Italiani që kërkon eshtrat e babait: Qeveritë shqiptare tallen me mua

0
1100
blank

Ndoshta askush tjetër nuk do të kishte bërë më shumë sesa Aldo Renato Terrusi, për të çuar në atdhe eshtrat e të atit, që ndërroi jetë në burgun e Burrelit. Është kthyer disa herë në Shqipëri, ku prindërit e tij u njohën, ku ai u lind e nga ku më pas, u largua me të ëmën, për të lënë pas në burg, të atin që do të ndërronte jetë tre vite më vonë, në vitin 1952. Gjatë këtyre viteve, ka trokitur në institucione, ka takuar bashkëvuajtës të të atit, ka mbledhur dokumente e dëshmi që e kanë çuar deri te toka e hidhur, poshtë një qershie, para qelive të burgut të Burrelit, ku groposeshin të dënuarit që ndërronin jetë, mes tyre, edhe babai i Aldos, Giuseppe Terrusi. Megjithatë, qeveria shqiptare vazhdon ta pengojë për të marrë eshtrat e të atit. 

blank
Aldo Renato Terrusi

Terrusi e ka treguar historinë e ish-drejtorit të bankës italo-shqiptare të Vlorës, të martuar me Aurelia Poselli-n, në vitin 1936, në Sarandë, në dy librat e tij: “Ritorno al Paese delle Aquile” dhe “Brenga ime shqiptare”, bashkë me dashurinë e Enver Hoxhës për Aurelian, që italiania nuk ia ktheu kurrë dhe që u bë shkak për hakmarrjen ndaj bashkëshortit të saj, të ardhur fillimisht në Gjirokastër, si nëndrejtor i bankës së atij qyteti, ku ishte vendosur edhe familja e Aurelias. Kur Hoxha mori pushtetin, bëri çmos ta dënonte Giuseppe-n me akuzën e rreme që u kishte hapur qëllimisht arkat e bankës gjermanëve. E arrestuan në vitin 1945, vetëm 3 muaj pasi kishte lindur i biri. Pas katër vitesh, nga burgu i Vlorës, e çuan në atë të Burrelit. Në këtë kohë, Aldo 5 vjeç dhe e ëma riatdhesohen në Itali, por koka e saj mbetet pas, në vendin nga lindte dielli, në vendin që mbante dashurinë e saj të madhe, e cila që nga viti 1952, do të bëhej dhimbje. Kaluan 44 vite, deri sa i biri, i rritur me tregimet dhe brengat e së ëmës, do të rikthehej në Shqipëri, për të marrë eshtrat e babait, pa e ditur që shteti shqiptar, megjithëse nuk drejtohej më nga Enver Hoxha, do i shfaqte pengesa. Arriti të zbulonte vendin ku ndodheshin ato, por në çastin kur duhet vetëm një leje për zhvarrimin dhe marrjen e eshtrave, ai pengohet. Kanë kaluar 26 vjet dhe nuk është bërë asgjë. Ndoshta, pak vende do kishin bërë kaq pak sa Shqipëria, për njohjen e të drejtave të qytetarëve të cilëve iu detyrohet moralisht dhe ligjërisht. Aldo Terrusi tashmë nuk pret më prej qeverisë shqiptare. Ndaj saj, ka vetëm disa pyetje që nuk dihet nëse do marrin ndonjëherë përgjigje, ndërsa zgjidhjen, po vazhdon ta kërkojë te institucionet ndërkombëtare. Kujto.al sjell dëshminë për fazën në të cilën ndodhet kërkimi i tij, kur në Shqipëri, prej 9 muajsh, funksionon një organizatë për identifikimin e të zhdukurve gjatë komunizmit.

Prej sa kohësh kërkoni të çoni në atdhe, eshtrat e babait tuaj?

Që nga viti 1993, kur shkova për herë të parë në Shqipëri, pas 44 vitesh, i shoqëruar nga daja im, Giacomo Poselli (portier i Kombëtares Shqiptare të Futbollit që kishte fituar Ballkaniadën në 1946), po kërkoj të sjell eshtrat e babait në Itali.

