Një violonçelist 17-vjeçar pas hekurave të burgut

0
252
blank

Ndrek Bazhdari, liceisti i Tiranës që u angazhua në lëvizjen antikomuniste, edhe pse në moshë të mitur, vuajti torturat në hetuesinë e diktaturës dhe u dënuan me 14 vjet burg

Ishte spikatur si një talent me zë të veçantë nga muzikantët më në zë të Shqipërisë si Prenk Jakova dhe Tonin Arapi. Ndrek Bazhdari, ishtë një ndër të rinjtë shkodranë me talent dhe kështu nisi me pasion rrugën e bukur të artit. Edhe pse kishte dëshirë të studionte për kanto, iu mundësua bursa për t'u regjistruar në liceun e Tiranës, për violonçel. Mjedisi ku i duhej të jetonte, në konvikt, nuk ishte njësoj si në Shkodër dhe shpejt do të përballej me propagandën komuniste.

“Kur filluam shkollën, të detyruar edhe të banonim në konvikt, ne studentët e Shkodrës, vumë re një kontrast të fortë midis ambjentit të ri që gjetëm dhe atij nga vinim. Formimi ynë si qytetarë të Shkodrës, qoftë nga feja, qoftë nga kultura dhe botëkuptimi, binte ndesh me atë që përfaqësonte një pjesë e mirë aty, që ishin njerëz të ardhur direkt nga malet për t’u bërë këngëtarë a instrumentistë, ose fëmijët e tyre, që ishin të indoktrinuar nga propaganda komuniste. Kjo situatë ishte jo pak tronditëse për ne si të rinj që frekunotonim kishën dhe këndonim në kishë. Dhe me atë bindjen e një të riu, shpeshherë polemizonim, debatonim edhe me profesoreshën e marksizimit, e vetmja filozofi që mësonim në shkollë, por edhe kjo e parë si mjet i pastër propagande. Edhe ky lloj “rebelimi”, shpejt na vuri në shënjestër të Organizatës së Rinisë dhe grupeve të tjera militante”, rrëfen Ndrek Bazhdari për librin “Zërat e Kujtesës”.

blankNgjarja e rëndë e jetës së tij do të ndodhte në vitin 1956, një kohë kur kishte shpërthyer Revolucioni Hungarez. “Shpërthimi i Revolucinit Hungarez, e tronditi shumë situatën e shteteve brendapërbrenda kampit socialist, shteteve satelite të Bashkimit Sovjetik, ku bënim pjesë edhe ne. Tani edhe shqiptarët filluan të shpresonin se mund të bëhej diçka edhe këtu, dhe ndër të parët që u solidarizuan me këtë shpresë, ishim edhe ne, tre studentë shkodranë. Ne krijuam një grup me qëllim propogandimin e ideve të Revolucionit Hungarez dhe përhapjen e tyre sa më gjërë. Baza e aktivitetit tonë, ishin traktet; ne arritëm të përpilonim vetë trakte. Natyrisht, për këtë aksion na ndihmoi edhe fakti që unë kisha një vëlla dizenjator, prej të cilit siguruam bazën materiale, që në atë kohë, ishte shumë e vështirë për t’u gjetur. Unë disponoja letër format, që nuk gjendej në asnjë vend tjetër, bojë kine dhe kisha një shkrim goxha të mirë. Shokët e mi ishin Nikolin Pavaci edhe Karlo Çefa. Ishte dhënë urdhër i qeverisë së asaj kohe, që të gjithë institucionet, në orën 10 të mëngjesit dhe në orën 12 të drekës, do të dilnin të dëgjonin informacionet mbi ngjarjet në Budapest dhe në mbarë Hungarinë, që shpërndaheshin përmes radios, në altoparlantë të instaluar nëpër rrugë e nëpër institucione. Edhe ne i shfrytëzonim këto raste, pra, grumbullime të tilla njerëzish, për të shpërndarë traktet dhe për t’i dhënë një frymë, si të thuash, më revolucionare atyre përpjekjeve që bënte populli hungarez kundra pushtimit rus. Traktet e përpiluara prej nesh, i hodhëm në Tiranë dhe në Shkodër”, rrëfente Bazhdari.

Mesazhi në trakte ishte: "Rinia dhe klasa punëtore shqiptare, duhej të solidarizoheshin me idetë e Revolucionit Hungarez dhe se ka ardhur koha që atalinizmit t’i japim grushtin e fundit”.

