Koli Rodhe, luftëtari i lirisë që u shua si armik i popullit

0
1370
blank

Në gjyqin që u bëhej opozitarëve të "Bashkimit Demokratik Shqiptar" të Musine Kokalarit, Sami Çeribashit, Gjergj Kokoshit, Qenan Dibrës etj. ishte edhe një burrë mbi të 60-at, i cili një pjesë të jetës e kishte kaluar në luftë me pushtuesit e Shqipërisë, apo në burgjet e tyre dhe pjesën tjetër në përpjekje për zhvillimin e vendit të vet si deputet i paralamentit të parë dhe prefekt i disa qarqeve. E megjithatë atë qershor të 1946-ës Kol Rodhe gjykohej nga shteti i tij si armik i popullit

Koli Rodhe njihej si luftëtar kundër xhonturqve, si i burgosur i tyre, si aktivist i flaktë i "Vatra" dhe themelues i "Besa-Besë" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një prej luftëtarëve që kapërceu oqeanin për të marrë pjesë në luftën e shqiptarëve për liri në prag të shpalljes së Pavarësisë, si drejtues i gazetës me orientim të hapur kombëtar "Vullnetari" që drejtoi kur u rikthye në SHBA e më pas si një nga mbështetësit e zhvillimit të vendit të tij si deputet i parlamentit të parë shqiptar dhe prefekt i disa qarqeve të Shqipërisë, por ai do të dënohej me 30 vjet burg pasi ishte një nga ata që kishte bojkotuar zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 dhe u kishte dalë kundër komunistëve shqiptarë në aleancë me jugosllavët, duke u thënë në një mbledhje të Frontit Nacionalçlirimtar ”Në qoftë se Jugosllavia është mikja jonë ajo duhet të shpall Kosovën Republikë". Ky qëndrim e këto deklarata iu numëruan në sallën e gjyqit si akuza dhe luftëtari i lirisë, që ca ditë më vonë do të mbushte 63 vjeç, u dërgua në burgun e Burrelit, ku edhe do të shuhej në vitin 1949, ndërsa hija e përndjekjes do të mbulonte edhe familjen e tij me gruan dhe pesë fëmijët.

Një nga stërmbesat e Koli Rodhes, ka dërguar për kujto.al një material, të mbështetur në botime e publikime mbi figurën e stërgjyshit të saj, të cilën kujto.al, po e publikon të plotë.

Nga Xhorxhia Anxhara

Kol Rodhe u lind në vitin 1883, në një familje të thjeshtë samarpunuesish në Korçë. Që në moshë të re u ndoq nga Xhonturqit për idetë e pavarësisë. Në vitin 1902, Xhonturqit e arrestojnë dhe e mbyllin në burgun e Himarës. Del dhe mbërrin në Odesë e shkon deri në Siberi ku mbledh ndihma për familjen e Papa Kristo Negovanit të therur nga shovinistët greke. Në vitin 1908, ndodhej ne SHBA, ku ngriti shoqërinë “Besa-Bese” si kryetar i saj dhe punoi për ngritjen e degëve në të gjithë SHBA. Në shoqatën “Vatra” ishte kryetar i Pleqësisë.

Ai ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit në meshën e parë në gjuhën shqipe që mbajti Fan Noli në Kishën Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston.

blank

Në vitin 1910, kthehet në atdhe bashkë me një grup të shqiptarëve të Amerikës si vullnetarë të Komitetit Shqiptar “Liri a Vdekje”.

blank

Së bashku me patriotë të shquar organizojnë punën dhe luftën për fitoren e pavarësisë pas 5 shekujsh robëri. Ka marrë pjesë në çlirimin e shumë krahinave të Shqipërisë nga Xhonturqit, duke u burgosur dhe plagosur. Në vitin 1914, emërohet shef i xhandarmërisë në Korçë. Shok armësh me Spiro Ballkamenin, Themistokli Gërmenjin, Sali Butkën, etj..