Çfarë rruge ligjore keni ndjekur?

I kam kërkuar Ambasadës Italiane, në Tiranë, dhe Ambasadës Shqiptare, në Romë, të ndërhyjnë në Burrel, për të marrë eshtrat e babait tim, Giuseppe Terrusi. Ministrat që kam takuar, më kanë dhënë gjithmonë siguri që çështja do të zgjidhej brenda një kohe të shkurtër. Ata thoshin që ishte një kërkesë universalisht e njohur... të lutesh mbi varrin e të dashurve... por pastaj nuk ka ndodhur asgjë. Dikush ka hipotetizuar një financim "ad personam" për të shmangur burokracinë.

Ju keni publikuar përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, e cila deklaron mungesën e dokumenteve për ata që kanë humbur jetën, në burgun e Burrelit, gjatë komunizmit. Si e komentoni këtë përgjigje?

Është absurde që unë kam dokumentet origjinale të procesit gjyqësor të babait në Vlorë, në vitin 1945, veç dokumentit të burgut të Burrelit që njofton inistitucionet shqiptare për vdekjen e babait në 2 mars 1952 (të siguruara nga miqtë, përmes Gëzim Peshkëpisë i ISKK, me president Agron Tufën), ndërsa vetë institucionet shqiptare mohojnë ekzistencën e tyre. Sigurisht, përmes Ambasadave Italiane dhe Shqiptare kemi këmbëngulur, gjatë kësaj kohe, për të pasur shpjegime, që nuk i kemi marrë kurrë. Përgjigjet e institucioneve shqiptare kanë qenë gjithmonë të vagullta dhe jopërfundimtare deri dhe indiferente: "do të ndërhyjmë, do të bëjmë, do të themi, do të programojmë"...por si përfundim asgjë. Një tallje e vërtetë për mua dhe institucionet italiane.

blank

Asnjë shpjegim zyrtar nuk keni marrë?
Nuk ka pasur kurrë shpjegime për fjalët "Burreli është një çështje komplekse". Përse institucionet nuk munden ose nuk duan të shpjegojnë se përse Burreli është një "çështje komplekse"?

Çfarë mendoni të bëni akoma?
Sigurisht, unë nuk mund të bëj luftë, por do të këmbëngul në rrugët e parashikuara nga ligji. Aktualisht, jam duke u konsultuar me një studio ligjore, që vepron në nivel ndërkombëtar, për një ndërhyrje të mundshme, pranë Komisionit Evropian të të Drejtave Civile. Por, problemi është gjithmonë qeveria shqiptare, për shkak të konflikteve të brendshme, politikës dhe burokracisë.


Prej 9 muajsh, në Shqipëri, vepron I
CMP, International Commission on Missing Persons, një organizatë e financuar nga BE, për të identifikuar eshtrat e të humburve gjatë komunizmit. Kujto.al ka mësuar që kjo organizatë po bashkëpunon edhe me Ambasadën Italiane, për të identifikuar eshtrat e të humburve, në burgun e Burrelit, që do të thotë që po interesohen drejtpërsëdrejti për babanë tuaj. Keni kontaktuar me këtë organizatë?

IMCP e kam kontaktuar dhe jam regjistruar formalisht në të, si person në kërkim të babait "të humbur", megjithëse nuk është "i humbur", përderisa dihet ekzaktësisht ku ndodhet, nga dy dëshmi të drejtpërdrejta, ndër të cilat ajo e Petrit Velajt (që e ka varrosur babain brenda burgut të Burrelit) dhe Engjëll Kokoshit, që ishin në burg me të. Por, megjithë kërkesat tona të ripërsëritura, qeveria shqiptare nuk i jep lejen për të ndërhyrë në Burrel as ICMP-së. Pse?

Familja juaj ka përjetuar dy periudha të ndryshme gjatë viteve ‘30-‘40 në Shqipëri, para dhe pas vendosjes së regjimit komunist. Si e kujtonte mamaja juaj Shqipërinë?