ARRESTIMI

Nuk do të kalonte shumë kohë dhe Ndreka si shumë të rinj të tjerë shkodranë do të arrestohej. “Më arrestuan më 21 prill 1957, ditën e Pashkëve. Unë me dy shokë të Liceut Artistik (por jo shokët e grupit), njëri flautist e tjetri violonçelist, ishim në rrugë për të shkuar në kishë, në Kishën Françeskane, e cila ndodhej në rrugën që të çonte te Pazari i Ri. Unë, që në mëngjes, munda të vija re që më ishin vënë mbrapa dy persona të mbajtur e të veshur mirë, për të cilët, më vonë, mora vesh se paskëshin qenë ish-kryetari i Degës së Shkodrës, Feçor Shehu dhe kryetari i hetuesisë për Tiranën, Besim Selita. Në kohën kur mbërritëm para derës së Degës, që ndodhej te Selvia, dërguan një polic, na ndalën dhe na morën e na futën brenda. Të treve. Unë kisha një parandjenjë që diçka e keqe po ndodhte. Në Degë, salla ku na futën, ishte mbushur me oficerë, sikur të ishte ndonjë ditë feste për ta e jo Pashkët tona. Njëri prej atyre policëve, më drejtohet mua e më thotë: “Hajde, ti bjondi që je në mes”. Shkova pas tij dhe e kuptova që nuk do dilja më prej atij vendi. Isha 17 vjeç.

blank

TORTURAT

Ngjita shkallët i rrethuar me policë, a thua se kë kishin kapur; sikur kishin kapur ndonjë të “rrezikshëm”, sikur të kishin kapur Hamit Matjanin. Më ngjitën lart në një zyrë, e kur ç’të shoh! Aty përballë, i ulur në tryezë, ishte po ai person që më ishte vënë pas dhe anash tij qëndronin shumë oficerë. M’u prezantua: “Unë jam Feçor Shehu.” Pastaj më tha: “Në emër të popullit, je i arrestuar!” S’kisha ç’të thosha, por pashë edhe dy oficerë nga Shkodra dhe më vonë e mora vesh që këta ishin të autorizuar nga Dega Shkodrës për të ndjekur hetuesinë tonë në Tiranë. Mbasi u prezantuan, më dhanë edhe mandatin e arrestimit për t’i vënë një firmë, pastaj më ulën në katin poshtë. Kur më ulën poshtë, më çuan në ca biruca që ne në atë kohë i quanim “qela”. Biruca ku më futën, ishte në formë varri dhe kishte një birë të vogël për dritare rreth 20 cm me 20 cm por afër tokës. Kështu që biruca ishte krejtësisht në terr.

U futa aty brenda dhe s’kisha as rroba e asgjë tjetër. Ishte rregull që kur hyje në birucë, duhej të hiqje e të lije jashtë rripin, ndonjë bluzë të trashë, lidhëzat e këpucëve, kopsat, --gjithmonë me idenë se i burgosuri mund të tentonte vetëvrasje. Ditën e parë, natyrisht që isha shumë i trishtuar, sepse dihet se si mund ta përjetojë atë terr, atë ambjent varri, një 17 vjeçar. Të nesërmen, motra kishte ardhur në Tiranë që të festonte Pashkët me mua dhe pasi e kishte marrë vesh se si ishte puna, bëri çmos që të më sillte të paktën një batanije, një fije bukë Pashkësh që quhet “Përpeç” dhe disa vezë, se vetëm kaq lejohej të hynte. Ditën e parë s’më kishin dhënë asgjë për të ngrënë, se nuk kisha hyrë akoma në “forcë”, pra, në listën e të burgosurve.

Kjo punë vazhdoi për disa ditë. Në hetuesi, na merrnin nga ora 1 apo 2 e natës, atëherë kur ishim të rraskapitur. Natyrisht, hetuesia ishte vend i trishtë për moshën që kishim, por jo e krahasueshme me atë të shokëve tanë, të cilët kishin kaluar tortura nga më të tmerrshmet; hetuesit nuk kishin se çfarë prisnin prej nesh, sepse kishin traktet në dorë, kishin shkrimin tim, kishin faktet. I kishin të gjitha çfarë u duheshin, për ta na dënuar.

Fillimisht kishin arrestuar në Shkodër, Nikolin Pavacin, për të cilin ne nuk dinim gjë, se nuk kishim lëvizur nga Tirana dhe askush nuk na njoftoi. Traktet i kemi shpërndarë gjatë tetorit të ’56 dhe prapë në janar të ’57. Ai ishte kapur një muaj e ca përpara. Në atë kohë, ishte edhe vështirë për të rënë në kontakt, sepse mjetet e komunikimit ishin të rralla.

Aty, në atë birucë, në atë varr, më kanë mbajtur  tre muaj e gjysëm. Bile, shpeshherë kur ishte koha që na sillnin një lugë supë apo një lugë çaj (që ndodhte dy herë në ditë), kur hapej dera e hynte një fije drite aty brenda, kur drita lëvizte, në muret e qelisë dalloje të shkruara me gjak: “Amanet familjen”, “Amanet fëmijët”, “Nesër pushkatohem”. Po në atë birucë kishin kaluar Hamit Matiani, Zenel Shehu, shumë nga ata që konsideroheshin “kriminelë” të mëdhenj që e dinin të sigurt ose e kishin marrë pretencën për pushkatim.

blank

Një natë, aty nga ora 11 e gjysmë, mbasi kishin mbaruar procesin, na morën dhe na vunë në një dhomë që ishte më e madhe se ato dhomat e zakonshme të hetuesisë. Aty shohim një gjeneral i cili na mori në pyetje, ndërsa këta të tjerët, na kërcënonin e na gjuanin me ndonjë grusht a ndonjë shqelm sipas zakonit, por ky, gjenerali, i ndaloi. Aty, në atë dhomë, ndodheshin edhe hetuesit e Shkodrës.

