lutjen që poshtëvijon:

Organet e Sigurimit të shtetit të Beratit në mes të natën së datë 17 shkurt 1947 më kanë marrë burrin tim Nuri Osman Mukevelati, pa ditur shkakun dhe fajin që kish bërë.

Pas marrjes së burrit dhe duke qenë se kisha në ngarkim 8 fëmijë të vegjël që pritnin kafshatën e bukës, interesohem për gjendjen e Nuriut, por organet e Sigurimit nuk më jepnin asgjë drejtim dhe më premtonin lirimin e shpejtë të tij duke më thënë se është marrë në pyetje, por nuk ka ndonjë faj.

Mirëpo pas një muaji nga data e marrjes, më dërgohen teshat e burrit të mbytura në gjak dhe njëkohësisht më komunikohet vdekja në spitalin e Beratit. Gjendja e teshave të gjakosura tregojnë tmerrin e torturave që i kishin bërë burrit që i shkaktuan vdekjen.

Ky fakt është i pamohueshëm sepse burri im nuk ka qenë i sëmurë që t’i shkaktohej një vdekje e papritur dhe veçanërisht për të mos zbuluar tmerret e papritura që i ishin bërë burrit, nuk është lejuar marrja e kufomës dhe jo vetëm kaq, por as që u lejuam ta shihnim për herë të fundit.

Për hir të 8 fëmijëve që kanë mbetur në mëshirën e fatit të zi të tyre, lutem të merret në shqyrtim kjo kërkesë duke u sqaruar çështja e marrjes dhe vdekjes të burrit tim Nuri Osmanit.

Me këtë rast parashtroj se si përgjegjës të Sigurimit të Shtetit, kanë qenë oficerët Strati Papa dhe Sulo Gradeci, i pari (sot) me shërbim në Peshkopi dhe tjetri pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

***

Letra është pa datë (mund të jetë dërguar në shkurt 1949), por përgjigja që i dërgohet më 27.11.1949 nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës, është kjo:

“Në përgjigje të letrës tuaj drejtuar para disa kohe Komitetit Qendror të PPSH-së, megjithëse kjo çështje nuk i përket Komitetit Qendror, mbasi u interesuam pranë organeve kompetente, rezulton se çështja e burrit tuaj qëndron kështu:

Ai ka qenë i arrestuar nga Seksioni i Sigurimit berat dhe ka vdekur në spital nga sëmundja “npuhte, ascese, fredo, pleursoctale deperimento organico, anemia dhe trochite ornike”.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here