Familja ishte mirë dhe kishte shumë miq në Shqipëri, që ende e kujtojnë me kënaqësi praninë tonë, si në Vlorë, dhe në Tiranë. Me këtë rast, dua të falenderoj publikisht Gëzim Peshkëpian, pas dorëzimit të Bankës së Vlorës dhe burgosjes së babait, na priti në shtëpinë e tij në Tiranë për një periudhë. Mamaja fliste për periudhën e kaluar në Shqipëri, si për një përrallë, për një martesë të bukur, për një periudhë të lumtur, për miq të mirë italianë dhe shqiptarë, por brenda një jete të vështirë e me mundime, për shkak të luftës. Besoj që i vetmi njeri që urrente thellë në shpirt, ishte Enver Hoxha, dhe atij dhe vrasësve të tij, ia atribuonte të gjitha fatkeqësitë tona.

blank
Aldo gjatë pagëzimit me mamanë, 1945

Donte të kthehej në Shqipëri mamaja juaj? E provoi ndonjëherë?

Pas vdekjes së babait, mamaja, Aurelia ra në një depresion të thellë, që nuk iu nda deri në fund të jetës. Kur u ktheva në Shqipëri në vitin 1993, ajo nuk donte të dëgjonte asgjë rreth asaj që kisha bërë gjatë atij udhëtimi dhe unë nuk pata guximin t’ia tregoja.

 

Dëshira për të sjellë eshtrat e babait në atdhe, ishte dhe e saja?

Ishte dëshira e saj e parë, që nga viti 1952, sepse besonte sinqerisht që eshtrat e babait do të dorëzoheshin, siç ndodh në të gjitha vendet demokratike, por pati një zhgënjim të madh, dhe para se të mbyllte sytë, më kërkoi të varrosej pranë bashkëshortit në Itali. Ky është një premtim që nuk mund ta harroj.

Të vetmet kujtime që mund të keni nga babai juaj, janë ato të kohës kur ai ishte në burg, duke qenë që u arrestua kur ishit vetëm 3 muajsh. Ju ka mbetur diçka në mendje nga ato takime?

Kam shkuar me mamanë në burgun e Vlorës, deri në vitin 1949, kur u riatdhesuam në Itali. Nga burgu i Vlorës, më kujtohet si në ëndërr, një njeri (babai im) pas hekurave.

Ndërsa burgun e Burrelit e keni vizituar vetëm pas viteve ’90. Si e përjetuat atë vizitë?

blank

Herën e parë, burgun e Burrelit e vizitova në 1993-shin, i shoqëruar nga Engjëll Kokoshi dhe ai çast ishte i trishtueshëm dhe prekës. Sidomos kur Engjëlli filloi të tregonte çfarë ndodhte në atë vend. Pata emocione aq të forta, sa shkrova një poezi që është publikuar në librin tim të fundit "Brenga ime shqiptare".

Sa herë keni ardhur në Shqipëri pas 1993-shit? Çfarë të dhënash të vlefshme keni grumbulluar gjatë këtyre vizitave?

Pas 1993-shit, disa vjet, nuk u ktheva në Shqipëri, për shkak të situatës politike të atyre kohëve. Më pas, fillova të rivendosja kontaktet, dhe deri tani, jam kthyer në Shqipëri 10 herë. Kam qenë dy herë të tjera në Burrel, me shumë premtime, por pa asnjë rezultat. Më kujtohet që në fushën ku ndodhen varret, përfaqësuesit e institucioneve nisën të grinden për punë parashë. Megjithatë, përveç qeveritarëve që i quaj njerëz përfaqësues, por pa asnjë pushtet efektiv, për sa u takon njerëzve që kam takuar, kam pasur gjithmonë mirëkuptim, miqësi dhe simpati prej tyre dhe anasjellas. Nga dëshmitë dhe dokumentet që zotëroj, mund të konfirmoj që përgjegjësi i vetëm i vërtetë i tragedisë sonë familjare ka qenë diktatori Enver Hoxha.