Pas tri ditëve, në korridorin e gjatë me qeli, dëgjuam një zë femre që qante. Për të komunikuar njëri me tjetrin, ne kemi pasur një sinjal, një kod: këndonim “Venite Adoremus” dhe mbështesnim veshin në tokë për të dëgjuar rojen e kur ai largohej pak për të ndenjur me rojen tjeter, ne i fishkëllënim njëri- tjetrit, e merreshim vesh. Pyesnim “Karlo? Niko? Ç’është kjo gruaja që qan?” Karlosi, që e kishte më afër, më thotë: “Është e shoqja e Panajot Plakut.” “Po ç’ne Panajot Plaku?”- e pyeta unë. Panajot Plaku ishte ai generali që na kishte marrë në pyetje para tri ditësh, e tashmë ishte arratisur. Ai kishte ikur dhe atë të shkretën, të shoqen, e kishin arrestuar dhe ajo bërtise: “Jam e pafajshme! Unë kam fëmijë! Pse po më merrni në qafë?”

DËNIMI

Pas nja tre muajsh e gjysmë, afërsisht katër, na nxorrën nga biruca. Kishte ardhur një “Jeep”, një nga ato makinat e zakonshme të Degës e po priste. Më nxorrën mua të lidhur, e më hipën. Nxjerrin dhe një tjetër dhe e lidhin aty. Tani po prisnim se ku po na çonin. Unë përfitova prej rastit kur dy oficerët që na shoqëroni po bënim muhabet dhe e pyeta të burgosurin tjetër: “Prej nga je ti?” Më thotë: “Jam prej Shkodre. Po ti?” “Edhe unë prej Shkodre jam”- i them. Kur e pyeta për emrin, ai më tha: “Karlo Çefa, po ti?” Unë i thashë se jam Ndrek Bazhdari. Përfytyroje: nuk njohëm dot njëri- tjetrin! Sepse ishim zbardhur komplet dhe sytë nuk punonin pas katër muajsh në errësirë të plotë. “Po Nikun, ku e kemi; a di gjë?”- e pyeta. Ai më tregoi se Nikun e kishin marrë më përpara. “Po ku e kanë çuar?”- i them unë. “S’di gjë, - thotë ai.-po ne ku po na çojnë?” Edhe na morën prej aty dhe na çuan në birucat e Burgut të Ri, për arsye se kishin kapur një kontigjent tjetër oficerësh pasi iku Panajot Plaku dhe duhej të liroheshin birucat për ta.

blank

Te Burgu i Ri, na lanë në birucë nja një muaj e ca. Pastaj na nxorrën në gjyq. Në gjyq, dihet si shkojnë punët dhe ne u akuzuam si grup anti-Parti, si grup që do të rrëzonte pushtetin me forcë.

Akuza kundër nesh ishte shumë e rëndë, që gjoja ne si grup, kishim pasur ndërmend të vazhdonim aktivitetin armiqësor, do të dilnim jashtë shtetit dhe do të shkonim të specializoheshim në shkollat imperialiste, për t’u përgatitur për të hyrë sërish në Shqipëri për të vrarë udhëheqësin. Një alibi e tillë. Sigurisht, që këto ishin të gjitha përralla. Bile, fillimisht, plani i tyre ishte të na bënin një gjyq të madh publik, ku të ishin të pranishëm edhe studentët në sallë, por, duke parë qëndrimin tonë, e pezulluan atë plan dhe në sallë, lanë vetëm familjarët.

Në fakt ligji e ndalonte burgun nën 18 vjeç, pasi Shqipëria, atë kohë, ishte anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe kishim nënshkruar disa karta. Por, këta, e justifikuan me dhënien e “gjysmëdënimit” këtë shkelje. Në atë kohë, nuk ishin hequr avokatët dhe secili prej nesh kishte dy avokatë. Më kujtohet që ne kemi pasur një avokat me mbiemër Tirana dhe një tjetër që quhej Koço Dilo.

Madje edhe vetë avokatët ranë në burg politik më vonë. Njëri prej tyre, vdiq në burg. Kurse Koço Dilon, e dënuan nja 15 a 20  vjet. Më kujtohet, kur po përgatiteshim të dilnim në gjyq, Koço Dilo më thotë: “Shiko, ti je më i vogli. Merri përsipër ti me tekst e me të gjitha, dhe bindi që je kryesori në këtë grup. Nëse e bën këtë, ti mund të shpëtosh jetën e shokëve, për arsye se ti je nën moshë.” Përndryshe ata do të pushkatoheshin se ishte viti 1957 dhe nuk e kishin problem të të zhduknin. Kështu që, në mënyrën time i mora unë përsipër, siç më këshilloi avokati. Dhe si përfundim, na dhanë dënimet maksimale për moshën që kishim, “gjysmë-dënimet”. Mua më dënuan me 14 vjet burg.

blank

Shënim: Intervista është marrë nga libri "Zërat e Kujtesës", botim i ISKK, realizuar nga Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here