Kol Rodhe zgjidhet deputet i Parlamentit të parë shqiptar në 21.04.1921. Kol Rodhen, populli i Korçës e zgjodhi disa herë deputet gjatë qeverisjes mbretërore ku ai u emërua në poste të rëndesishme si prefekt në Shkodër, Berat, Gjirokastër dhe Fier. Pas përfundimit të luftës, Kol Rodhe i moshuar, i lodhur nga luftërat për pavarësi dhe liri, nga burgjet, nga përpjekjet e perkushtimi për çështjen mbarëkombëtare shqiptare, arrestohet me motivacionin e marrjes pjese në “Grupin e Rezistencës” dhe detyrohet që në seancen e 5-të të pseudogjyqeve të popullit të japë llogari si “Armik i Popullit”. Kur kryetari i gjyqit e pyet ai i pergjigjet burrërisht pa pranuar asnjë akuzë. Kryetari: I pranon akuzat? Kola: Asnjë. Kryetari: S'ke pasur lidhje me tradhtarët? Kola: Jo. Prokurori: Asnjë faj s'ke bërë? Kola: Asnjë. Prokurori: Atëherë të paskan sjellë kot këtu (qesh). Gënjen Kol Rodhe. Ti thua që rinia nuk duhet të merret me politikë. Ti ke qenë Inspektor i Ministrisë së Brendshme…Nuk ke përkrahur lidhjet tona me Jugosllavinë. Kërkoje Autonominë e Kosovës.Po, o Ujk plak, po Kol Rodhe…Ti deshe Regjencën e Mehdi Frashërit, deshe ndërhyrje të jashtme, se gjendja qenka e errët…Deshe shpërndarjen e ushtrisë, mbrojtjen e atdheut…deshe qeveri koalicioni me shumë partira, deshe të prishësh unitetin politik e popullit shqiptar…

Ishte koha kur diktatori Enver Hoxha dekorohej me “Urdhrin e heroit të popujve të Jugosllavisë” kurse patrioti Kol Rodhe, i mbështjellë me flamurin shqiptar arrestohet, burgoset, fyhet dhe dënohet me 30 vjet burg politik ku edhe ndërroi jetë nga torturat dhe uria në ferrin e Burrelit, në qelinë 6, në vitin 1949.

Historia nuk harron, dosjet e krimit i gjen dhe në shtypin e shkruar nga retrospektiva e deri sot. Ai la pas familjen e tij, bashkëshorten Ollgën dhe 5 femijë: Sofikan, Dafinan, Bardhylin, Elenicën dhe Romeon të cilët u përndoqën në vitet e diktaturës, por mbetën njerëz që transmetonin vlera fisnike, qytetarie dhe atdhedashurie.

blank

Sot, jetojnë nipërit dhe mbesat e tij të cilet kaluan në kalvarin e persekutimeve, ka 9 nipër dhe mbesa, 15 stërniper dhe stërmbesa. Emrin e Koli Rodhes do e ndeshni kudo ku flitet për çështje shqiptare, ku luftohet për Liri, Komb e Mevetësi. Koli Rodhe ka qenë një patriot sikurse e citonte shkrimtari Andon Frashëri në veprën me të njëjtin titull. Ai ka qenë mëmëdhetari që jetoi në 3 epoka: Rilindje, Pavarësi dhe Genocid Komunist. Kol Rodhe do të mbetet i paharrueshem në altarin e Atdhetarizmit.

blank
Eleni dhe Genc Leka

Fakt tjetër: poeti i pushkatuar i Librazhdid, Genc Leka, ka qenë dhëndri i Koli Rodhes, bashkeshorti i vajzës së tij, Elenica, e cila ka ndier mbi supet e saj kalvarin e persekutimit edhe të babait edhe të bashkeshortit. Respekte për këta kolosë të mendimit të lirë!

 

 

 

Shënim: Materiali është nga libri “Udhëve të historisë, të pathëna për shqiptarë te famshëm”, vëllimi 1, Autore: Klara Çela (Mitrushi), mbështetur në gazetat e kohës dhe kujtimet e familjes Rodhe.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here