Njihni italianë të tjerë që janë burgosur ose pasardhës të atyre që kanë humbur jetën gjatë regjimit komunist në Shqipëri? Keni kontakte me ta, ndoshta për të qenë më shumë që kërkoni të drejtat tuaja?

Ata që kanë qenë në burg me babanë tim, në vitin 1945, kanë ndërruar jetë në Itali. Pas disa vitesh, nuk do të jem më as unë, por do ua lë pasardhësve të mi, detyrën e kthimit të eshtrave të babait në atdhe. Në Burrel, kanë vdekur dhe janë varrosur shumë shqiptarë, babai im ka qenë i vetmi italian që ka vdekur atje, gjatë diktaturës komuniste. Përse familjarët e shqiptarëve që kanë humbur jetën në Burrel nuk lëvizin? Ndoshta sepse qeveria u ka mbyllur gojën apo ndoshta nuk janë më të interesuar për njerëzit e tyre të dashur? Përse?

Mendoni që qeveritë dhe institucionet shqiptare gjatë këtyre viteve, kanë bërë sa kanë mundur për zbardhjen e historive të viktimave dhe krimeve komunizmit?

Absolutisht jo! Kanë bërë ekzaktësisht të kundërtën për shkak të konfliktualitetit të brendshëm burokratiko-politik. Është e qartë që për një varg arsyesh që nuk është rasti t’i përforcoj, nuk mund të pritet 30 vjet për të marrë eshtrat e prindit, duke e ditur saktësisht vendin e varrosjes. Dhe është interesante që megjithë mohimin e rregullave më të thjeshta të mëshirës njerëzore, të pranishme në të gjitha vendet evropiane, por të mohuara në Shqipëri, Shqipëria pretendon të hyjë në Komunitetin Evropian.

Unë jam edhe subjekt i shpërblimit që duhet të marrin pasardhësit e të burgosurve që kanë humbur jetën në burg. Të gjitha dokumentet e nevojshme i janë dërguar ministrive respektive, pa marrë asnjë përgjigje. Kjo është Shqipëria e sotshme, përballë të persekutuarve politikë të diktaturës komuniste.

Nga A.Çano

Poezia e Aldo Renato Terrusi-t, pas vizitës së parë në burgun e Burrelit.

Tokë e lindjes,

mikpritëse e mizore.

Tokë e besës dhe e nderit.

Tokë e heronjve dhe martirëve,

plojave e gjakmarrjes.

Tokë e zaptuar, e cfilitur, tronditur, çliruar.

Tokë e hidhur, sogjenjerkë e trupit të tim eti!

Tokë e bekuar dhe e mallkuar,

m’i kthe eshtrat e tij, viktimës së pafajshme të një diktature të turpshme!

O atë, me shokët e tu Engjëll e Petrit*, ndave

për shtatë vjet, torturat e xhelatëve të poshtër,

mnerën e vdekjes,

shpresën e të ardhmes,

të varrosën në këtë fushë djerrë.

E di që je këtu,

në krah të qershisë, nginjur me gjakun e tëv dekurve,

që të mbron në hijen e dhembshur.

Era fërshëllen perms shkurrezave të shkreta,

sjell zërat e pështjelluar dhe rënkimet e shpirtrave endacakë.

O atë, lërmë të të dëgjoj zërin,

më trego rrugën që të të kthej në atdhe!

Në harresën vdekëtare, një britmë dhimbjeje dhe një lot,

një mendim për Aurelian dheAldon

ishin akti yt i fundit i jetës tokësore.

Një britmë që shpërthen në mua,

shoqëruar nga një vaj pambarim:

përse, përse?

Përse Zoti i njerëzve lejon që njëri syresh

Të jetë zot i jetës dhe vdekjes së të tjerëve?

Burrel, mars 1993

Përktheu nga italishtja: Elvana Zaimi

* Engjëll Kokoshi, Petrit Velaj, shokët e qelisë në Burrel

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here